Ky material është i përkthyer në
- português - Portuguese
- اردو - Urdu
- Deutsch - German
- español - Spanish
- বাংলা - Bengali
- Kiswahili - Swahili
- Tiếng Việt - Vietnamese
- 한국어 - Korean
- മലയാളം - Malayalam
- magyar - Hungarian
- हिन्दी - Hindi
- Türkçe - Turkish
- 中文 - Chinese
- Bahasa Indonesia - Indonesian
- Wikang Tagalog - Tagalog
- Français - French
- English - English
- አማርኛ - Amharic
- Русский - Russian
- العربية - Arabic
- 日本語 - Japanese
- नेपाली - Nepali
- italiano - Italian
Full Description
- Islami,bazat dhe parimet e tij
- PARATHËNIE
- KU ËSHTË RRUGA?!
- ALLAHU - EKZISTENCA, HYJNORJA, NJËSHMËRIA DHE DENJËSIA E TIJ PËR T'ﷻ ADHURUAR[2]
- ARGUMENTET RRETH EKZISTENCËS SË ALLAHUT DHE TË QENIT ZOT
- KRIJIMI I GJITHËSISË
- URTËSIA NGA KJO
- KRIJIMI DHE NDERIMI I NJERIUT
- POZITA E FEMRËS
- URTËSIA E KRIJIMIT TË NJERIUT
- NEVOJA E NJERËZIMIT PËR FENË
- KRITERET E FESË SË VËRTETË
- LLOJET E FEVE
- GJENDJA E FEVE TË SOTME
- REALITETI I PROFETËSISË
- ARGUMENTET DHE SHENJAT E PROFETËSISË
- NEVOJA E NJERËZVE PËR PROFETË
- JETA E AMSHUESHME
- BAZAT E MISIONIT DHE THIRRJES SË PROFETËVE
- MESAZHI I PËRHERSHËM[53]
- PËRFUNDIMI I PROFETËSISË
- DOMETHËNIA E FJALËS 'ISLAM'
- PREZANTIMI I ISLAMIT
- REALITETI I ISLAMIT
- REALITETI I MOSBESIMIT - MOHIMIT
- BAZAT DHE BURIMET E ISLAMIT
- BURIMI I PARË: KURANI MADHËSHTOR
- BURIMI I DYTË: SUNETI – TRADITA PROFETIKE
- GRADA E PARË: ISLAMI
- ADHURIMI NË ISLAM
- GRADA E DYTË: BESIMI - IMANI
- GRADA E TRETË: IHSANI – MIRËBËRËSIA
- DISA BUKURI TË ISLAMIT
- PENDIMI
- PASOJAT E MOSPRANIMIT TË ISLAMIT
- PËRFUNDIM
Dr. Muhamed Es-Suhejm
Islami,bazat dhe parimet e tij
Përktheu: Mirsim Maliqi
Redaktor fetar: Arben Ahmetaj
Redaktorë gjuhësorë: Arsim Jonuzi & Jusuf Kastrati
Islamhouse.com
PARATHËNIE
Falënderimi i përkryer i takon Allahut, nga i Cili kërkoj ndihmë e falje, po edhe strehim e mbrojtje nga e keqja e shpirtrave dhe e punëve tona. Atë që Allahu e përudh, s'ka kush e devijon, e kë Ai e shmang, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Cili nuk ka rival, si dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, qoftë i lavdëruar e i bekuar nga Allahu!
Zoti i dërgoi profetët me mision te botët e ndryshme, që pas paraqitjes së tyre njerëzit të mos kenë ndonjë argument justifikimi përpara Tij. Ai i zbriti librat si udhëzim, mëshirë, dritë e shërim. Më parë, profetët dërgoheshin me mision vetëm te popujt e tyre dhe ata i ruanin librat me të cilët kishin ardhur. Ky realitet bëri që librat e tyre të shuheshin, kurse mesazhi e doktrina të shtrembërohej e ndryshohej, e tërë kjo ngase ishin për një popull të caktuar, në një periudhë të kufizuar.
Më pastaj, Zoti e përzgjodhi Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ që të jetë vula e profetëve dhe e të dërguarve. I Madhërishmi ka thënë:
"Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve;..."[1] (Kurani, 33:40)
E nderoi me Librin më të mirë që është shpallur ndonjëherë, me Kuranin Madhështor dhe e bëri detyrë të Veten, e nuk e la në përgjegjësinë e krijesave, që ta ruajë atë. Ai tha:
"Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë." (Kurani, 15:9)
Fenë e tij e bëri të pandalshme deri në Ditën e Llogarisë. Ka për të mbetur e nuk shuhet dot, ngase ka kush i beson, thërret në të dhe duron në këtë rrugë. Ndaj, ishte metodologji e Muhamedit ﷺ dhe e ithtarëve të tij, që me dituri t'i thërrasin të tjerët te Zoti. Duke e qartësuar këtë metodologji, Zoti i Lartësuar ka thënë:
"Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë Allahu; unë nuk jam prej idhujtarëve!"" (Kurani, 12:108)
Gjithashtu, e urdhëroi të durojë kur i bëhet ndonjë dëm në rrugë të Allahut. I Lartësuari tha:
"Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur...!" (Kurani, 46:35)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
"O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!" (Kurani, 3:200)
E shkrova këtë libër duke e ndjekur këtë metodologji hyjnore e fisnike. I nxora argumentet e qarta nga Libri i Allahut dhe mora udhëzime nga Suneti i të Dërguarit të Tij ﷺ. Kam trajtuar tema të ndryshme në mënyrë të përmbledhur, duke filluar që nga rrëfimi mbi krijimin e gjithësisë e njeriut, duke vazhduar se si u nderua njeriu e u dërguan profetët. Tutje, kam sqaruar gjendjen e feve të mëparshme, e pastaj i kam bërë Islamit një paraqitje, duke trajtuar domethënien dhe shtyllat e tij. Ndaj, kush e dëshiron udhëzimin, ja këto janë argumentet, e kush dëshiron shpëtim, këtu e gjen rrugën që shpie atje, e kush është i interesuar të ecë në gjurmët e profetëve dhe të njerëzve të mirë, ja kjo, pra, është rruga e tyre.
Të gjithë pasuesit e feve i thërrasin njerëzit e tjerë për te feja e tyre dhe besojnë se e vërteta është aty e jo gjetiu. Sikurse, të gjithë ithtarët e besimeve u bëjnë njerëzve thirrje të pasojnë e madhërojnë prijësin e rrugës së tyre.
Mirëpo, muslimani dallon! Ai nuk thërret të pasohet rruga e tij, ngase ai nuk ka ndonjë rrugë të veçantë për të. Në të vërtetë, feja e tij është feja e Zotit, të cilën Ai e përzgjodhi për Vete. I Madhërishmi thotë:
"Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami." (Kurani, 3:19).
Nuk thërret që dikush nga njerëzit të madhërohet, ngase të gjithë njerëzit në fenë e Zotit janë të njëjtë, e, në të vërtetë dallimet në mes tyre nuk vijnë në konsideratë ndryshe vetëm se në saje të devotshmërisë. Muslimani i thërret njerëzit të kapin rrugën e Zotit të tyre, të besojnë në profetët e Tij, e ta pasojnë fenë që ia shpalli vulës së të dërguarve, Muhamedit ﷺ, i cili ishte i urdhëruar tërë njerëzimit t'ia kumtojë këtë mesazh.
Andaj, me përpikëri e shkrova këtë libër, që të jetë një thirrje për te feja e përzgjedhur e Zotit, feja me të cilën u dërgua vula e profetëve. Ky libër është një udhëzues për atë që dëshiron udhëzim dhe cicëron për atë e kërkon lumturinë. Për Zotin, asnjë krijesë nuk e gjen gjetiu lumturinë e vërtetë përveçse në këtë fe, sikurse askush s'e arrin ndryshe qetësinë e vërtetë shpirtërore veçse duke e besuar Allahun për Zot, Muhamedin ﷺ për profet, e Islamin për fe! Mijëra të udhëzuar që kanë pranuar Islamin, në kohët e mëparshme, po edhe të sotme, dëshmojnë se nuk e kanë shijuar lumturinë tjetërkund përpos nën hijen e Islamit. Ky libër është gatitur për njerëzit që janë në kërkim të lumturisë, qetësisë dhe së vërtetës.
Gjithkush që dëshiron ta botojë apo përkthejë këtë libër në cilindo gjuhë, ai ka leje prej meje, mirëpo me kusht që të jetë korrekt gjatë kësaj bartjeje e përshtatjeje.
Sikurse, kërkoj nga gjithkush që ka ndonjë vërejtje apo përmirësim, qoftë në librin origjinal - në arabishte, apo në ndonjë gjuhë tjetër në të cilën është përkthyer, le të na shkruajë në adresën që e kemi përmendur këtu.
Në çdo rast, fillim e mbarim, me zemër e me gjuhë, në publik e vetmi, i tërë falënderimi i përkryer është për Allahun. Falënderime të pasosura, po aq sa të mbushet hapësira e qiellit dhe tokës, apo diçka tjetër që dëshiron Zoti ynë. Allahu e lavdëroftë dhe e bekoftë Profetin tonë, shokët dhe ithtarët e tij deri në Ditën e Fundit!
Autori
KU ËSHTË RRUGA?!
Kur njeriu rritet dhe fillon të kuptojë, në mendjen e tij sillen vërdallë pyetje të ndryshme, si, fjala bie, prej nga kam ardhur?!
Përse kam ardhur?!
E, ku do të shkoj?!
Kush më krijoi mua dhe këtë gjithësi përreth meje?!
E kujt është gjithësia dhe kush e mbarështon?!
Si dhe pyetje të tjera.
Njeriu nuk arrin dot te përgjigjet e këtyre pyetjeve në mënyrë të mëvetësishme, madje as shkenca bashkëkohore. Ngase këto çështje i përkasin sferës fetare, ku rrëfimet, besëtytnitë e mitet janë të shumta, e për pasojë, veç çka e mundojnë njeriun duke i shtuar hutinë e pështjellimet. E vetmja rrugë ku mund t'i gjesh këto përgjigje është feja e vërtetë, e cila në mënyrë ekskluzive për këto çështje e për të tjera e posedon fjalën e prerë e të saktë. Këto çështje i përkasin të fshehtës e të padukshmes, për të cilat, askush përveç fesë së vërtetë nuk e thotë të vërtetën dhe të drejtën. E si të mos jetë kështu kur feja e vërtetë është shpallje e Zotit për profetët e Tij. Ndaj, njeriu nëse dëshiron të kapë rrugën e drejtë, e të mos mbesë i hutuar e me dyshime, duhet ta mësojë dhe besojë fenë e vërtetë.
Në vijim, të ftoj ta pasosh rrugën e vërtetë të Zotit! Do t'i paraqes disa argumente, prova e dëshmi, që ti t'i vrojtosh ato me qetësi, dëlirësisht dhe thellësisht.
ALLAHU - EKZISTENCA, HYJNORJA, NJËSHMËRIA DHE DENJËSIA E TIJ PËR T'ﷻ ADHURUAR[2]
Jobesimtarët adhurojnë hyjni të krijuara e të sajuara, si, fjala bie, pemë, gurë e njerëz, andaj hebrenjtë dhe idhujtarët e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth Allahut, se prej çfarë gjëje është Ai. Atëherë, Zoti i shpalli këto fjalë:
"Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!" (Kurani, 112:1-4)
Ai u foli robërve të Tij për Vetveten, duke thënë:
“Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!" (Kurani, 7:54)
I Madhërishmi tha:
"Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur me shtylla, të cilat nuk mund t'i shihni e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar. Ai i drejton të gjitha çështjet dhe i shpjegon në hollësi shpalljet, me qëllim që ju të bindeni se do të takoheni me Zotin tuaj." (Kurani, 13:2)
Deri te fjala e Tij:
"Allahu e di se ç'mbart çdo femër dhe e di sa shkurtohet e sa zgjatet (koha e lindjes). Çdo gjë te Ai është me masë. Ai i di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhi, i Larti." (Kurani, 13:8-9)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?" dhe përgjigju: “Allahu!" Thuaj: “A mos vallë ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij ata që nuk mund t'i sjellin vetes as dobi, as dëm?" Thuaj: “A janë të njëjtë i verbri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!" Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari". (Kurani, 13:16)
Ai, madhëruar qoftë, u paraqiti krijesave argumente dhe dëshmi të qarta, duke thënë:
"Ndër shenjat e Tij janë nata dhe dita, si dhe Dielli dhe Hëna. Mos bëni sexhde as për Diellin, as për Hënën, por, nëse jeni adhurues të Atij, bëni sexhde për Allahun i Cili i ka krijuar ato!" (Kurani, 41:37)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë:
“Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij." (Kurani, 30:22-23)
Ai e përshkroi Vetveten me cilësi të bukura e të përkryera:
“Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë te Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron..." (Kurani, 2:255)
Po ashtu, thotë:
“Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe te Ai do të kthehen të gjithë." (Kurani, 40:3)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!" (Kurani, 59:23)
Ai është Zoti, Hyjnia, i Urti, e i Fuqishmi, i Cili me fjalët e Veta i njoftoi robërit e Tij për Vetveten, u tregoi argumente, prova e dëshmi, si dhe e përshkroi Veten me cilësitë e përsosurisë. Për ekzistencën, hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t'u adhuruar dëshmojnë fetë e mesazhet profetike, arsyeja racionale, natyra e paprekur njerëzore, po madje të gjithë popujt kanë qëndrim konsensual rreth këtyre të vërtetave, rreth të cilave në vijim do të gjesh disa shpjegime.
ARGUMENTET RRETH EKZISTENCËS SË ALLAHUT DHE TË QENIT ZOT
Argumenti i parë
KRIJIMI I KËSAJ GJITHËSIE DHE KRIJIMTARIA E JASHTËZAKONSHME NË TË
Kjo gjithësi përreth teje, ky univers madhështor, me këtë përbërje, qiej, planetë e orbita, e kjo tokë e sheshtë, me hapësira e vise që ngjiten me njëra-tjetrën, e varësisht dallimeve mes tyre dallon edhe ajo çfarë del prej dheu, e cila nxjerr fryte të çdo lloji, ku të gjitha krijesat janë dy gjinish. Ky kozmos nuk e ka krijuar vetveten, ngase nuk ekziston një mundësi e tillë, andaj, doemos ai ka një Krijues. E kush është pra Ai që e ka krijuar këtë sistem të mahnitshëm dhe e përsosi me këtë bukuri të mrekullueshme, e që për çdo vrojtues këto u bënë argumente që të lënë gojëhapur?! Askush përpos Zotit, Njëshit, Mposhtësit, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, e as nuk ka kush që e meriton adhurimin përveç Tij. I Lartësuari ka thënë:
“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur." (Kurani, 52:35-36)
Këto dy citate kuranore përmbajnë tri koncepte hyrëse në këtë trajtesë, e ato janë:
A janë krijuar prej asgjësë?!
A e kanë krijuar vetveten?!
A i kanë krijuar ata qiejt dhe Tokën?!
E nëse ata nuk janë krijuar prej asgjësë, nuk e kanë krijuar vetveten e as nuk i kanë krijuar qiejt e Tokën, atëherë ata pashmangshëm duhet ta pranojnë ekzistencën e Krijuesit që i solli në ekzistencë dhe i krijoi ata, qiejt dhe Tokën. Ai është Allahu, Njëshi e Mposhtësi!
Argumenti i dytë
FITREJA – NATYRA FILLESTARE DHE E PAPREKUR NJERËZORE
Krijesat në natyrën e tyre e kanë të skalitur pranimin e Krijuesit, duke e njohur si më të Madhin, më Madhështorin e më të Përkryerin. Kjo çështje është e mbjellë fort në natyrën e tyre, më fort sesa parimet dhe ligjet e fizikës e të matematikës. Për këtë arsye, në parim nuk ka nevojë të sillen argumente për këtë çështje, mirëpo ekzistojnë njerëz të atillë, tek të cilët natyra njerëzore origjinale dhe kursi i saj u kanë pësuar ndryshime dhe kanë nevojë për këto argumente.[3] I Lartësuari ka thënë:
“...fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit..." (Kurani, 30:30)
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë:
“Çdo foshnje lind në natyrën e pastër. Më pastaj, prindërit e tij e bëjnë hebre, të krishterë ose adhurues të zjarrit. Sikur shembulli i kafshës që e pjell të voglin e saj të pagjymtuar (të shëndoshë e pa të meta), vallë, a i vëreni ndonjë gjymti (të metë)?!"
Pastaj, transmetuesi i hadithit, Ebu Hurejra, thotë: "Në daçi, lexojeni:
“...fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit..." (Kurani, 30:30) [4]
Gjithashtu Profeti ﷺ ka thënë:
“Zoti im më dha urdhër që t'jua mësoj juve atë që nuk e dini, e që mua ma mësoi sot: (Tha) Secilën pasuri që ndonjë robit ia dhuroj, ajo për të është e lejuar; Unë të gjithë robërit e Mi i kam krijuar hunefa (të pastër e të gatshëm për të pranuar udhëzimin), mirëpo atyre u erdhën djajtë dhe i shmangën nga feja e tyre, ua ndaluan atë që Unë ua kam lejuar, si dhe i urdhëruan që të më përshkruajnë ortakë, gjë për të cilën Unë s'u kam zbritur asnjë argument."[5]
Argumenti i tretë
KONSENSUSI I POPUJVE
Të gjithë popujt, qofshin të lashtë apo modernë, janë të një mendimi se ky kozmos e ka një Krijues, e Ai është Allahu, Zoti i botëve, i Cili, pa asnjë ortak, i krijoi qiejt e Tokën, po edhe pa asnjë ortak e posedon dhe e sundon çdo gjë që ekziston.
Nuk përmendet asgjëkundi se ndonjë popull i mëparshëm ka besuar se hyjnitë e tyre, bashkë me Allahun, i kanë krijuar qiejt e Tokën. Assesi! Përkundrazi, kanë besuar se Zoti është Krijuesi i tyre dhe Krijuesi i hyjnive të tyre. Pra, besonin se s'ka Furnizues tjetër përveç Allahut dhe se vetëm në Dorë të Tij është dobia e dëmi.[6] E duke treguar se si e pranonin idhujtarët hyjnoren e Zotit. I Madhërishmi thotë:
“Nëse ti (Muhamed) i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush i ka nënshtruar (të rrotullohen) Diellin e Hënën, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!" Atëherë, si po largohen (nga rruga e drejtë)? Allahu, ia zgjeron furnizimin kujt të dojë nga robërit e Tij, e dikujt ia zvogëlon. Allahu është vërtet i Dijshëm për çdo gjë. Nëse ti i pyet ata se kush e zbret ujin nga qielli dhe nëpërmjet tij e gjallëron tokën pas vdekjes së saj, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!" Thuaj: “Qoftë lëvduar Allahu!" Por, shumica e tyre nuk mendojnë." (Kurani, 29:61-63)
Po ashtu, i Lavdishmi ka thënë:
“Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?" Ata, me siguri do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi." (Kurani, 43:9)
Argumenti i katërt
ARSYEJA RACIONALE
Mendja e ka të pashmangshme të pranojë se gjithësia ka një Krijues Madhështor, ngase ajo e sheh sheshazi se gjithësia është e krijuar dhe shpikur, sikurse e sheh se ajo nuk e ka sjellë vetveten në ekzistencë, ndërsa një gjë e krijuar domosdo duhet ta ketë Krijuesin që e shpiku dhe e solli në ekzistencë.
Kur njeriu në jetë preket nga krizat dhe fatkeqësitë, largimin e të cilave nuk mund ta bëjë qenia njerëzore, atëherë zemra e tij vetvetiu drejtohet nga qielli dhe i kërkon Zotit ndihmë. Kthehet tek Ai për ta lutur që t'ia largojë brengën e hallin, edhe nëse në ditët e tjera e mohon Zotin e tij dhe e adhuron idhullin e vet. Kjo është një domosdoshmëri e pashmangshme, andaj duhet të pranohet. Madje, edhe kafshët kur lëndohen nga ndonjë qeder i rëndë, e ngrenë kokën lart dhe i ngulin sytë nga qielli. Zoti i Madhërishëm ka treguar se kur njeriu preket nga ndonjë dëm, shpejton për te Zoti i tij, nga i Cili kërkon largimin e atij dëmi. I Lartësuari thotë:
“Kur njeriun e godet një e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu drejtuar me pendesë. E kur atij i vjen një e mirë prej Zotit, ai harron se për çfarë ishte duke u lutur më parë dhe sajon zota të tjerë të barabartë me Allahun..." (Kurani, 39: 8)
E duke na treguar për gjendjen e idhujtarëve, i Lartësuari tha:
“Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin nëpër tokë dhe det. E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t'i vënë poshtë, (atëherë) i luten Allahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, me të vërtetë do të jemi mirënjohës". E kur Allahu i shpëton ata, ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë. O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t'u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni te Ne dhe Ne do t'ju njoftojmë për atë që keni punuar." (Kurani, 10:22-23)
Po ashtu, i Madhërishmi tha:
“Kur ata i mbulon vala si pëlhurë, e thërrasin Allahun me devotshmëri të çiltër. Por sapo Ai i shpëton, duke i kthyer ata në tokë, një pjesë e tyre lëkunden (ndërmjet besimit dhe mosbesimit). Në të vërtetë, shpalljet dhe mrekullitë Tona i mohojnë vetëm mashtruesit dhe mosmirënjohësit." (Kurani, 31:32)
E ky Zot është Ai që e solli gjithësinë në ekzistencë, e cila më parë ishte thjesht një hiç; Ai e krijoi njeriun në formën më të bukur, kurse në natyrën e tij e gdhendi bindjen për Zotin, për të Cilin janë përulur mendjet njerëzore, duke dëshmuar për hyjnoren e Tij dhe për denjësinë që ka për t'u adhuruar. E sa për hyjnoren e Tij, kjo është një çështje konsensuale te mbarë popujt; pra ky Zot që është Një në hyjnoren e Tij është po ashtu Një në denjësinë e Tij për t'u adhuruar, ngase, sikurse që nuk e shoqëron askush Atë në krijimtarinë hyjnore që ka, asisoj, Ai nuk ka ndonjë ortak që e shoqëron në denjësinë e Tij për t'u adhuruar. Argumentet për këtë realitet janë të shumta, e prej tyre:
a. Kjo gjithësi nuk ka tjetër hyjni përveç Zotit të Madhërishëm, Krijuesit, e Furnizuesit, i Cili e sjell dobinë dhe e largon dëmin. E sikur të ekzistonte një hyjni tjetër bashkë me Të, ajo do të kishte veprimtarinë, krijimtarinë dhe urdhëresat e veta, e për pasojë rivaliteti në mes tyre do të ishte i domosdoshëm.[7] E ky rivalitet nuk mund të kalojë pa një përplasje, fundi i së cilës është mposhtja e njërit prej tyre, kurse një që mposhtet, vallë, si mund të jetë hyjni?! E pra, Mposhtësi është Zoti i vërtetë, i Vetmi që ka denjësinë për t'u adhuruar, në të cilën askush nuk ka ndonjë hise, sikurse askush nuk ka kurrfarë pjesëmarrjeje e hiseje në hyjnoren e Tij! I Madhërishmi ka thënë: “Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s'ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!" (Kurani, 23:91)
b. Askush nuk e meriton adhurimin përveç Allahut, Mbretit të qiejve e të Tokës. Parimisht, njeriu përpiqet të afrohet te Zoti që i sjell dobi e të mira dhe ia largon dëmet, të këqijat dhe qederet. E këtë s'e bën askush përpos Mbretit të qiejve, Tokës dhe asaj që ekziston ndërmjet tyre. Andaj, sikur të ekzistonin hyjni të tjetra përveç Allahut, siç pandehin politeistët, atëherë ato për njerëzit do të ishin thjesht vetëm rrugë që i shpien ata te Mbreti i Vërtetë, ngase edhe vetë hyjnitë që adhuroheshin përveç Allahut mëtonin të afroheshin tek Ai. Prandaj, nuk ka kurrfarë arsyeje e logjike të adhurosh dikë tjetër përveç Zotit të Vërtetë, kur ti dëshiron të afroheshin tek Ai. Pra, adhuroje drejtpërdrejt Atë, në Dorë të të Cilit është dobia e dëmi! Gjithçka në qiej e në Tokë e adhuron Zotin Fuqiplotë, madje edhe vetë hyjnitë e rrejshme që adhuroheshin pa meritë përveç Allahut, e adhuronin Atë dhe përpiqeshin të afroheshin tek Ai. I Larti thotë: “Thuaj: “Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjerë, siç thonë ata, atëherë ata do të kërkonin rrugë për të arritur te Zoti i Fronit"." (Kurani, 17:42)
Ai që e dëshiron të vërtetën, le të lexojë këtë fjalë të Fuqiplotit: “Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre. Asnjë ndërmjetësim tek Ai nuk bën dobi, përveçse për atë që Ai jep leje..." (Kurani, 34:22-23)
Këto citate kuranore përmbajnë katër qasje e realitete, të cilat i këpusin të gjitha lidhjet që bëhen me dikë tjetër përveç Zotit:
E para: Ata ortakë që i përshkruhen Zotit nuk zotërojnë asgjë, as diçka sa një thërrmijë, e dikush që nuk zotëron kurrgjë nuk mund ta ketë në posedimin e tij dobinë e dëmin, andaj edhe nuk është i denjë që të jetë hyjni ose ortak i Hyjnisë së Vërtetë, i Cili i zotëron të gjithë dhe i mbarështon si të dojë.
E dyta: Ata nuk i zotërojnë qiejt e Tokën dhe as nuk kanë qasje e pjesëmarrje në zotërimin e tyre.
E treta: Allahu nuk ka ndonjë ndihmëtar prej krijesave të Tij, përkundrazi Ai u ndihmon atyre në atë çfarë u bën dobi dhe ua largon dëmet, ngase Ai është i panevojë për ta, kurse ata doemos janë nevojtarë për Të.
E katërta: Ata ortakë që i përshkruhen Zotit nuk kanë mundësi të ndërmjetësojnë tek Allahu për ithtarët e tyre, madje as që u jepet leje për diçka të tillë, ngase i Madhërishmi u jep leje për ndërmjetësim vetëm robërve të Tij të denjë, kurse këta robër nuk ndërmjetësojnë për askënd tjetër përveç për ata, me fjalët, veprat dhe besimin e të cilëve është i kënaqur Zoti i Lartësuar.[8]
c. Sistemimi, rregullsia dhe funksionaliteti preciz i planetit tonë na tregon argumentin më të madh se kjo botë mbarështohet e udhëhiqet nga një Hyjni, Mbret, Zot, i Vetëm, pa ortak. Pra, krijesat nuk kanë tjetër hyjni e zot përveç Allahut. Ashtu siç nuk është e mundur që kjo gjithësi të ketë dy krijues, po ashtu është e pamundur që në këtë gjithësi dy hyjni të meritojnë adhurimin. I Madhërishmi thotë: “Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin." (Kurani, 21:22)
Nëse hipotetikisht mendohet se, përveç Allahut, mund të ekzistojë edhe një tjetër zot në qiell e Tokë, atëherë epilogu logjik i kësaj hipoteze është shkatërrimi i qiejve dhe Tokës. E, si ta kuptojmë këtë epilog?! Nëse do të ekzistonte edhe një tjetër hyjni me Allahun, atëherë i bie që secili prej tyre ka absolutizmin dhe kontrollin e vet, të cilat në situatë rivaliteti, shpien në mospajtim dhe përplasje, e që për pasojë do të ndodhte shkatërrimi.[9] E nëse një trup nuk mendohet dot që, duke i pasur dy shpirtra të njëjtë, mund të mbarështohet normalisht e të mos shkatërrohet e prishet, atëherë si mund të mendohet diçka e tillë për një kozmos të tërë, i cili është edhe më madhështor?![10]
d. Njëzëshmëria e profetëve dhe e të dërguarve.
Të gjithë popujt janë të një mendimi se njerëzit më mendjendritur, më shpirtmirë, më të ndershëm, më këshillëmirë, më udhëzues për te rruga e drejtë, e më të njoftuar se çka do Zoti janë profetët dhe të dërguarit e Allahut. E si të mos jetë kështu, kur këta profetë e pranojnë shpalljen nga Zoti dhe ua kumtojnë atë njerëzve?! Të gjithë profetët, që nga Ademi (paqja qoftë mbi të!) e deri tek i fundit, Muhamedi ﷺ e kanë të njëjtën fjalë që, të besohet vetëm Allahu, të braktiset adhurimi i çdokujt tjetër përveç Tij dhe të pranohet se vetëm Allahu është meritor për t'u adhuruar. I Madhërishmi thotë: “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S'ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!" (Kurani, 21:25)
Po ashtu, Allahu i Madhërishëm na tregon se çfarë u kishte thënë Nuhu (paqja qoftë mbi të!) popullit të tij: "...që të adhuroni vetëm Allahun. (Përndryshe), unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të dhembshme". (Kurani, 11:26)
Gjithashtu, Allahu i Lartmadhërishëm na njofton se çfarë u kishte thënë profeti i fundit, Muhamedi ﷺ popullit të tij: "Thuaj: “Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i vetëm; pra, a jeni muslimanë?" (Kurani, 21:108)
Është ky Zot që, prej asgjësë e shpiku gjithësinë dhe e solli në ekzistencë, e krijoi njeriun në formën më të bukur dhe e nderoi; në natyrën e tij e skaliti pranimin e hyjnores së Zotit dhe denjësisë së Tij për t'u adhuruar. Ky Zot e bëri shpirtin njerëzor që të mos prehet ndryshe vetëm se duke iu dorëzuar Krijuesit të tij, duke ndjekur udhën hyjnore dhe duke u lidhur me Të. E kjo lidhje nuk mund të realizohet ndryshe vetëm nëpërmjet rrugës së vërtetë - rrugës së kumtuar nga profetët. Ky Zot i dhuroi njeriut një mendje, e cila, pa besimin në Zotin Madhështor, nuk mund të jetë e drejtë dhe produktive. Andaj, kur natyra njerëzore drejtohet e shpirti fiton qetësinë dhe mendja beson, vetëm atëherë realizohet lumturia, siguria dhe rehatia në të dy botët. E nëse njeriu i refuzon këto, atëherë jeta e tij do të trazohet në luginat e dynjasë dhe do të hutohet te hyjnitë e ndryshme, nga ku do të jetojë me dilema se cili mund t'i sjellë dobi apo t'ia largojë ndonjë dëm. Me synim që besimi të thellohet në shpirt dhe të qartësohet shëmtia e mosbesimit, Allahu solli një shembull, e shembulli e përafron domethënien e një koncepti, në të cilin tregohet dallimi mes një individi, puna dhe adhurimi i të cilit janë të shpërndara nëpër hyjni të ndryshme, dhe një tjetri, i cili e adhuron vetëm Zotin e tij. I Lartmadhërishmii ka thënë: “Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?! Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë këtë!" (Kurani, 39:29)
Allahu na tregon në këtë shembull dallimin, në mes të një robi që e ka vetëm një pronar dhe atij robi që është në pronësinë e disa ortakëve, të cilët hahen e përplasen në mes vete për shkak të tij, e ky si rob e vlerë humane është i shpërndarë në mes tyre, ndaj prej çdonjërit merr urdhra e detyra, e për pasojë ai jeton i hutuar e pa stabilitet, si dhe nuk ka mundësi t'i kënaqë të gjithë ata në dëshirat dhe tekat e tyre të ndryshme e kontradiktore, të cilat e trullosin dhe e rraskapitin. E një rob që ka një zotëri e pronar, nga i cili merr urdhrat e ngarkesat, është rob i qetë dhe i qëndrueshëm në një rrugë të qartë. E këta dy robër nuk mund të jenë të njëjtë. Ky i nënshtrohet një pronari dhe si rrjedhim, stabiliteti, njohja e bindja i japin kënaqësi, ndryshe nga ai që ka disa pronarë, ai jeton nën persekutim e stres, ngase nuk ka një stabilitet dhe metodikë të njohur që e ndjekë, e për pasojë asnjërin nuk arrin ta bëjë të kënaqur, e lëre më të gjithë!
Pasi t'i sqarova disa argumente që flasin për ekzistencën, hyjnoren dhe denjësinë e Allahut për t'u adhuruar, është mirë të mësosh rreth krijimit të gjithësisë dhe njeriut, duke medituar dhe kërkuar urtësitë në të.
KRIJIMI I GJITHËSISË
Këtë gjithësi, me çdo gjë që gjendet në të: qiej, Tokë, yje, orbita, dete, pemë e kafshë e krijoi Zoti prej asgjëje. Fuqiploti ka thënë:
“Thuaj: “Vallë, a me të vërtetë ju e mohoni Atë, i cili e ka krijuar Tokën në dy ditë dhe sajoni zota të barabartë me Atë?!" Ai është Zoti i botëve! Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin. Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullie e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!". Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!" Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i caktoi detyrat e tij. Qiellin më të afërm Ne e zbukuruam me yje të shkëlqyer dhe i vumë roja. Ky është urdhri i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit." (Kurani, 41:9-12)
Po ashtu, i Lavdishmi ka thënë:
“A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?! Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit dhe bëmë lugina dhe rrugë për të udhëtuar në to." (Kurani, 21:30-32)
Këtë gjithësi e ka krijuar Zoti me aq shumë urtësi, sa nuk numëron dot. Urtësitë e thella dhe argumentet e mahnitshme janë të panumërta në çdo pjesë të kozmosit. Do të mjaftonte një shenjë të meditohej dhe të përfundosh përplot habi. Ja, shiko krijimtarinë e mahnitshme të Zotit te bimët; s'ka gjeth, rrënjë apo fryt, veçse e lë njeriun gojëhapur. E mendja njerëzore s'i kap dot të gjitha dobitë e hollësirat e tyre. Shiko te rrjedhat e ujit ndër rrënjët e holla e të dobëta, të cilat gati sa nuk duken fare përveçse me një vështrim me ngulm, po si vallë e përthithin ujin prej poshtë lart, e pastaj ai ujë shpërndahet me masë të duhur nëpër rrënjë, që tutje të çahet, rritet e degëzohet ajo bimë. Po shiko edhe se si prej një sythi shartohen pemët, e pastaj kalojnë në gjendje të ndryshme, po sikurse fetusi, aty ku ne nuk e shohim. Shiko drurin e zhveshur, sesi Zoti dhe Krijuesi i saj i jep veshjen dhe bukurinë mahnitëse nëpërmjet gjetheve, të cilat pastaj bëhen mbulojë për të dhe frutat e saj, për ta ruajtur gjatë periudhës së pjellshmërisë prej të ftohtit, të nxehtit dhe sëmundjeve, e pastaj, ky Zot i furnizon ato fryte e rrënjë me furnizimin e duhur, me të cilin ato ushqehen, njëlloj siç ushqehet foshnja me qumështin e nënës së saj, e pastaj Zoti i pemës e mbarështon dhe e zhvillon atë, e kur ajo të drejtohet e të përfundojë procesi i saj i nxjerr të vegjlit e saj, ato fruta të këndshme e të buta, nga trupi i saj i vrazhdë e i fortë.
E ti nëse e vrojton Tokën se si është krijuar, do të kuptosh se ajo është argumenti më i madh që dëshmon për Krijuesin dhe Shpikësin e saj. E krijoi të sheshtë, e bëri shtrat dhe e nënshtroi për robërit e Tij. Nga aty dalin furnizimet dhe ushqimet e tyre. Aty bëri rrugë, që ata nëpër to të kalojnë për nevojat dhe lëvizjet që kanë. E forcoi Tokën me kodra e male, që të shërbejnë si shtylla, që ajo të mos lëvizë e të mos lëkundet. Hapësirën e saj e bëri të gjerë, e rrafshoi dhe e bëri të mjaftueshme për njerëzit, qoftë kur janë të gjallë mbi Tokë apo kur të vdesin, duke i përfshirë ajo në brendësinë e vet. Pra, sipërfaqja e saj është vendbanimi i të gjallëve, kurse brendësia e saj për të vdekurit. Pastaj shiko hapësirat qiellore, me çka ka në to: diell, hënë, yje e galaktika dhe vrojto se si ndodh rrotullimi i sistemuar dhe si ndryshojnë ditët, netët, stinët, nxehtësia e ftohtësia dhe se si krijesat e këtij planeti përfitojnë nga i gjithë ky funksionalitet preciz.
Pastaj, medito në krijimin e qiellit dhe vështroje atë herë pas here. Qielli, me gjerësinë, lartësinë dhe stabilitetin e tij, është prej argumenteve më madhështore. Nën të nuk ka ndonjë shtyllë, sikurse as mbi të s'ka ndonjë lidhëse, mirëpo ajo qëndron dhe rri me fuqinë e Zotit, i Cili i mban qiejt e Tokën që të mos bien.
E pas një vrojtimi rreth gjithësisë, do të shohësh se si pjesët e saj janë të unifikuara për bukuri, e të sistemuara mahnitshëm. E kjo të tregon për fuqinë absolute, përsosurinë e diturisë dhe përkryeshmërinë e urtësisë që ka Krijuesi i saj. Kozmosi i ngjan një shtëpie të ndërtuar e të kompletuar, ku qielli është kulmi i saj e Toka shtrat e vend i sheshtë e stabil për qëndrim, kurse Dielli e Hëna janë sikurse dy fenerë që ndriçojnë, ndërsa yjet si llamba, bukuria e të cilëve shërben edhe si tregues i shtegtarit, ndërkaq perlat dhe mineralet e deponuara në tokë po sikur zahiretë e tëmotjet. Çdo gjë është në vendin e duhur. Bimët shfrytëzohen për çfarë na duhen e kafshët për interesa të ndryshme, disa për ngarkim e transport, disa për mjelje, disa për ushqim, prej disave marrim edhe rrobat e disa na bëjnë roje. E këtu njeriut iu dha detyra e mbretit, që të mbarështojë me veprat dhe urdhrat e tij.
Nëse mediton thellë në këtë gjithësi, qoftë si tërësi apo në ndonjë pjesë të saj, do të përfundosh plot e përplot me habi. E sikur të ndalesh pak për një shqyrtim të thellë, të bëhesh objektiv dhe të flakësh robërinë e epshit dhe pasimit qorrazi, do të arrish te një bindje e palëkundshme se kjo gjithësi është e krijuar, gjegjësisht e ka krijuar një i Urtë, i Fuqishëm e Gjithëdijshëm, i cili e ka formësuar në formën më të mirë dhe e ka sistemuar në sistemin më të përkryer. Po ashtu, do të bindesh se ekzistenca e dy krijuesve është e pamundshme, ngase është vetëm një Zot, e s'ka tjetër përveç Tij, e sikur të kishte në qiej e në Tokë ndonjë zot tjetër përveç Allahut, ato do të shkatërroheshin, do të prishej sistemi i tyre dhe do të dilnin jashtë shërbimit.
E nëse ke ngulur këmbë që krijimin të mos ia përshkruash Krijuesit, atëherë çfarë më thua për rrotën hidraulike e cila në një lumë është instaluar e aktivizuar me përpikëri, me aparaturë e teknikë të veçantë, ku nuk sheh ndonjë mangësi a defekt, qoftë në vetë lëndën e pajisjes apo në pamjen e saj dhe prej aty është vënë në punë t'i ujisë pemët e një kopshti të madh, ku ekziston një përkujdesje e interesim i veçantë për ato pemë, frutat e të cilave vilen me kohë dhe ku çdo lloj shpërndahet sipas nevojës e kërkesës...
A mund të jetë ky proces e mekanizëm në atë vend i rastësishëm, pa ndonjë prodhues, përzgjedhësh e kontrollues?!
“Tërë ato, si rrota hidraulike, po edhe kopshti, janë gjendur aty aksidentalisht, pa ndonjë ndërhyrje dhe kontroll të dikujt!" – E sheh ç'të thotë mendja?!
Çfarë përgjigje të jep ajo për këtë?!
Çka të jep të kuptosh e tërë kjo?![11]
URTËSIA NGA KJO
Pas këtij reflektimi e vrojtimi rreth universit, tani është e udhës të flasim rreth urtësive për të cilat Zoti i solli në ekzistencë këto krijesa madhështore e shenja mahnitëse. Prej tyre:
1. T'i nënshtrojë ato për njeriun
Pasi që Allahu e vendosi të krijojë në Tokë një mëkëmbës, i cili aty do ta adhurojë Atë, kurse Tokën do ta gjallërojë, Ai i krijoi e gatoi të gjitha këto për të, që jeta dhe gjallëria e tij të jenë sa më në terezi. I Lartësuari thotë:
“Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij." (Kurani, 45:13)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t'i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës." (Kurani, 14:32-34)
2. Të jenë qiejt, Toka dhe krijesat e tjera në gjithësi argumente që flasin për hyjnoren dhe njëshmërinë e Tij
Pasi që pranimi i hyjnores dhe njëshmërisë së Tij është çështja më madhështore në këtë ekzistencë, Ai për këtë çështje i solli argumentet më madhështore dhe dëshmitë më të forta. I Madhërishmi i bëri qiejt, Tokën e krijesat e tjera të dëshmojnë për këtë të vërtetë të madhe. Andaj, në Kuran na përsëritet ky tog fjalësh:
"...dhe prej shenjave (argumenteve) të Tij...", siç qëndron në citatet në vijim:
“Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës". (Kurani, 30:22)
“Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën." (Kurani, 30:23)
“Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë." (Kurani, 30:24)
“Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij." (Kurani, 30:25)
3. Të dëshmojnë për jetën pas ringjalljes
Ekzistojnë dy jetë, kjo e kësaj bote dhe ajo e botës së mëtejme, kurse kjo e fundit është pikërisht jeta e vërtetë, për të cilën Zoti i Lartësuar thotë:
“Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!" (Kurani, 29:64)
Kjo, ngase ajo botë është vendi i shpërblimeve dhe llogarisë, si dhe është vendi i amshueshmërisë, qoftë për ata që do të kënaqen e lumturohen apo për ata që do të dënohen.
E përderisa njeriu nuk arrin në atë botë ndryshe përveçse kur të vdesë e të ringjallet, disa njerëz, gjegjësisht ata të cilët e kanë shkëputur lidhjen me Zotin e tyre, e që e kanë prishur origjinalitetin e natyrës së tyre njerëzore dhe kanë flakur racionalen, e mohuan ringjalljen dhe jetën e mëtejme. E për këtë Zoti i Madhërishëm i solli tërë këto argumente e dëshmi, në mënyrë që shpirtrat dhe zemrat të besojnë e të binden në ringjalljen, ngase rikthimi i krijimit është edhe më i lehtë sesa krijimi dhe shpikja e tij për herë të parë, e madje vetë krijimi dhe shpikja e qiejve dhe e Tokës është më madhështore sesa rikthimi i njeriut. I Lartësuari ka thënë:
“Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë." (Kurani, 30:27)
Po ashtu, thotë:
“Krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve..." (Kurani, 40:57)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur pa shtylla, të cilat mund t'i shihnit, e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar. Ai i drejton të gjitha çështjet dhe i shpjegon në hollësi shpalljet, me qëllim që ju të bindeni se do të takoheni me Zotin tuaj. " (Kurani, 13:2)
Atëherë, o njeri, e tërë kjo gjithësi t'u paska nënshtruar ty dhe të gjitha këto argumente, shenja e dëshmi përpara syve të tu, dëshmojnë se s'ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Cili nuk ka ortak. A e kuptove pra se ringjallja dhe jeta jote pas vdekjes është çështje edhe më e lehtë sesa krijimi i qiejve e Tokës dhe se ti do ta takosh Zotin tënd, i Cili ka për të të marrë në llogari për punët e tua? A e kuptove se ky kozmos është një rob i bindur i Zotit të vet, kurse këto krijesa përreth nesh, që të gjitha e madhërojnë dhe e lavdërojnë Atë. I Larti thotë:
“Allahun e përlëvdon gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë." (Kurani, 62:1)
Për Madhërinë e Tij bien në sexhde dhe i përulen Atij. I Madhërishmi thotë:
“A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (muslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin." (Kurani, 22:18)
E, madje këto qenie e krijesa, e kanë edhe namazin e tyre që e bëjnë në formën e përshtatshme për Zotin e Madhërishëm, i Cili thotë:
“A nuk e vëren ti se Allahun e lavdëron çdo krijesë që ndodhet në qiej dhe në Tokë, madje edhe shpezët krahëhapur?! Çdokush e di se si t'i falet e ta lavdërojë." (Kurani, 24:41)
Madje edhe vetë trupi yt i vogël funksionon sistematikisht sipas parapërcaktimit dhe mbarështimit të Zotit. Zemra, mushkëritë, mëlçia e organet e tjera, të gjitha i janë nënshtruar Zotit të tyre, i Cili i kontrollon dhe i vë ato në lëvizje. A duhet atëherë që përzgjedhja jote vullnetare, me të cilën mund të bëhesh besimtar ose mohues i Zotit tënd, të jetë një përzgjedhje irracionale dhe e parregullt, e dalë nga ky sistem i bekuar që gjendet në gjithësi përreth teje, madje edhe në vetë trupin tënd?!
Njeriu me mendje të shëndoshë nuk pranon për vete që në këtë gjithësi të madhe e të gjerë, të jetë jashtë normales e të natyrshmes.
KRIJIMI DHE NDERIMI I NJERIUT
Zoti vendosi të krijojë një krijesë të denjë për banimin dhe gjallërimin e gjithësisë, e ajo ishte njeriu. Me urtësinë e Tij bëri që burimi i substancës së kësaj krijese, të jetë nga Toka, andaj e filloi krijimin prej dheut dhe i dha njeriut këtë pamje të bukur që ka. Pasi ai e mori formën e duhur, Zoti i dha shpirt, e pastaj u bë një krijesë e përsosur: dëgjon, sheh, lëviz e flet. Për vendbanim i dha atij parajsën dhe ia mësoi çdo gjë që i duhej. Gjithçka në parajsë ishte e lejuar për të, përveç një peme, të cilën ia ndaloi për ta sprovuar. Zoti deshi ta nxirrte në shesh se çfarë pozite ka kjo krijesë, andaj i urdhëroi engjëjt t'i binin në sexhde atij. Të gjithë ranë në sexhde, përveç Iblisit, i cili refuzoi diçka të tillë, për shkak të inatit e kryelartësisë. Zoti u hidhërua me të, për shkak se ai nuk iu bind urdhrit të Tij. E meqë ai shfaqi mendjemadhësi, Zoti e përzuri atë nga mëshira e Vet. Iblisi kërkoi nga Zoti t'i jepte jetë të gjatë e afat deri në Ditën e Gjykimit. Zoti i dha atë çfarë kërkoi. Iblisi ia kishte zili Ademit, ngase Ademi dhe bijtë e tij u vlerësuan më shumë se ai. Ai u betua në Zotin e Madh se ka për t'i devijuar që të gjithë bijtë e Ademit, e për këtë qëllim do t'u shkojë atyre nga çdo anë e kah, në përjashtim të robërve të sinqertë, të vërtetë e të devotshëm të Allahut. Është Zoti Ai i Cili i ruan këta robër nga kurthet dhe mashtrimet e djallit. Allahu ia tërhoqi vërejtjen Ademit që të ruhet nga kurthet e djallit. Djalli u erdhi Ademit dhe Havasë dhe filloi t'u pëshpëriste, me synim që t'i nxjerrë nga parajsa e t'i zhveshë. Gjatë kësaj pëshpëritjeje ai iu betua se është vetëm një këshillues. Ai u tha se Zoti ua ka ndaluar atë pemë ngase nëpërmjet saj bëheni engjëj ose të përhershëm.
Ata hëngrën nga ajo pemë e ndaluar e për pasojë dënimi i parë që u erdhi ishte zbulimi i pjesëve të turpshme të trupit. Aty iu kujtua paralajmërimi i Zotit, i Cili ua tërhoqi vërejtjen që të mos bien në kurthet e djallit. Ademi u pendua dhe i kërkoi falje Zotit. Ai ia pranoi pendimin, e fali, e përzgjodhi dhe e udhëzoi. E urdhëroi të zbresë nga parajsa ku banonte, që të shkojë në Tokë, ku do të qëndrojë për një kohë të caktuar. E njoftoi se prej saj e ka krijuar, aty do të jetojë e do të vdesë dhe prej aty do të ringjallet.
Ademi, bashkë me Havanë, zbritën në Tokë, aty u shumuan e u trashëguan. E adhuronin Allahun siç Ai i urdhëronte. Ademi ishte një profet i Tij.
Këtë rrëfim na e ka treguar Zoti në Kuran. Ai thotë:
“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve: “Përuljuni në sexhde Ademit!" – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?" Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta". Allahu i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve". Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!" Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati". Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t'u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t'u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!" Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje!" Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç'të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!" Djalli u pëshpëriti, për t'ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm." Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!" Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?" Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit". Allahu tha: “Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar. Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni." (Kurani, 7:11-25)
Reflekto rreth krijimtarisë së Allahut në krijesën njeri, të cilën e bëri në formën më të bukur, duke ia dhënë stolitë e vlerës dhe nderit, siç janë: mendja, dituria, gojëtaria, shqiptimi, figura e bukur, forma e përshtatshme, trupi i ekuilibruar, si dhe aftësia e përfitimit të diturive nëpërmjet logjikimit e mendimit, po edhe mundësia e përvetësimit të vlerave të larta, siç janë: mirësia, respektimi e bindja për Allahun! Sa shumë që dallon gjendja e kësaj krijese në fillet e saj kur ishte vetëm një pikël e ruajtur në mitër nga gjendja e saj kur do të vizitohet nga engjëlli në parajsë?!
“Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!" (Kurani, 23:14)
Pra, kjo botë është thjesht një fshat, banori i të cilit është njeriu, për të cilin gjithçka përreth tij janë vënë në shërbim e angazhim. Disa engjëj e kanë për detyrë ta ruajnë atë përgjatë natës e ditës, e disa të tjerë janë të angazhuar rreth shiut dhe bimëve, që kësaj krijese të çmuar t'i vijë furnizimi. E hapësirat qiellore funksionojnë sipas asaj që është në interes të njeriut, po edhe Dielli, Hëna e yjet janë sistemuar dhe vënë në qarkullim sipas asaj që i konvenon njeriut. Zona ajrore, me erën, retë e shpendët, tërësisht është në favor të tij, sikurse edhe zona e poshtme, e tëra është në të mirën e tij: toka, kodrat, detet, lumenjtë, pemët, frutat, bimët, kafshët, e çdo gjë që ka aty, siç ka thënë i Madhërishmi:
“Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t'i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës." (Kurani, 14:32-34)[12]
Ky nderim për njeriun kulmoi atëherë kur përveç që iu dha gjithçka që i duhet në këtë jetë, njashtu iu ofrua gjithçka që e gradon dhe e lartëson atë në botën tjetër, kështu iu shpallën libra e iu dërguan profetë, që t'ia mësojnë fenë e Allahut e ta thërrasin për te Ai.
Pastaj i krijoi atij bashkëshorten, që me të, ai t'i përmbushë disa nevoja shpirtërore, mendore, e fizike. Tek ajo, ai e gjen prehjen, rehatinë e stabilitetin. E kur janë bashkë, të dy pushojnë, përmbushen, e ndiejnë dashurinë dhe mëshirën, ngase sistemi i tyre shpirtëror, nervor e fizik e kërkon njëri-tjetrin për t'u përmbushur e prehur. Bashkimi i tyre rezulton me breza të rinj; e çifti në shpirtrat e tyre, këto ndjenja për njëri-tjetrin i kanë të ngulitura fort. Lidhja e tyre tek të dytë përkthehet si qetësi për shpirtin, nervat, trupin e zemrën, po edhe stabilitet për jetën dhe gjallërinë, si dhe shoqëri e këndshme për shpirtin.
Kurse besimtarët i përzgjodhi ndër këta njerëz, që të jenë t denjë për miqësinë e Tij dhe i angazhoi në adhurimin e Tij, sipas fesë që ua ka shpallur, që, në parajsë, ta meritojnë fqinjësinë e Zotit të tyre.
Ndër këta besimtarë, i përzgjodhi profetët, dëshmorët e të devotshmit dhe ua dha atyre dhuratën më madhështore, me të cilën shpirtrat e arrijnë kulmin e kënaqësisë, e cila është:
Adhurimi, respektimi dhe komunikimi me Zotin. I veçoi me mirësi që s'i ka kush përpos tyre, prehje e lumturi, po dhe diçka edhe më të madhe: njohjen dhe besimin e së vërtetës, me të cilën erdhën profetët. Ndërsa për botën tjetër, Zoti me bujarinë e Tij, ua ka bërë gati mirësitë e përhershme dhe fitoren madhështore. E atyre u mjafton për kënaqësi besimi në Zotin dhe dëlirësimi i zemrës për Të.
POZITA E FEMRËS
Në Islam femra gëzon një pozitë të lartë, të cilën s'e ka arritur kurrë te ndonjë fe tjetër. Parimisht, nderimi që Zoti i bëri njeriut vlen për të dy gjinitë, të cilat përballë dispozitave të Zotit në këtë botë, janë të njëjtë, sikurse edhe në botën tjetër, gjatë shpërblimeve, ata do të trajtohen në mënyrë të njëjtë. I Larti ka thënë:
“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit..." (Kurani, 17:70)
Po ashtu, i Madhërishmi tha:
“Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit..." (Kurani, 4:7)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë,..." (Kurani, 2:228)
Gjithashtu, Allahu i Madhërishëm thotë:
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin." (Kurani, 9:71)
Po ashtu, thotë:
“Zoti yt ka urdhëruar të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!", mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!" (Kurani, 17:23-24)
Po ashtu, thotë:
“Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t'ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër." (Kurani, 3:195)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të mirë dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (Kurani, 16:97)
I Madhërishmi thotë:
“Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t'i bëhet asnjë padrejtësi." (Kurani, 4:124)
Këtë nderim e respekt që e gëzon femra në Islam, s'e gjen dot gjetkë, në asnjë fe, popull e kushtetutë. Për shembull, në civilizimin romak, femra ishte skllave e mashkullit, andaj ajo nuk kishte kurrfarë të drejte. Pikërisht në Romë asobote qe organizuar një asamble e madhe, që të diskutonin rreth femrës. Nga ai takim ata dolën në përfundim se femra është qenie pa shpirt, ndaj edhe nuk do të ketë jetë të amshueshme, si dhe është e pistë.
Kurse në Athinë ajo llogaritej si gjësend i pavlerë, e madje edhe shitej e blihej nëpër tregje, sikurse konsiderohej edhe pisllëk dhe punë djalli.
Ndërsa fetë e vjetra hinduse kishin konkluduar se:
Epidemia, vdekja, ferri, helmi i gjarprit dhe zjarri, të gjitha këto janë më të mira se femra. E drejta e saj për të jetuar ishte e ndërlidhur me jetëgjatësinë e burrit të saj, i cili ishte zotëria i saj. Kur ai të vdiste dhe kur kufoma t'i digjej, ajo duhej të hidhej në të njëjtin zjarr që të digjej me të, përndryshe mbi të lëshohej mallkimi.
Kurse mënyra e trajtimit të femrës në hebreizëm tregohet në “Dhiatën e Vjetër", ku thuhet, citoj:
“ﷻ përvesha edhe një herë me gjithë shpirt për të njohur gjithçka, për ta shqyrtuar e kërkuar urtinë e pse-në, për të njohur se paudhësia është marrëzi, gabim dhe paurti. Gjej se më e hidhur se vdekja është gruaja: është lak gjuetarësh, zemra e saj është rrjetë e duart e saj zinxhirë. (Dhiata e vjetër, Predikuesi, 7:24-25)[13]
Kjo është femra gjatë kohëve të lashta, e si ishte në mesjetë dhe si është ajo sot në kohën moderne, le të shqyrtojmë shpjegimet në vijim.
Autori danez Wieth Kordsten, duke e shpjeguar qëndrimin e kishës katolike kundrejt femrës, thotë:
“Gjatë mesjetës, përkujdesja dhe interesimi për femrën evropiane ishin tejet të limituara, si pasojë e doktrinës katolike, e cila e numëronte atë si krijesë të shkallës së dytë. Ndërkaq në Francë, në vitin 586, qe organizuar një konferencë ku si temë trajtimi ishte, a duhet konsideruar femra si qenie njerëzore apo jo?!
Pas debatit, asamblistët erdhën në përfundim se ajo është njeri, mirëpo e krijuar që t'i shërbejë burrit. Kushtetuta franceze, në nenin 217, thotë:
“Gruaja e martuar, edhe nëse është në lidhje martesore ku secili partner e ka pasurinë e vet të mëvetësishme, asaj nuk i lejohet që, diçka nga pasuria e saj ta dhurojë, ta transferojë në pronësinë e dikujt tjetër apo ta lërë në hipotekë, qoftë me apo pa kompensim e pagesë, përveçse me pjesëmarrje të bashkëshortit të saj në kontratë ose me aprovim të shkruar prej tij!"
Në Angli, Henri VIII i Anglisë, ua kishte ndaluar gjinisë femërore leximin e Librit të Shenjtë. Ajo, deri në vitin 1850, nuk numërohej si banore e qytetare, kurse deri në 1882, ajo nuk kishte të drejta personale.[14]
Kurse sa i përket femrës moderne në Evropë e Amerikë, po edhe në vendet e tjera industriale, ajo trajtohet si një krijesë e rëndomtë, që mund të shfrytëzohet edhe për qëllime komerciale, ku detyra e saj është të bëjë reklamën. Madje nënçmimi i saj ka mbërritur deri aty, saqë e zhveshin tërësisht nga rrobat dhe në trupin e saj rendisin artikujt komercialë që duan t'i reklamojnë. E pra, kështu realizohet cenimi dhe përdhosja e trupit dhe nderit të saj nën hijen e atyre ligjeve, të cilat janë sajuar nga ata meshkuj, dëshira e të cilëve është femra të jetë gjithkah një burim kënaqësish për ta.
Ata interesohen për të vetëm atëherë kur ajo ka mundësi të japë e kontribuojë me dorën, mendjen dhe trupin e saj. E kur të plaket dhe t'i humbë aftësitë e mëparshme, që të gjithë heqin dorë nga ajo, si shoqëria, po edhe institucionet, e për pasojë, ajo jeton e vetmuar në shtëpinë e saj apo në ndonjë sanatorium psikik.
Krahasoji këto realitete, që realisht assesi nuk barazohen, me ato që janë përmendur në Kuran:
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin." (Kurani, 9:71)
Gjithashtu, fjala e Tij:
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë,..." (Kurani, 2:228)
Po ashtu, fjala tjetër e Tij:
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!", mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!" (Kurani, 17:23-24)
Pasi Zoti i saj e nderoi dhe i dha pozitën e duhur, i tregoi mbarë njerëzimit se e ka krijuar atë të jetë nënë, bashkëshorte, vajzë e motër. Gjithashtu, për të specifikoi disa ligje, rregulla e parime fetare, të cilat nuk i përfshijnë meshkujt.
URTËSIA E KRIJIMIT TË NJERIUT
Në krijimin e njeriut ka urtësi të shumta, të cilat mendja nuk arrin dot t'i kapë të gjitha, e gjuha s'mund t'i përshkruajë ato denjësisht, mirëpo do t'i paraqes disa prej tyre:
a. I Madhërishmi ka emra të bukur, siç janë: Falës, Mëshirues e i Butë... E për të shfaqur ndikimin e këtyre emrave, Ai, me urtësinë e Vet, e solli Ademin dhe bijtë e tij në një vend, ku do të dukeshin gjurmët e emrave të Tij të bukur. Aty e fal, e mëshiron dhe e trajton butësisht kë të dojë e kështu me radhë.
b. Ai, lavdëruar qoftë, është Mbreti e i Vërteti. Mbret është ai që urdhëron, ndalon, shpërblen, dënon, përçmon, nderon, lartëson, e poshtëron. Andaj, Ai, me urtësinë e Tij, e solli Ademin dhe bijtë e tij në një vend, ku do të manifestonte dispozitat dhe karakteristikat e mbretërisë e të sundimit, e prej aty më pastaj do t'i transferojë në një botë tjetër, ku do t'i shpërblejë për veprat e tyre.
c. Ai, madhëruar qoftë, deshi të ketë profetë, robër të vërtetë e dëshmorë, t'i dojë ata dhe ata ta duan Atë. Ai i la ata me armiqtë e Tij, që t'i vërë në sprovë e kur ata i dhanë përparësi Zotit para gjithçkaje tjetër dhe i bënë shpirtrat dhe pasuritë e tyre fli për kënaqësinë dhe dashurinë e Tij, e arritën dashurinë, kënaqësinë dhe afërsinë e Tij. Shkallët e profetësisë e të shehidllëkut janë gradat më me vlerë te Allahu, e si do të arriheshin ato ndryshe, përveçse në këtë formë që e ka përcaktuar Allahu, duke e zbritur Ademin dhe bijtë e tij në Tokë.
d. Allahu e krijoi Ademin dhe bijtë e tij me një kombinim, ku përveç shtysës së brendshme për të bërë mirë, ekziston edhe ajo që e nxit atë për të bërë keq. Prirjet e njeriut janë dytrajtëshe, njëra anë shkon nga epshet dhe trazimet, kurse tjetra drejt logjikës dhe diturisë. Ai e krijoi logjikën dhe epshin, po edhe i sistemoi ato për të qenë funksionale. Kjo, me dëshirë që robërve të Tij t'ua shfaqë madhështinë që e ka në urtësinë dhe forcën e Tij, po edhe mirësinë, butësinë e mëshirën që e ka në pushtetin dhe sundimin e Tij. Andaj Ai, me urtësinë e Tij, e zbriti Ademin dhe bijtë e tij në Tokë, që ata t'i sprovojë dhe t'u japë mundësinë për ta treguar gatishmërinë e tyre kundrejt këtyre prirjeve e sipas tyre t'i nderojë ose t'i përçmojë.
e. Zoti e solli njeriun në ekzistencë, që ai ta adhurojë Atë. Në të vërtetë, ky është qëllimi final i krijimit të tij. I Lartësuari thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë." (Kurani, 51:56)
Është e ditur mirëfilli se robëria e plotë, të cilën Zoti ia kërkon krijesave, nuk mund të jetësohet në botën e kënaqësive e të amshimit, por në botën e sprovave e belave, ngase bota e amshueshme është vend i lezeteve dhe kënaqësive, nuk është vend i testimit dhe obligimeve.
f. Të besosh në të fshehtën, pikërisht ky është besimi i dobishëm, ngase besimi në atë që shihet është diçka që do të realizohet nga të gjithë në Ditën e Llogarisë. E sikur njerëzit të liheshin në botën e kënaqësisë, ata nuk do ta arrinin gradën e besimit në të fshehtën, për të cilin njeriu fiton kënaqësi dhe nderim madhështor. Për këtë arsye Zoti i zbriti në Tokë, që aty t'u jepet mundësia e manifestimit të besimit në të fshehtën e të padukshmen.
g. Kur Allahu e krijoi Ademin, mori dhé nga e gjithë Toka, kurse Toka përmban lloje të ndryshme të dheut: të mirë e të keq, të vrazhdë e të butë. Kështu pra, Zoti e kishte në dijeninë e Tij absolute se bijtë e Ademit do të ishin të ndryshëm, të mirë e të këqij, andaj i nxori ata në një vend, prej ku do të bëhet ndarja e tyre për në dy caqe dhe vendbanime të ndryshme. Të mirët i përzgjodhi për fqinjësinë e Tij, kurse të këqijve ua bëri gati vendin e mjerimit.
h. Allahu deshi t'i njoftojë robërit e Tij të begatuar sesa të përkryera e me vlerë janë begatitë që Ai ua ka dhënë. Si rrjedhim, dashuria dhe falënderimi për Të të jenë edhe më të mëdha, sikurse edhe përjetimi i të mirave, të jetë edhe më i thellë. Andaj, ua mundësoi të shohin se çfarë dënime u ka gatitur armiqve të Tij e si rrjedhojë atyre t'u shtohet gëzimi e lumturia kur të kujtojnë se ata nuk janë të privuar nga e mira. Për t'u realizuar kjo, gjithsesi duhej që njeriu të zbritej në Tokë, e aty të vihej në sprovë, pikërisht aty ku dikush ia del mbanë me mirësinë dhe mëshirën e Allahut e disa të tjerë me drejtësinë dhe urtësinë Tij përfundojnë në humbje e dështim. Ai është i Gjithëdijshëm e i Urtë!
i. Allahu dëshiroi që Ademi e bijtë e tij të ktheheshin në parajsë, mirëpo duke qenë në gjendjen më të mirë, andaj përpara se të ktheheshin u dërgoi diçka nga vështirësitë, hallet e brengat e jetës së kësaj bote, që më pastaj tek ata, kthimi dhe hyrja në parajsë të jetë edhe më madhështore. E pra, e kundërta e diçkaje flet për bukurinë e saj![15]
Meqë të tregova rreth fillit të njeriut, tani dua të të flas për nevojën që ka ai për fenë e vërtetë!
NEVOJA E NJERËZIMIT PËR FENË
Nevoja e tyre për fenë është më e madhe se cilado nevojë tjetër. Njeriu duhet të jetë në dijeni se çka e kënaq dhe çka e hidhëron Zotin e tij, po edhe si arrihet e mira, e si shmanget e keqja. Është feja ajo që e qartëson të dobishmen, e të dëmshmen; e pa dyshim feja është drejtësia dhe drita e Zotit për krijesat e Tij. Andaj, njerëzimi nuk mund të jetojë pa fe! Ajo i mëson se çfarë duhet bërë, e çfarë duhet lënë.
Përderisa njeriu ka vullnet e dëshira, ai patjetër duhet të dijë se, ajo çfarë dëshiron të bëjë, a është e dobishme apo e dëmshme?! Është në favorin e tij apo e shkatërron?! Dikush këtë e kupton nëpërmjet natyrës njerëzore, e dikush në saje të vrojtimit logjik, ndërsa një pjesë tjetër, si rrugë të njohjes, i kanë mësimet, shpjegimet dhe udhëzimet e profetëve.[16]
Sado që të proklamohen e të zbukurohen rrejshëm doktrinat materialiste e ateiste e të na sillen vërdallë me teori e hipoteza të ndryshme, ato kurrë nuk arrijnë të përmbushin nevojën që individët dhe shoqëritë kanë për fenë e vërtetë. Ata s'kanë mundësi t'u përgjigjen kërkesave të shpirtit e trupit, madje, çdokush që thellohet në ato teori, bindet se aty nuk fitohet qetësia, siguria dhe shuarja e etjes. Andaj, nuk ka tjetër rrugëdalje përveç fesë së vërtetë. Ernest Rinani thotë: “Çdo gjë që e duam mund të marrë fund. Madje, edhe liria për të përdorur mendjen, diturinë e mjeshtëritë mund të tretet. Ndryshe nga fetaria! Është e pamundur që ajo të shuhet. Madje, ajo do të jetë gjithnjë një argument i gjallë që tregon kotësinë e ideologjisë materialiste, e cila mëtonte ta kufizonte njeriun në ngushtica të ulëta të kësaj jete!"[17]
Muhamed Ferid Uexhdi thotë: “Nuk është e mundur që mendimi dhe praktika fetare të shuhen, ngase bëhet fjalë për prirjen më të lartë të shpirtit e të avancimit njerëzor, po edhe për ndjenjën më sublime. Ai nuk do të ndalet së ecuri përpara dhe natyra fetare do ta përcjellë njeriun për sa kohë që ky logjikon rreth bukurisë e shëmtisë, nga ku edhe, varësisht zhvillimit të tij logjik e intelektual, kjo natyrë vetëm shkon duke u ngritur e përparuar."[18]
Kur njeriu të largohet nga Zoti i tij, varësisht forcës perceptuese dhe horizonteve intelektuale që ka, ai do të kuptojë trashësinë e injorancës së tij. Ai nuk do ta njohë Zotin e vet dhe obligimet që ka ndaj Tij; kështu tutje, nuk e njeh vetveten, se çfarë është në dobi të tij, e çka jo, çka e lumturon, e çka e mjeron; nuk i njeh konceptet dhe komponentët e diturive, si ato të shkencave të astronomisë, galaktikave, llogaritjeve dhe bërthamave e kështu me radhë. Pas kësaj, bota duhet të kthehet sërish aty ku ishte, duke lënë mashtrimin dhe kryelartësinë e duke iu qasur modestisë e dorëzimit për të besuar se të gjitha këto dituri e kanë një të Urtë e të Gjithëdijshëm dhe për të pranuar se kjo natyrë ka një Krijues Fuqiplotë. Ky realitet e detyron kërkuesin objektiv të besojë në të fshehtën dhe t'i dorëzohet fesë së drejtë, duke iu përgjigjur thirrjes së brendshme që e nxjerr natyra e vet e pastër njerëzore. E kur sërish ai ngulmon që të mos kthehet tek e vërteta, atëherë natyra e tij edhe më shumë thyhet e gjymtohet, nga ku ai përfundon në një nivel të atillë, sikur ajo e trashësisë së kafshës.
Le të themi përmbledhtas se fetaria e vërtetë, dy themelet e së cilës janë: njësimi i Zotit në hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t'u adhuruar dhe adhurimi i Tij sipas asaj që Ai e ka shpallur, është një substancë e pazëvendësueshme e jetës. Nëpërmjet saj ai arrin ta realizojë robërinë e tij kundrejt Zotit të botëve dhe ta fitojë lumturinë, po edhe të shpëtojë nga qederet, vuajtjet dhe mjerimet në të dy botët. Po ashtu, ajo është thelbësore për perfeksionimin e aftësisë teorike që ka njeriu, ngase vetëm nëpërmjet fesë, etja e uria intelektuale mund të ngopet, kurse pa të përpjekjet e saj të larta shkojnë kot.
Fetaria është e domosdoshme në rrugën drejt fisnikërimit të shpirtit dhe gdhendjes së ndjesisë e ndërgjegjes, ngase ndjenjat e pushtuara nga vlerat, përmes së cilave i realizojnë aspiratat që kanë, e gjejnë hapësirën e gjerë dhe burimin e pashtershëm vetëm te feja.
Ajo është bërthama e perfeksionimit të vullnetit, i cili mund t'i përvetësojë prirjet dhe vetitë më të vlefshme dhe të shndërrohet në forcë e çeliktë që sfidon çdo depresion e dëshpërim vetëm nëpërmjet fesë së vërtetë.
E nëse dikush na thotë se: “Njeriu në natyrën e tij është thjesht një civil – pa anim!", atij i themi: “Njeriu në natyrën e tij është fetar!"[19]
Njeriu ka dy fuqi: Fuqinë e diturive teorike dhe fuqinë e praktikës vullnetare. Prandaj, lumturia e tij e plotë varet nga plotësimi i këtyre dy fuqive. E sa i përket fuqisë teorike, ajo perfeksionohet vetëm duke e njohur:
1. Zotin, Krijuesin e Furnizuesin, i Cili e solli njeriun në ekzistencë prej asgjëje dhe mbi të lëshoi mirësitë e Tij.
2. Po ashtu, duke i njohur emrat dhe cilësitë e larta të Zotit, si dhe gjithçka rreth Tij dhe duke njohur njashtu ndikimin e këtyre emrave të Tij te robërit e Vet.
3. Po ashtu, duke njohur rrugën që shpie tek Ai, madhëruar qoftë!
4. Gjithashtu, duke njohur pengesat dhe kthetrat, të cilat mund ta çalojnë ecjen e njeriut drejt njohjes së kësaj rruge, e cila shpie në kënaqësitë e pasosura dhe madhështore.
5. Po ashtu, duke e njohur denjësisht vetveten se çfarë i duhet, çka është në të mirën e tij e çka e dëmton, po edhe cilat janë karakteristikat dhe dobësitë e tij.
Me këto pesë njohje, njeriu e kompleton fuqinë e tij teorike. Kurse, sa i përket fuqisë praktike vullnetare, ajo nuk mund të realizohet ndryshe, veçse duke iu përkushtuar Zotit, që, me sinqeritet, vërtetësi e dëlirësi, robi ta manifestojë respektin për të drejtat që ka Zoti kundrejt robërve të Tij. Robërit duhet t'ia atribuojnë Krijuesit këto të drejta me konsideratë e mirënjohje, i Cili ka lëshuar për ta mirësi të panumërta. Ndërsa përsosja e këtyre fuqive është e pamundur pa ndihmën e Zotit, prej të Cilit njeriu duhet të kërkojë doemos udhëzim për në rrugën e drejtë, në të cilën Ai i ka përudhur miqtë e Tij.[20]
Pasi e kuptuam se feja e vërtetë është mbështetja hyjnore për kapacitetet dhe forcat e ndryshme të shpirtit, le ta dimë se ajo është edhe parzmore mbrojtëse për shoqërinë. Jeta njerëzore nuk mund të mendohet pa një bashkëpunim ndërnjerëzor, i cili, po ashtu nuk mund të mendohet pa një sistem, që i rregullon lidhjet, obligimet, detyrat dhe të drejtat e tyre në mes vete. Ky sistem ka nevojë për një pushtet e autoritet që i mban frerët, e pengon shkeljen e sistemit, e inkurajon ruajtjen e tij, si dhe e promovon madhërimin dhe moscenimin e tij. Atëherë cili është ky autoritet?!
Kështu që, them se:
Mbi rruzullin tokësor nuk ka ndonjë fuqi që mund të barazohet ose t'i afrohet fuqisë së fesë në sigurimin e respektit e stabilitetit për sistemin, po edhe harmoninë për shoqërinë, tek e cila ajo bashkërendon shkaqet e rehatisë e të qetësisë.
Sekreti qëndron aty se njeriu si krijesë posedon një veçori e cila, edhe pse nuk shihet e nuk dëgjohet, u prin lëvizjeve dhe praktikave të tij vullnetare; është fjala për besimin, gdhendësin e shpirtit dhe të gjymtyrëve. Njeriu doemos është i prirë nga ndonjë besim, qoftë ai i saktë apo i gabuar, kështu që, nëse besimi i tij është i saktë, si rrjedhim gjithçka rregullohet, e nëse është i gabuar, gjithçka shkon mbrapsht.
Besimi është vëzhguesi personal i njeriut dhe ai, shikuar te njerëzimi, është dyllojësh:
1. Besimi në vlerën e së mirës dhe fisnikërinë e njerëzores, e të tjera nocione, të cilat mbjellin turp te shpirtrat e lartë, që të mos i shkelin këto koncepte pa marrë parasysh faktorët dhe pasojat e jashtme.
2. Besimi në Zotin e Madhërishëm, i Cili sheh çdo gjë dhe di çdo fshehtësi.
Autoriteti i fesë buron nga urdhrat dhe ndalesat e Zotit, të cilat në shpirt e mbjellin turpin nga Ai, qoftë si rrjedhë e dashurisë për Të apo e frikës prej Tij, apo edhe e të dyjave bashkë. S'ka dyshim se ky lloj besimi është më i fortë, më me ndikim te shpirti njerëzor, më i thantë që t'u bëjë ballë stuhive të epshit dhe ndryshimeve emocionale dhe më i depërtueshëm në zemrat e masës së gjerë dhe shtresave elitare të njerëzve.
Për këtë arsye, feja është garancia më e mirë për marrëdhëniet e drejta ndërmjet njerëzve, andaj për shoqërinë ajo është diçka e domosdoshme dhe duhet të gëzojë të njëjtën pozitë që ka zemra në trup.[21]
E përderisa feja paska këtë rëndësi, kurse në anën tjetër shohim shumë fe e pretendime, atëherë cila është feja e vërtetë që i dhuron shpirtit atë që e kërkon?!
Cilat janë kriteret e fesë së vërtetë?!
KRITERET E FESË SË VËRTETË
Çdo ithtar feje beson se feja e tij është e vërtetë dhe se pikërisht ajo është feja më ideale dhe rruga më e drejtë. Nëse i pyet pasuesit e feve të devijuara dhe ithtarët e feve të fabrikuara nga dora njerëzore se çfarë argumente keni për besimin tuaj, ata kanë një përgjigje: “Në këtë rrugë i kemi gjetur prindërit tanë dhe ne ecim gjurmëve të tyre!" Pastaj të sjellin rrëfime e lajme, të cilat as nuk janë autentike e as që përmbajtja e tyre është pa mangësi e defekte. Ata mbështeten në libra të trashëguar, për të cilët nuk kanë kurrfarë informacioni se kush i ka thënë e kush i ka shkruar. Madje nuk kanë dijeni se në cilën gjuhë janë shkruar e as se në cilin vend janë gjetur. Ndaj, thjesht janë gjëra të madhëruara kot e të trashëguara brez pas brezi, pa ndonjë shqyrtim e analizë të denjë.
Këta libra të panjohur e anonimë, e këto rrëfime e pasime qorre nuk kanë kurrfarë vlere kur kemi të bëjmë me fenë e besimin. Prandaj, vetvetiu vjen pyetja se sa kanë të bëjnë këto fe me të vërtetën?!
Parimisht, është e pamundur që të gjitha të jenë të vërteta, ngase e vërteta është një dhe nuk është e shumtë dhe e shumëllojshme. Assesi këto fe të devijuara e të sajuara nga njeriu nuk mund të jenë të vërteta dhe nga Zoti. E nëse e vërteta nuk qenka e shumëtrajtshme dhe u konsideruaka vetëm një, cila pra është ajo?!
Atëherë, gjithsesi duhet të ekzistojë një kriter dhe tërësi parimesh, nëpërmjet të cilave mund ta identifikojmë fenë e vërtetë dhe të mos e përziejmë me të kotën. Nëse një fe i përmbush ato parime, atëherë e konstatojmë vërtetësinë e saj, e nëse i mungojnë ato, qoftë pjesërisht apo tërësisht, sakaq konkludojmë se bëhet fjalë për fe të kotë.
Kriteret nëpërmjet të cilave mund ta dallosh fenë e vërtetë nga e pavërteta:
Së pari: Ajo fe duhet të jetë nga Zoti, gjegjësisht Ai t'ia ketë shpallur ndonjë profeti nëpërmjet engjëllit, që pastaj ajo fe t'u kumtohet njerëzve. Kjo, ngase feja e vërtetë është feja e Zotit, për të cilën Ai do t'i marrë krijesat në llogari në Ditën e Gjykimit. I Lartësuari thotë:
“Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij; siç frymëzuam me shpallje edhe Ibrahimin, Ismailin, Ishakun, Jakubin dhe bijtë e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin dhe Davudin, të cilit i dhamë Zeburin." (Kurani, 4:163)
Gjithashtu, Allahu i Madhërishëm thotë:
“Ne, nuk kemi dërguar asnjë profet para teje e që të mos ia kemi shpallur atij: “S'ka të adhuruar me të drejtë përveç Meje, andaj adhuromëni Mua!" (Kurani, 21:25)
Andaj, bazuar në këtë, një fe e cila na vjen nga ndonjë person dhe i përshkruhet atij, e jo Zotit, ajo gjithsesi është e kotë.
Së dyti: Ajo fe duhet të thërrasë të njëzohet Zoti në adhurim dhe të ndalojë idhujtarinë dhe rrugët që shpien në të. Kjo, ngase baza e misionit dhe dogmës së çdo profeti ishte thirrja e njerëzve në njëzimin e Zotit. Çdo profet popullit të tij i ka thënë:
“O populli im! Adhurojeni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!" (Kurani, 7:59)
Andaj, një fe që përmban idhujtari dhe praktika politeiste, ku përveç Zotit adhurohet edhe dikush tjetër, ndonjë profet, engjëll apo njeri i devotshëm, atëherë ajo fe është e kotë, edhe nëse i përshkruhet ndonjë profetit.
Së treti: Ajo fe duhet të jetë në përputhshmëri me bazat e proklamatave të profetëve, siç është veçimi i Zotit me adhurim dhe promovimi i rrugës së Tij, si dhe ndalimi i veprave të shëmtuara, si idhujtaria, mosrespektimi i prindërve, vrasja e padrejtë e njeriut, punët e turpshme, të hapëta apo të fshehta qofshin ato etj. I Larti thotë:
“Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S'ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!" (Kurani, 21:25)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
“Thuaju: “Ejani t'ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos u afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni." (Kurani, 6:151)
Po ashtu, thotë:
“Pyeti të dërguarit Tanë, që i kemi nisur para teje, a mos kemi urdhëruar Ne që të adhurohen zota të tjerë, përveç të Gjithëmëshirshmit?!" (Kurani, 43:45)
Së katërti: Ajo fe nuk duhet të jetë kontradiktore, komponentët e së cilës bien në kundërthënie me njëri-tjetrin. Për shembull, vjen me një urdhër të cilin pastaj e përplas me një urdhër tjetër kontradiktor; ndalon diçka me një arsyetim të cilin nuk e merr parasysh në një gjë tjetër të njëjtë sikur ajo, e si rrjedhojë e lejon; apo i ndalon disa gjëra për një palë njerëzish e për disa të tjerë i lë të lejuara. I Lartësuari thotë:
“A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." (Kurani, 4:82)
Së pesti: Ajo fe duhet të përmbajë urdhrat, ndalesat dhe virtytet morale të ligjësuara nga Zoti, nëpërmjet të cilave ruhen pesë objektivat themelore: feja, nderi, pasuria, jeta e pasardhësit.
Së gjashti: Ajo fe duhet të jetë mëshirë për krijesat, që të shpëtojnë nga padrejtësitë e vetvetes dhe të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se çfarë lloji është ajo padrejtësi, qoftë shkelje e të drejtave, despotizëm apo diskriminim në bazë të moshës etj. Allahu na njofton për mëshirën që e përmbante Teurati, libër ky që i ishte shpallur Musait, paqja qoftë mbi të:
“Dhe, kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat, në të cilat ishin shënuar udhëzimet për rrugën e drejtë dhe mëshira për ata që i frikësohen Zotit të tyre." (Kurani, 7:154)
Po ashtu, duke na treguar rreth dërgimit të Isait (paqja qoftë mbi të!), Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë!" (Kurani, 19:21)
Gjithashtu, i Madhërishmi thotë për Salihun (paqja qoftë mbi të!):
“Ai tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse Zoti im më ka dhënë provë të qartë nga Vetja dhe mëshirë..." (Kurani, 11:63)
E për Kuranin, i Larti tha:
“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët..." (Kurani, 17:82)
Së shtati: Ajo fe duhet të përmbajë udhëzimin që shpie te ligji i Allahut dhe shpjegimin e duhur rreth këtij ligji. Po ashtu, duhet t'i tregojë njeriut se prej nga ka ardhur e ku është caku i tij!
I Madhërishmi, duke na njoftuar rreth Teuratit, thotë:
“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita." (Kurani, 5: 44)
Ndërsa për Inxhilin (Ungjillin) i Larti tha:
“Dhe i dhamë atij Inxhilin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë." (Kurani, 5:46)
Kurse për Kuranin i Lartmadhërishmi tha:
“(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës..." (Kurani, 9:33)
Pra, kjo fe e vërtetë që shpie në ligjin e Allahut duhet t'i sigurojë shpirtit qetësinë e prehjen, duke e flakur çdo pëshpëritje, duke dhënë përgjigje për çdo paqartësi dhe shpjegim për çdo ndërlikim.
Së teti: Ajo fe duhet të promovojë e thërrasë në vlerat e larta dhe sjelljet fisnike, siç janë vërtetësia, drejtësia, besnikëria, turpi, ndershmëria e bujaria dhe të ndalojë nga të këqijat, siç janë mosrespektimi i prindërve, vrasja e njeriut, punët e turpshme, gënjeshtra, padrejtësia, koprracia dhe mëkatet e ndryshme.
Së nënti: Ajo fe duhet t'ia bëjë ithtarit të saj lumturinë realitet. I Lartësuari thotë:
“Ta, Ha. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar." (Kurani, 20:1-2)
Ajo fe duhet të jetë në përputhshmëri me natyrën e shëndoshë njerëzore.
“...natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit!" (Kurani, 30:30)
Ajo fe duhet të jetë në përputhshmëri me mendjen e shëndoshë, ngase feja e vërtetë është ligj i Zotit, kurse mendja e shëndoshë është krijim i Tij, kështu që s'ka mundësi që ligji dhe krijimi i Zotit të bien në kontradiktë.
Së dhjeti: Ajo fe duhet të të drejtojë nga e vërteta dhe të të paralajmërojë nga e kota. Duhet të të orientojë nga udha e udhëzimit, e të të ftohë nga ajo e devijimit. Ajo duhet t'i thërrasë njerëzit në rrugën e drejtë, ku nuk ka pështjellime e shtrembërime. I Lartësuari na njofton se çfarë i kishin thënë xhinët njëri-tjetrit kur e kishin dëgjuar Kuranin:
“Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë." (Kurani, 46:30)
Ajo fe duhet të mos i thërrasë njerëzit në atë gjë që i shpie në mjerim. I Larti tha:
“Ta, Ha. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar." (Kurani, 20:1-2)
Ajo fe duhet të mos i urdhërojë me diçka shkatërruese për ta. Fuqiploti tha:
“...dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju." (Kurani, 4:29)
Ajo fe duhet të mos bëjë dallime në bazë të racës, ngjyrës apo fisit. I Madhërishmi thotë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë." (Kurani, 49:13)
Pra, standardi i vetëm që feja e vërtetë e pranon, që nëpërmjet tij disa njerëz të ngrihen më lart se disa të tjerë, është devotshmëria dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Pasi t'i shpalosa kriteret, nëpërmjet të cilave arrin të ndash fenë e vërtetë nga ajo e kotë, e për të cilat të solla argumente nga Kurani ku dëshmohej se këto kritere janë konsensuale tek të gjithë profetët e vërtetë të Zotit, tani është e përshtatshme të flasim rreth llojeve të feve.
LLOJET E FEVE
Njerëzimi, varësisht nga fetë, është i ndarë në dy kategori:
Njëra kategori posedon libër të zbritur nga Zoti; këtu bien hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët. Sa u përket librave që Zoti ua shpalli profetëve të hebrenjve dhe të krishterëve, këta të fundit i humbën ata, atëherë kur nuk iu përmbajtën atyre, i konsideruan disa njerëz si zotëra përveç Allahut dhe iu kaloi shumë kohë që nga periudha kur ata libra ishin zbritur. Më pas, klerikët e tyre i shkruan disa libra të tjerë, duke pandehur se janë prej Zotit, porse ata në të vërtetë nuk qenë prej Tij, por ishin thjesht hamendje e pretendime gënjeshtarësh dhe shtrembërime mashtruesish e ekstremistësh.
Ndërsa libri i muslimanëve, Kurani është libri i fundit hyjnor në aspektin kohor, por më i sigurti prej të gjithëve në aspektin e autenticitetit, ngase atë vetë Zoti e mori për detyrë ta ruajë e nuk e ngarkoi askënd prej njerëzve me këtë detyrë. I Larti tha:
“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë." (Kurani, 15:9)
Ai është i ruajtur në gjokset e njerëzve dhe në formë të shkruar, ngase ai është libri i fundit në të cilin ka udhëzim për njerëzimin. Zoti e garantoi atë dhe e bëri argument kundrejt njeriut deri në Ditën e Llogarisë, ndaj gjithnjë në llojin njerëzor do të ketë të atillë që këtë libër e lexojnë, e praktikojnë, e besojnë e kështu me radhë. Rreth këtij libri madhështor më hollësisht do të flasim në vijim në një paragraf tjetër.
Kategoria tjetër nuk kanë ndonjë libër të zbritur nga Zoti, porse kanë libra që i atribuohen mentorit dhe themeluesit të asaj feje, siç janë: hindusët, adhuruesit e zjarrit, budistët, konfuçianistët dhe arabët e vjetër - para misionit të Muhamedit ﷺ.
Në esencë, çdo popull ka dituri e praktika, nëpërmjet të cilave i realizojnë interesat themelore të tyre në këtë jetë. Këtë lloj dijeje Zoti e bëri për tërë qenien njerëzore, madje edhe për kafshët, të cilat natyrshëm mësohen të marrin të dobishmen, si haja e pija, si dhe të shmangin të dëmshmen. Krijesat e kanë në natyrën e tyre dashurinë për të parën dhe urrejtjen për këtë të fundit. I Lartësuari tha:
“Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit, që ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjesëtuar drejt; që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën." (Kurani, 87:1-3)
Musai i tha Faraonit:
“Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar." (Kurani, 20:50)
E Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) tha:
“...i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë)." (Kurani, 26:78)[22]
Çdo i mençur, që sado pak vrojton me mendjen e tij, e pranon se pasuesit e feve, në raport me dituritë e dobishme dhe veprat e mira, janë më lart sesa të tjerët. Madje, s'ka mirësi që gjendet te jomuslimanët e që të mos jetë te muslimanët edhe më e kompletuar dhe më domethënëse. Gjithashtu, gjejmë se ajo që është tek ithtarët e feve mungon tek të tjerët, ngase dituritë dhe veprat janë dy llojesh:
I pari: Ato që arrihen nëpërmjet mendjes dhe logjikës, siç janë dituritë e matematikës, mjekësisë dhe të industrive të ndryshme. Këto i gjejmë te fetarët, po edhe tek të tjerët, edhe pse tek ithtarët e feve ato janë më të plota. Ndërkaq, ato që nuk arrihen me mendje, siç janë dituritë teologjike e fetare, shumica e të cilave kanë prova racionale, janë karakteristikë e pasuesve të feve. Profetët i orientuan njerëzit se si t'u qasen këtyre diturive në mënyrë logjike, andaj ato konsiderohen në të njëjtën kohë racionale dhe teologjike.
I dyti: Ato që nuk mund të mësohen ndryshe, veçse nëpërmjet lajmërimit dhe kumtimit të profetëve, pra nuk mund të arrish tek ato nëpërmjet intelektit dhe logjikimit. Këtu bëjnë pjesë dituritë rreth emrave e cilësive të Zotit, botës tjetër, gjegjësisht kënaqësitë për të dëgjueshmit, e dënimet për të pabindurit, po edhe shpjegimet rreth fesë dhe rrëfimet për profetët e mëhershëm, e çështje të tjera.[23]
GJENDJA E FEVE TË SOTME
Fetë e mëdha, bashkë me librat dhe legjislacionet e tyre të lashta, u bënë pre e njerëzve të pavlerë e hileqarë, po edhe e shtrembëruesve hipokritë. Ato në vazhdimësi iu ekspozuan ngjarjeve të përgjakshme e fatkeqësive të rënda, çka çoi deri te humbja e shpirtit dhe e trajtës që kishin, aq sa, sikur të ringjalleshin pasuesit e saj të parë dhe profetët që i kishin kumtuar, do t'i refuzonin e nuk do t'i njihnin.
Hebreizmi sot është bërë thjesht një tërësi ritualesh e zakonesh që nuk kanë shpirt e jetë. Ajo është fe e një skote dhe race njerëzore, andaj edhe nuk ka ndonjë mesazh e mision për botën e as mëshirë për mbarë njerëzimin.[24]
Besimi i vërtetë i kësaj feje pësoi ndryshime rrënjësore, edhe pse ajo dikur ishte moto e feve dhe e popujve, madje, ishte sekreti i vlerës së saj. Ai besim që u ndryshua ishte monoteizmi – njëzimi i Zotit, koncept me të cilin Ibrahimi, po edhe Jakubi i porositën pasardhësit e tyre. Hebrenjtë morën shumë besime të kota e zakone politeiste nga dogmat e prishura të popujve të ndryshëm, të cilët o ishin fqinjët e tyre, o sunduesit që ushtronin mbi ta pushtet. E këtë të vërtetë historianët objektivë hebrenj nuk ngurrojnë ta pranojnë. Në “Enciklopedinë hebraike" thuhet:
“Zemërata e madhe që kishin profetët kundrejt adhurimit të idhujve tregon se adhurimi i putave dhe hyjnive kishte depërtuar thellë në zemrat e izraelitëve, të cilët kishin përvetësuar dogma e doke idhujtarie e të pavlera. Edhe Telmudi dëshmon se hebrenjtë ishin tërhequr tej mase pas paganizmit!"[25]
Telmudi[26] babilonik, ky libër të cilin hebrenjtë e shenjtërojnë skajshmërisht, e madje i japin përparësi kundrejt Teuratit, i cili qarkullonte në shekullin e gjashtë, është i mbushur me shembuj të çuditshëm, me mendjecektësi, fjalë boshe, sjellje të pacipa në raport me Zotin, përdhosje të të vërtetave e lojë me fenë e mendjen, e dukuri të tjera, me të cilat komuniteti hebre asobote ishte zvetënuar në aspektin intelektual dhe fetar.[27]
Ndërkaq, feja e krishterë,[28] që në periudhat e saj të para u ballafaqua me falsifikimet e interpretimet e ekstremistëve dhe injorantëve, po edhe me idhujtarinë e romakëve që po hynin në këtë fe.[29] Për pasojë, mësimet madhështore të Mesihut u shuan, kurse drita e monoteizmit u fik në atë dendësi mjegullash.
Një autor i krishterë shkruan se sa shtrirje të gjerë kishte dogma e trinisë qysh herët në shoqërinë e krishterë, saktësisht nga fundit i shekullit të katërt:
“Besimi se Zoti Një është i përbërë nga tri qenie kishte përshkuar të gjitha poret e jetës dhe të mendimit të botës së krishterë, që nga fundi i shekullit të katërt. Kjo dogmë u bë zyrtare në tërë botën e krishterë. Zhvillimi i trinisë dhe sekretet e tij nuk u shpalosën asnjëherë më parë, përveçse në gjysmën e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë!"[30]
Një historian bashkëkohor i krishterë, në librin “Historia e krishterimit nën dritën e shkencës moderne", diskuton rreth shfaqjes së idhujtarisë në forma të ndryshme në shoqërinë e krishtere, ku tregon se me pretekste të kota përvetësuan parimet, zakonet, festat dhe heronjtë e paganëve dhe feve të lashta, me çka edhe përfunduan në idhujtari. Ai thotë: “Idhujtaria mori fund, mirëpo nuk u eliminua në tërësi, përkundrazi ajo depërtoi në shpirtra dhe vazhdoi të mbesë gjallë, mirëpo pastaj ajo manifestohej në emër të krishterimit dhe fshihej nën mbulesën e saj. Të njëjtit që kishin hequr dorë prej hyjnive e legjendarëve të tyre, tani morën një hero të tyre, e veshën me tituj e cilësi të hyjnive që kishin dhe e skulpturuan. Në këtë mënyrë, politeizmi i tyre dhe adhurimi i idhujve u shfaq edhe për martirët e vendit. Ende pa përfunduar ky shekull, adhurimi i dëshmorëve dhe i njerëzve të mirë, tashmë i kishte kapluar ata. Tani më bëhej fjalë për një besim të ri, ku shenjtorëve iu përshkruheshin cilësi hyjnore dhe vlerësoheshin si ndërmjetës në mes tyre dhe Zotit. Pastaj, festave pagane u dhanë emra të rinj, kështu që në vitin 400, festa e vjetër e Diellit u shndërrua në festën e lindjes së Mesihut."[31]
Kurse sa u përket zoroastrianistëve – adhuruesve të zjarrit, për ta dihet se që moti adhuronin elementet natyrore, në krye të të cilave e kishin zjarrin, të cilin edhe tani vazhdojnë ta adhurojnë. Ata ndërtonin për zjarrin tempuj e faltore dhe në tërë vendin kishin bërë shtëpi zjarri. Të gjitha dogmat e tyre tanimë janë shuar, përveç adhurimit të zjarrit dhe shenjtërimit të Diellit. Feja e tyre sot është një tërësi ritualesh e dokesh që praktikohen vetëm në disa vende të veçanta.[32]
Arthur Emanuel Christensen, autori danez i librit “Irani gjatë periudhës së sasanianëve", kësisoj i përshkruan liderët fetarë të zoroastrianistëve dhe veprimtarinë e tyre:
“Ata nëpunës e kishin për obligim që ta adhuronin Diellin katër herë brenda ditës. Përveç kësaj, e adhuronin edhe hënën, zjarrin dhe ujin. Ishin të urdhëruar që të mos e lënë zjarrin të fiket dhe të mos e lënë atë të bëhet bashkë me ujin. Po ashtu, meqë i shenjtëronin metalet, ata nuk guxonin t'i linin ato të ndryshkeshin."[33]
Në çdo epokë ata e kishin për fe dualizmin, i cili ishte motoja e tyre. Besonin në dy zota, në dritën – ose hyjnia e së mirës, dhe errësirën – ose hyjnia e së keqes. Të parin e quanin “Ahura mazda", kurse këtë tjetrin “Ahura man". Ata besojnë se këto dy hyjni vazhdojnë të jenë në konflikt të pandalshëm në mes tyre.[34]
Kurse, sa i përket budizmit, që është i përhapur në Indi dhe Azinë Qendrore, ajo është një fe politeiste e lidhur ngushtë me idhuj e tempuj paganë. Kudo që të jenë, ata e ngritin idhullin dhe statujën e Budës.[35]
Ndërsa brahmanizmi, feja e Indisë, është e njohur me numrin e shumtë të hyjnive e zotave. Kjo idhujtari kishte arritur kulmin në shekullin e gjashtë, ku numri i hyjnive tek ta ishte 330 milionë[36], kur çdo gjë e veçantë, madhështore apo e dobishme, ishte një hyjni që adhurohej, dhe skulpturimi i idhujve veçse ishte shndërruar në industri ku ekspertët i shfaqnin aftësitë e tyre.
Autori indian, C. V. Vidya, në librin e tij “Historia e Indisë qendrore", kur shkruan për periudhën e mbretit Harsha, që sundoi ndërmjet viteve 606-648, kohë në të cilën kishte nisur paraqitja e Islamit në Gadishullin arabik, thotë: “Hinduizmi dhe budizmi, që të dyja ishin fe idhujtare, përveçse kjo e fundit ishte edhe më e zhytur në idhujtari. Në fillin e saj budizmi e mohoi Zotin, që më pastaj gradualisht ta konsideronte Budën si zotin më të madh, të cilit ia shtuan edhe disa të tjerë, siç është Bodhistavasi.
Idhujtaria në Indi kishte shkuar aq lart, saqë, në disa gjuhë orientale, fjala “budë" ishte sinonim i fjalës “idhull".
Nuk ka dyshim se idhujtaria është tejet e përhapur në botën e sotme. Që nga Oqeani Atlantik e deri te Oqeani Paqësor bota është e zhytur në idhujtari, thua se krishterimi, fetë semite e budizmi kanë hyrë në garë në mes vete, si garat me kuaj, se cili po i madhëron e po i shenjtëron më shumë idhujt.[37]
Një hindus tjetër tregon në librin e tij të titulluar “Hinduizmi dominues" se procesi i prodhimit të hyjnive nuk ka marrë fund dhe se herë pas herë shtohen disa zotëra të vegjël në të ashtuquajturin “kompleksi hyjnor", ku grumbulli i hyjnive është aq i madh sa nuk numërohen dot.[38]
Pra, kjo është gjendja e feve. Tashti, le të ndalemi pak të shohim gjendjen e vendeve të qytetëruara. Ato vende nga ku dolën shkenca të shumta, të cilat ishin djep i qytetërimit, industrisë dhe arteve. Atje i shmangën fetë në tërësi. Që atëherë, më s'u mbeti gjë nga klasikja dhe fuqia që kishin. Ata mbetën pa reformatorë e mësues. Aty tani dominon ateizmi dhe e keqja. Standardet i ndërruan dhe njeriun e përçmuan. Aty vetëvrasja është fenomen, sikurse edhe shkëputja e lidhjeve familjare dhe shoqërore. Aty klinikat psikiatrike janë përplot me pacientë, po edhe tregu i fallit dhe magjisë nuk mungon. Bëjnë çmos për ta përmbushur e qetësuar shpirtin, por kot, ngase ato kënaqësi të përkohshme, ato fe, sekte e teori që kanë janë të paafta ta lumturojnë njeriun. Atyre s'u ndalet ky mjerim shpirtëror, përderisa nuk lidhen me Krijuesin e tyre e ta adhurojnë ashtu siç do Ai, gjegjësisht nëpërmjet fesë që ua shpalli profetëve. Zoti i Lartësuar, duke folur për gjendjen e atyre që janë larguar nga rruga e Tij, thotë:
“Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime (Kuranit), do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër." (Kurani, 20:124)
Po ashtu, duke treguar për sigurinë dhe lumturinë që ndiejnë besimtarët në këtë jetë, thotë:
“Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar." (Kurani, 6:82)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
“Kurse fatlumët do të hyjnë në Xhenet, ku do të qëndrojnë përherë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç si të dojë Zoti yt. Kjo është dhuratë e pandërprerë." (Kurani, 11:108)
Të gjitha fetë që i paraqitëm më parë, përveç Islamit, asnjëra nuk i përmbush në tërësi kriteret e fesë së vërtetë, siç shihet sheshazi nga kjo paraqitje e shkurtër.
Ndërsa, problemi më i madh i këtyre feve është mungesa e monoteizmit – njëzimi i Zotit. Ithtarët e tyre adhurojnë hyjni të ndryshme përveç Zotit. Po ashtu, këto fe të devijuara nuk u ofrojnë njerëzve një legjislacion të përshtatshëm për çdo kohë e vend, që ua ruan fenë, nderin, pasurinë, gjakun, e pasardhësit e as që i orientojnë drejt fesë së porositur nga Zoti. Sikurse që nuk i ofrojnë ithtarëve të tyre qetësi e lumturi, për shkak të kontradiktave dhe kundërthënieve që ngërthejnë.
Ndërsa sa i përket Islamit, në kapitujt e mëvonshëm do të të bëhet e qartë se ajo është feja e vërtetë dhe e përhershme e Zotit, të cilën Ai e përzgjodhi dhe qe i kënaqur që ajo të jetë feja e njerëzimit.
Në përfundim të kësaj pjese, dua të shpjegoj realitetin dhe argumentet e profetësisë, po edhe nevojën që ka njerëzimi për të, si dhe, po ashtu do të qartësoj bazat e misionit të profetëve dhe realitetin e profetësisë së fundit e të përhershme.
REALITETI I PROFETËSISË
Dituria më e obligueshme për njeriun është të njohë Zotin, i Cili e solli atë në ekzistencë prej asgjësë, e begatoi me mirësi të shumta dhe i dha një detyrë, e cila realisht ishte arsyeja e krijimit të tij - adhurimi i Zotit.
Mirëpo, si ta njohë njeriu Zotin e vet?!
Çfarë detyre ka kundrejt Tij dhe si ta adhurojë Atë?!
Për nevojat e tij të përditshme, si mjekimi, mjeshtëritë e të tjera, njeriu mund të gjejë dikë që i kryen punë. Mirëpo, në rrethin njerëzor ai nuk gjen dot dikë që mund ta njoftojë me Zotin e tij dhe mënyrën se si Ai dëshiron të adhurohet, ngase kjo njohje nuk arrihet me mendje, e cila madje është e paaftë ta kuptojë edhe qëllimin e pashpalosur të vetë qenies njerëzore, e si do ta kuptojë vetvetiu atë që e do Zoti. Se çfarë do Zoti, këtë na e tregojnë vetëm profetët – të përzgjedhurit e Tij. Ata e kumtojnë mesazhin hyjnor, të cilin më pastaj e përçojnë gjithandej prijësit e udhëzimit – trashëgimtarët e profetëve, të cilët ecin sipas gjurmëve dhe metodologjisë profetike. E tërë kjo ngase njerëzit nuk mund ta marrin mesazhin drejtpërdrejt nga Zoti. I Lartësuari thotë:
“Asnjë njeriu nuk i është dhënë t'i flasë Allahu, përveçse me anë të Frymëzimit ose pas perdes, ose me anën e një Kumtuesi (Engjëlli) të dërguar me lejen e Tij, për të shpallur vullnetin e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Lartë dhe i Urtë!" (Kurani, 42:51)
Profetët janë kumtuesit e Zotit, nëpërmjet të cilëve u dërgon mesazh njerëzve – robërve të Tij. Engjëlli e bart atë te profeti, kurse ai te njerëzit. Engjëlli nuk ua përçon atë njerëzve drejtpërdrejt, ngase bota dhe natyra e tij dallon nga ajo njerëzore. I Larti thotë:
“Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit." (Kurani, 22:75)
Kur Zoti e dërgonte ndonjë kumtar (profet), e përzgjidhte atë pikërisht nga mesi i atyre, për të cilët ishte mesazhi. Në këtë mënyrë ata kishin mundësi ta kuptonin lajmëtarin e të bisedonin me të. E nëse atyre do t'u dërgohej si kumtar ndonjë engjëll, ata nuk do ta përballonin atë, e as që do të mund ta merrnin kumtin.[39] I Madhërishmi tha:
“Ata thonë: “Sikur t'i kishte zbritur atij (Muhamedit) një engjëll?! Por po të dërgonim Ne engjëllin, puna do të merrte fund dhe nuk do t'u jepej asnjë afat. Edhe sikur Ne ta bënim atë (Muhamedin) engjëll, me siguri që do t'i jepnim atij pamje njeriu dhe, kështu, do të bënim që të ngatërroheshin në lidhje me mesazhin, për të cilin tashmë ata janë të ngatërruar." (Kurani, 6:8-9)
Gjithashtu, i Madhërishmi thotë:
“Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje..." Deri te fjala e Tij: “Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?" Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi." (Kurani, 25:20-21)
I Lartësuari thotë:
“Ne edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve u kemi dhënë shpallje..." (Kurani, 16:43)
Po ashtu, thotë:
“Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t'u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit)." (Kurani, 14:4)
Profetët dalloheshin për inteligjencë, natyrë të shëndoshë, vërtetësi në fjalë e punë, besnikëri në kumtimin e asaj me të cilën ishin ngarkuar dhe paprekshmëri e imunitet nga çdo deformim i karakterit dhe fizikut të tyre njerëzor, i cili do të mund ta vriste syrin apo ta neveriste njeriun.[40] Allahu i gdhendi shpirtrat dhe sjelljet e tyre, andaj ata janë njerëzit më të sjellshëm, më shpirtmirë dhe më bujarë. Tek ata i tuboi Zoti të gjitha virtytet e larta dhe sjelljet fisnike, sikurse që i bëri bashkë tek ta butësinë e dijen, tolerancën dhe bujarinë, trimërinë e drejtësinë. Madje, popujt e tyre i njihnin ata nëpërmjet këtyre virtyteve. Zoti na tregon për popullin e Salihut, i cili thoshte:
“Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). A mos vallë po na ndalon të adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë?" (Kurani, 11:62)
E populli i Shuajbit tha për të:
“Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t'i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!" (Kurani, 11:87)
E Muhamedi ﷺ para se të bëhej profet, në mesin e popullit të tij njihej si “Besniku". Na tregon Zoti për moralin e tij:
“Vërtet ti je me virtyte madhore." (Kurani, 68:4)
Ata janë krijesat e Tij më të mira, të përzgjedhur për të bartur mesazhin e Tij, e për ta kumtuar amanetin.
Allahu thotë:
“Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Vet." (Kurani, 6:124)
Po ashtu, thotë:
“Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre)." (Kurani, 3:33)
Me gjithë këto cilësi të larta që kishin profetët, prapëseprapë ata ishin njerëz sikur të tjerët, ndaj u ngjante ajo çfarë u ngjan njerëzve: i kapte uria, sëmureshin, flinin, hanin, martoheshin dhe vdisnin. Siç thotë i Madhërishmi:
“Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin." (Kurani, 39:30)
Po ashtu, thotë:
“Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës." (Kurani, 13:38)
Madje, janë persekutuar, vrarë e dëbuar nga shtëpitë e tyre. I Larti, thotë:
“Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë." (Kurani, 8:30)
Mirëpo fundi, ngadhënjimi dhe fuqia u takon atyre në të dy botët, siç thotë i Madhërishmi:
“Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë." (Kurani, 22:40)
Gjithashtu, Ai thotë:
“Allahu ka vendosur: “Unë dhe të dërguarit e Mi do të triumfojmë me siguri!" Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm." (Kurani, 58:21)
ARGUMENTET DHE SHENJAT E PROFETËSISË
Përderisa profetësia është rrugë e njohjes së diturive më të çmuara dhe e kryerjes së punëve më fisnike, Zoti i Madhërishëm, nga mëshira e Tij, u dha profetëve disa shenja, nëpërmjet të cilave njerëzit i identifikojnë profetët. Duke parë argumentet dhe faktet e një pretenduesi arrijmë të kuptojmë vërtetësinë ose mashtrimin e tij. Shenjat janë të shumta, e më kryesoret janë:
1. Thirrja e profetit duhet të jetë që vetëm Zoti të adhurohet, si dhe të hiqet dorë nga adhurimi i dikujt tjetër përveç Tij, ngase ky është qëllimi i krijimit të krijesave.
2. Profeti duhet t'i thërrasë njerëzit që ta besojnë atë dhe të punojnë me proklamatën e tij. Allahu e urdhëroi Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ të thotë: “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju." (Kurani, 7:158)
3. Profeti duhet të ketë prova nga Zoti që e dëshmojnë profetësinë e tij, e të cilat njerëzit nuk mund t'i refuzojnë e as t'i imitojnë. E prej këtyre provave, fjala bie, shndërrimi i shkopit në gjarpër – rasti i Musait, largimi i verbërisë e lebrës – rasti i Isait, ose rasti i Muhamedit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ata!, prova më e madhe e të cilit ishte vetë Kurani Madhështor, duke pasur parasysh faktin se ai ishte analfabet.
E po ashtu, edhe shenja të tjera, siç janë: E vërteta e qartë dhe e padyshimtë, të cilën nuk mund ta mposhtin e refuzojnë as kundërshtarët, madje vetë këta janë në dijeni se ajo është e vërteta që nuk zmbrapset.
Gjendja e profetëve në përgjithësi reflekton përsosuri njerëzore, qoftë nëpërmjet tipareve të bukura, virtyteve të larta apo sjelljeve fisnike.
Po ashtu, prej shenjave është fakti se profeti përkrahet nga Zoti kundrejt armiqve të tij dhe mesazhi i tij ngadhënjen.
4. Gjithashtu, bazat e thirrjes së tij janë në përputhje me bazat e promovuara nga profetët dhe të dërguarit e tjerë.[41]
5. Po ashtu, ai nuk thërret ta adhurojnë atë apo t'i kushtojnë atij diçka prej adhurimeve, sikurse nuk promovon madhërimin e fisit dhe klanit të tij. Zoti e urdhëroi profetin e Tij, Muhamedin ﷺ t'u thotë njerëzve: “Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet". (Kurani, 6:50)
6. Po ashtu, ai nuk u kërkon atyre ndonjë interes material, si lloj pagese për thirrjen që ua ofron. Zoti na tregon se profetët e Tij: Nuhu, Hudi, Salihu, Luti e Shuajbi u kishin thënë popujve të tyre: “Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve." (Kurani, 26:109)
Kurse i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ i tha popullit të tij, siç tregon për këtë i Madhërishmi: “Thuaj (o Muhamed): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (Kuran) e as pretendoj të jem diçka që s'jam." (Kurani, 38:86)
Profetët që kishin këto cilësi dhe prova vërtetuese të profetësisë së tyre ishin të shumtë. I Larti thotë:
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhurojeni Allahun dhe shmangiuni idhujve!" (Kurani, 16:36)
Përmes profetëve njerëzit e arritën lumturinë, ndaj me përpikëri e shënuan historinë e tyre, e me dashuri, brez pas brezi, i transmetuan besimet që ata kishin promovuar. Madje, rrëfimet se si atyre Allahu u ndihmoi, arritën kulmin e autenticitetit, siç janë përmbytja e popullit të Nuhut, fundosja e Faraonit, dënimi i popullit të Lutit dhe ngadhënjimi i Muhamedit ﷺ dhe i fesë së tij. Pas vrojtimit të këtyre pikave, do të bindesh se ata ishin dërguar me udhëzim e mirësi, që t'i orientonin njerëzit nga e dobishmja dhe t'i paralajmëronin që të ruheshin nga e dëmshmja. I pari i tyre ishte Nuhu (paqja qoftë mbi të!), e i fundit, Muhamedi ﷺ.
NEVOJA E NJERËZVE PËR PROFETË
Zoti i dërgon profetët te robërit e Tij që t'u kumtojnë atyre urdhëresat e Tij, përgëzimet për kënaqësitë e gatuara për të bindurit, paralajmërimet për dënimin e përhershëm për të pabindurit dhe rrëfimet rreth popujve mëkatarë, të cilët i kishte ndëshkuar Zoti që në këtë botë.
Urdhëresat dhe ndalesat hyjnore nuk mund të kuptohen vetëm nëpërmjet mendjes, prandaj Zoti i ligjësoi këto kode, urdhëresa e ndalesa, për ta nderuar njeriun dhe për t'i siguruar interesat e tij. Pasi që njerëzit mund të shkojnë pas epsheve të tyre, të shkelin kufijtë, t'u bëjnë të tjerëve padrejtësi e t'ua rrëmbëjnë të drejtat që kanë, ishte prej urtësisë së madhe të Zotit, që herë pas here, Ai t'u dërgojë profetë që ua kujtojnë urdhëresat e Zotit, ua tërheqin vërejtjen të mos mëkatojnë, i këshillojnë dhe u dëftojnë rrëfimet e popujve të mëparshëm. Rrëfimet e çuditshme dhe domethëniet e thella i këndellin mendjet, ndaj sa më shumë që dëgjon, më shumë mendon, e sa më shumë që mendon, më shumë mediton, e sa më shumë që mediton, aq më shumë di, e sa më shumë që di, aq më shumë vepron. Ndaj, dërgimi i profetëve dhe ngritja e së vërtetës nëpërmjet tyre janë të pashmangshme dhe të pazëvendësueshme.[42]
Shejhu'l-Islam Ibn Tejmije[43], -Allahu e mëshiroftë!-, thoshte: “Që jeta e njeriut të shkojë mbarë në të dy botët, ai duhet t'i përmbahet mesazhit hyjnor. Njeriu në jetën tjetër mund të shpëtojë vetëm nëse ka pasuar mesazhin hyjnor, po asisoj, edhe në këtë botë, jeta e tij nuk shkon mbarë pa ndjekjen e këtij mesazhi. Ai është nevojtar i madh për legjislacionin – mesazhin, ngase ai si qenie është në mes të dy lëvizjeve: njëra për të fituar të dobishmen, e tjetra për të shmangur të dëmshmen. Kurse feja është drita që ia bën të qartë se cila i bën dobi e cila dëm. Feja është drita e Zotit në tokë, drejtësia e Tij ndërmjet krijesave dhe kalaja e Tij, në të cilën, kushdo që hyn, është i sigurt!"
Dallimi që feja e bën ndërmjet së dobishmes dhe së dëmshmes nuk ka të bëjë me çështje shqisore, ngase ato mund t'i ndajë edhe kafsha, si, fjala bie, gomari e deveja lehtësisht e bëjnë dallimin në mes elbit dhe dheut. Jo pra, kjo nuk është për qëllim. Feja i ndan veprat, gjegjësisht ato që njeriut i sjellin dëm në të dy botët dhe ato që janë në dobinë e tij, siç është dobia e besimit, monoteizmit, drejtësisë, mirësisë, besnikërisë, ndershmërisë, trimërisë, diturisë, durimit, urdhërimit për të mirë, ndalimit nga e keqja, ruajtja e farefisnisë, respektimi i prindërve, fqinjësia e mirë, kryerja e detyrimeve, dëlirësia e zemrës për Zotin, mbështetja në Të, kërkimi i ndihmës nga Ai, kënaqësia me parapërcaktimin e Tij, dorëzimi te vendimi i Tij, besimi në Të, në profetët dhe profetësitë e tyre e kështu me radhë, gjëra e vepra që i bëjnë dobi njeriut në jetën e kësaj bote, po edhe në atë të mëtejme. Ana e kundërt e kësaj rruge është shtegu që shpie në mjerim e shkatërrim, në të dy botët.
E sikur të mos kishte qenë mesazhi hyjnor, njeriu nuk do t'i kishte njohur në jetë hollësirat e gjërave të dobishme e të dëmshme. Prandaj, prej mirësive më të mëdha e më me vlerë për njerëzit është dërgimi i profetëve, zbritja e librave dhe qartësimi i rrugës së drejtë. E sikur të mos ishin këto begati, njeriu do të ishte në nivelin e kafshëve, madje, edhe më poshtë. Kush e pranon mesazhin e Zotit dhe drejtohet me të, ai është prej krijesave më të mira, e kush e refuzon atë, ai është prej krijesave më të këqija, madje, ai është më i ulët se qeni e derri dhe më i poshtëruar se çdo i poshtër. Njerëzimi do të mbetet, aq sa do të ketë gjurmë të mesazhit hyjnor e kur gjurmët e profetëve dhe mësimet e tyre të shuhen tërësisht në Tokë, atëherë Zoti do ta shkatërrojë Botën dhe do të krisë Kiameti.
Nevoja e banorëve të planetit tonë për profetët nuk është sikurse nevoja që kanë për Diellin, Hënën, erën e shiun, po as nuk është sikurse nevoja e njeriut për jetën, po as sikurse ajo e syrit për dritën apo e trupit për haje e pije. Jo, assesi! Ajo është nevojë edhe më e madhe se çdo gjë që mund të të vijë në mendje. Profetët janë kumtarët dhe korrierët që Zoti i dërgon te njerëzit, i fundit dhe më i nderuari prej tyre është Muhamedi ﷺ. Zoti e dërgoi që t'i dëftojë urdhëresat dhe ndalesat e Tij, po edhe që të jetë mëshirë për botët, udhërrëfyes për shtegtarët dhe argument kundrejt të gjitha krijesave. Zoti i urdhëroi njerëzit ta respektojnë atë, ta duan, ta nderojnë, ta përkrahin, t'i dalin hakesh dhe t'i japin besën për besim e pasim. Atë, pra, e dërgoi përpara ndodhisë së Kiametit, që të jetë sihariqtar dhe paralajmërues, thirrës për te Zoti dhe pishtar ndriçues. Me të e vulosi profetësinë dhe e përhapi udhëzimin – shmangësin e devijimit dhe diturinë – mënjanuesen e injorancës. Me të i çeli sytë e verbuar, veshët e shurdhër dhe zemrat e mbyllura me dry. Me të e ndriçoi botën e errësuar, i bashkoi zemrat e thyera, e drejtoi shtrembaluqen dhe e shpjegoi rrugën e qartë. Atë e përzgjodhi, ia zgjeroi e dëlirësoi gjoksin, ia lartësoi emrin dhe e përçmoi çdokënd që s'i bindet atij. E dërgoi pas ndërprerjes së vargut të profetëve dhe mësimeve e librave të tyre, pasi ishin shtrembëruar fjalët e ishin ndryshuar të vërtetat, atëbotë kur njerëzit i mbështetnin mendimet e tyre në kotësi e padrejtësi dhe jepnin vendime të kota për çka ka të bëjë mes Zotit dhe robërve të Tij. Me të i përudhi krijesat, ua ndriçoi rrugët, i nxori nga errësira në dritë dhe e ndau të shpëtuarin prej të keqit. Kush e merr udhëzimin e tij përudhet e kush heq dorë nga udhëzimi i tij devijon dhe tejkalon kufijtë. O Zot, bekoje dhe lavdërojë atë dhe mbarë profetët![44]
Nevoja e njeriut për mesazhin hyjnor mund të paraqitet përmbledhtas siç vijon:
1. Njeriu, kjo qenie e sjellë në ekzistencë nga Krijuesi dhe Poseduesi i Tij, patjetër duhet të njoftohet me Të, të dijë se çfarë do Ai prej tij dhe pse e krijoi. Po vallë, si të njoftohet?! Meqë njeriu nuk ka mundësi vetë të arrijë deri te kjo njohje e dituri, atëherë mbesin profetët dhe udhëzimet e tyre rruga e vetme dhe e duhur për të realizuar këtë synim.
2. Njeriut, kësaj qenieje të përbërë nga trupi e shpirti, s'i shkoqitet dot nevoja për ta ushqyer trupin dhe shpirtin. Ushqimi i trupit, sipas ligjit të Krijuesit të njeriut, është haja e pija, kurse i shpirtit, sipas ligjit të Krijuesit të njeriut, është feja e vërtetë dhe veprat e mira – adhurimet. Me fenë e vërtetë dhe shpjegimin e veprave të mira – adhurimeve, erdhën të dërguarit e Zotit – profetët e përzgjedhur.
3. Njeriu në natyrën e tij fillestare është fetar, andaj ai ka nevojë të patjetërsueshme për një fe, së cilës i përmbahet. Ajo fe, doemos duhet të jetë e vërtetë. Ndërsa nuk ka rrugë tjetër për te feja e vërtetë, përveçse duke u besuar profetëve dhe udhëzimeve të tyre.
4. Nga njeriu asnjëherë nuk shkoqitet nevoja për të njohur atë rrugë, e cila, në të dy botët, e shpie atë te kënaqësia dhe shpërblimet e Zotit të tij. Kurse ata që e orientojnë njeriun drejt kësaj rruge janë profetët dhe të dërguarit e Zotit.
5. Njeriut, kësaj qenieje të dobët në vetvete, vazhdimisht i rrinë në pritë armiqtë e tij: djalli devijues, shoqëria mashtruese dhe shpirti i prirë për të keqen. Prandaj, ai ka nevojë për diçka që e ruan nga kurthet e armiqve. Janë profetët ata që e orientojnë dhe e mësojnë se si të mbrohet e të ketë kujdes.
6. Njeriu si qytetar dhe qenie sociale asnjëherë nuk mund të shkëputet nga lloji i vet, me të cilët vazhdimisht ka raporte dhe marrëdhënie ndërnjerëzore. Ndaj, nevoja e tij për legjislacionin fetar është tejet thelbësore, ngase ai i konsolidon themelet e drejtësisë. Në mungesë të fesë, jeta e tyre shndërrohet në jetë xhungle. Vetëm feja e vërtetë, me një ekuilibër ideal ku nuk dëmtohet askush, ua garanton njerëzve të drejtat e tyre. E me fenë e drejtë e të kompletuar nuk vjen askush përpos profetëve dhe të dërguarve të Zotit.
7. Njeriut i duhet harta e rrugës që shpie te prehja e siguria shpirtërore dhe lumturia reale. Janë profetët ata që ia japin atë.
Pasi që e trajtuam nevojën njerëzore për profetë, tani radha është të flasim rreth jetës së mëtejme dhe argumenteve që flasin për të.
JETA E AMSHUESHME
Çdo njeri është i bindur se pashmangshëm një ditë do të vdesë, mirëpo çka pas vdekjes – cili është caku i radhës?!
A do të jetë i lumtur apo i mjerë?!
Janë të shumtë popujt që besojnë se pas vdekjes së tyre do të ringjallen dhe do të merren në llogari për veprat e tyre: në qofshin të mira, për së miri, e në qofshin të këqija, për së keqi.[45] Kjo çështje – ringjallja e llogaria, pohohet nga mendja e shëndoshë dhe mbështetet nga ligjet hyjnore. Ajo ngrihet mbi tri themele:
1. Vërtetimi dhe pohimi i diturisë absolute të Zotit të Madhërishëm.
2. Vërtetimi dhe pohimi i fuqisë absolute të Zotit të Madhërishëm.
3. Vërtetimi dhe pohimi i urtësisë absolute të Zotit të Madhërishëm.[46]
Argumentet dhe provat fetare e logjike, që e pohojnë këtë të vërtetë, janë të shumta. Prej tyre:
1. Sjellja e argumentit duke e përmendur shembullin e krijimit të qiejve dhe të Tokës; I Larti thotë: “A nuk e shohin ata se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën pa u lodhur aspak në krijimin e tyre është i Fuqishëm t'i ngjallë të vdekurit? Po, Ai është vërtet i Fuqishëm për çdo gjë." (Kurani, 46:33)
Po ashtu, thotë: “Vallë, a nuk është i Zoti Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po! Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi!" (Kurani, 36:81)
2. Argumentimi nëpërmjet faktit se, përderisa Ai është i zoti të krijojë diçka pa ndonjë mostër ekzistuese, Ai po ashtu është i zoti sërish ta rikthejë atë. Ai që ka mundësi ta shpikë një krijesë e ta sjellë në ekzistencë, për Të rikthimi i asaj krijese është çështje edhe më e thjeshtë: “Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë..." (Kurani, 30:27)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha: “Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t'i ngjallë eshtrat kur të kalben?" (Kurani, 36:78)
3. Argumentimi nëpërmjet faktit se Ai që është i zoti të krijojë njeriun në formën më të mirë, me gjymtyrë, forcë e cilësi të ndryshme, ta konstruktojë atë për bukuri, me mish, asht, damarë, e nerva e ta kompletojë me mjete, dituri, dëshira e zeje, është i zoti edhe t'i ringjallë të vdekurit.
4. Argumentimi nëpërmjet faktit se, ringjallja e të vdekurve nga ana e Zotit është diçka që ka ngjarë edhe në këtë botë, ndaj ajo do të ndodhë edhe për fillimin e jetës së fundit. Në librat hyjnorë që Zoti ua kishte shpallur profetëve janë përmendur rastet e ringjalljes së të vdekurve, gjegjësisht në dorë të Ibrahimit dhe të Mesihut – Isait (paqja qoftë mbi të!) e raste të tjera.
5. Nxjerrja e argumentit nga ato gjëra të ngjashme me ringjalljen, si provë për mundësinë e ringjalljes së të vdekurve. Prej tyre:
a. Zoti e ka krijuar njeriun prej një pike sperme, pikë e shpërndarë në tërë trupin, e cila, për shkak të kësaj shpërndarjeje, e ka edhe kënaqësinë intime të shpërndarë tek të gjitha gjymtyrët e veta. Zoti e unifikon këtë tërësi dhe e vendos në mitër, nga ku e krijon qenien njerëzore. Ai, pra, është i zoti t'i bëjë bashkë këto pjesë të shpërndara dhe prej tyre të krijojë njeriun, e po ashtu është i zoti t'i ribashkojë pjesët e njeriut të vdekur. I Madhërishmi thotë: “A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?" (Kurani, 56:59)
b. Kur ne e vendosim një farë bime në tokë të lagësht dhe e mbulojmë atë me dhé e ujë, vallë, çfarë ngjan?! Logjikisht shikuar, i bie që të kalbet e prishet. Por, jo, nuk ndodh kjo! Përkundrazi, aty ruhet, që më pastaj, kur të shtohet lagështia, ajo të plasë e të nxjerrë bimën. Ndalu pak! A nuk është kjo një provë e mahnitshme për një fuqi absolute e urtësi të gjerë?! E ky Zot, i Urtë e i Plotfuqishëm, si nuk paska mundësi t'i tubojë e rikthejë në vendin e duhur gjymtyrët e krijesës së Vet!? I Lartësuari thotë: “Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj?" (Kurani, 56:64) Ngjashëm, thotë: “Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift." (Kurani, 22:5)
6. Krijuesi i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm e i Urtë është i pastër e larg nga krijimi i gjërave për kot dhe sjellja e njerëzve në ekzistencë për kuturu. I Larti ka thënë: “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr!" (Kurani, 38:27) Përkundrazi, Ai i ka krijuar krijesat për një urtësi madhështore dhe synim të lartë. I Madhërishmi tha: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë." (Kurani, 51:56)
Assesi ky Zot i Urtë nuk e barazon robin e bindur me atë mëkatar, ngase kjo nuk i shkon madhërisë së Tij. I Larti tha: “A t'i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t'i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!" (Kurani, 38:28) Andaj, si rrjedhim i urtësisë madhështore e nënshtrimit vigan që ka Zoti, do t'i ringjallë krijesat në Ditën e Llogarisë, që vepërmirin ta shpërblejë e vepërligun ta ndëshkojë. I Madhërishmi thotë: “Tek Ai do të ktheheni të gjithë. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e zë fill krijimin e pastaj e përsërit atë, që t'i shpërblejë me të drejtë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Sa u përket atyre që nuk besojnë, ata do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar." (Kurani, 10:4)[47]
Besimi në jetën tjetër dhe ringjalljen, tek individi e shoqëria, lë gjurmë të shumta. Prej tyre:
1. Njeriu i përkushtohet Zotit me respekt e adhurim, duke e shpresuar shpërblimin e asaj jete. Po ashtu, u shmanget mëkateve, nga frika e ndëshkimit që mund ta prekë atje.
2. Njeriu që beson në ringjallje, lehtësisht e pranon mungesën e ndonjë kënaqësie në këtë botë, ngase realizimin e saj e shpreson në botën tjetër.
3. Po ashtu, kur njeriu beson në jetën tjetër, e ka të qartë se çfarë ngjan pas vdekjes, ndaj nuk jeton i pakujdesshëm, ngase atje shpërblehen vepërmirët, dënohen vepërligët, qërohen hesapet ndërmjet njerëzve dhe secili e merr hakun e vet të rrëmbyer.
4. Ky besim e ndal njeriun nga padrejtësitë kundrejt të tjerëve dhe shkelja e të drejtave të tyre. Kur njerëzit të besojnë në jetën tjetër, ata shpëtojnë nga padrejtësia dhe e liga e njëri-tjetrit.
5. Në saje të këtij besimi, njeriu e sheh këtë botë si etapë prej etapave të jetës së tij, e jo si jeta në tërësi.
Në përfundim të kësaj pjese, dua të argumentohem me fjalët e një ish të krishteri amerikan – Win Bet, i cili për një kohë kishte shërbyer në një kishë e më pastaj ka kaluar në Islam dhe ka gjetur frytet e besimit në jetën tjetër. Citoj:
“Unë tanimë i di përgjigjet e katër pyetjeve, me të cilat jam preokupuar për një kohë të gjatë në këtë jetë:
Kush jam unë?!
Çfarë dua?!
Pse kam ardhur dhe cili është pikësynimi im?![48]
BAZAT E MISIONIT DHE THIRRJES SË PROFETËVE
Profetët dhe të dërguarit e Zotit, që të gjithë bëhen bashkë te disa baza e parime konsensuale[49], siç janë: besimi në Allahun, engjëjt, librat, profetët, jeta tjetër, parapërcaktimi hyjnor – qoftë për të mirë apo për keq, po ashtu, urdhërimi që vetëm Allahu të adhurohet - duke mos ia përshkruar ndonjë ortak, ndjekja e rrugës së Zotit dhe mosndjekja e rrugicave të gabuara, e njashtu edhe ndalimi i katër gjërave të ulëta e të pista:
Punët e turpshme – qofshin publike apo të fshehta, mëkati, padrejtësia dhe idhujtaria – të adhurohet ndokush bashkë me Zotin. Po ashtu, të gjithë profetët njëzëshëm e kanë ngritur e lartësuar Zotin duke e besuar larg të pasurit grua, fëmijë, ortak e shembull, sikurse asnjëri prej tyre nuk ka thënë të pavërteta për Të. Të gjithë e ndalonin vrasjen e padrejtë të njeriut dhe të fëmijëve. Po ashtu, njëzëri e ndalonin kamatën dhe ngrënien e pasurisë së jetimit. Ata, po ashtu, unanimisht urdhëronin për realizim të premtimeve e marrëveshjeve, besnikëri e drejtësi në peshore e matje, respektim të prindërve, drejtësi ndërmjet njerëzve dhe vërtetësi në fjalë e vepra. Ata, pa asnjë përjashtim, që të gjithë e ndalonin keqpërdorimin e pasurisë, mendjemadhësinë dhe marrjen e padrejtë të pasurive të të tjerëve.
Ibn Kajimi[50], Allahu e mëshiroftë!, ka thënë:
“Legjislacionet me të cilat kanë ardhur profetët, që të gjitha, edhe nëse mund të kenë dallime anësore, janë në përputhje të plotë me njëra-tjetrën në çështjet esenciale, e mira e të cilave pashlyeshëm është e skalitur në mendjet njerëzore. Sikur ato legjislacione të ishin ndryshe nga ç'janë, do të ishin larg urtësisë, dobisë dhe mëshirës, e madje, është e pamundur që ato të vinin ndryshe nga ç'na kanë ardhur!
“Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to." (Kurani, 23:71)
E si mundet që njeriut të mençur t'i shkoje ndërmend se legjislacioni i Gjykatësit më të drejtë, mund të vinte ndryshe nga ajo që është?![51]
Andaj, të gjithë profetët e kanë një fe, siç thotë i Larti:
“O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju! Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, andaj frikësohuni prej Meje!" (Kurani, 23:51-52)
Po ashtu, i Madhërishmi tha:
“Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!" (Kurani, 42:13)
Nëpërmjet fesë synohet të realizohet qëllimi i krijimit të njeriut – adhurimi i Allahut, duke mos i përshkruar ortakë.[52] Po ashtu, te feja marrim legjislacionin, ritet, e obligimet, po edhe rrugët e realizimit të këtij qëllimi. Metodologjia e saj e përkryer e hyjnore, e cila as nuk e leqendis njeriun, po as s'e përplas natyrën e shpirtin e tij me gjithësinë që e rrethon, i siguron kënaqësinë e Zotit dhe lumturinë në të dy botët.
Thirrja e mbarë profetëve ishte për te feja hyjnore, e cila i ofron njerëzimit bazat dogmatike (bazat e besimit) që duhen besuar, po edhe legjislacionin me të cilin duhet jetuar. Andaj, Teurati ishte besim e ligj, kurse ithtarët e saj ishin të obliguar të gjykoheshin tek ai. I Larti thotë:
“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin..." (Kurani, 5: 44)
Pastaj erdhi Mesihu – Isai (paqja qoftë mbi të!), me të ishte Inxhili – në të cilin kishte dritë e udhëzim, për të vërtetuar atë që ishte shpallur më parë në Teurat. I Madhërishmi thotë:
“Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë..." (Kurani, 5: 46)
Pastaj u dërgua Muhamedi ﷺ me një legjislacion final e me një fe të përkryer, me të cilën i shfuqizoi legjislacionet pararendëse dhe i vërtetoi librat e mëparshëm. I Larti ka thënë:
“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur." (kurani, 5:48)
Zoti i Lartësuar na njofton se Muhamedi ﷺ dhe besimtarët që ishin me të, besonin në Të, ashtu sikur që kanë besuar profetët e mëparshëm. I Larti thotë:
“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij". Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë, dhe te Ti do të kthehemi!" (Kurani, 2:285)
MESAZHI I PËRHERSHËM[53]
Nga paraqitja e mëparshme që ua bëmë feve, si hebreizmi, krishterimi, zjarrëputizmi – zoroastrianizmi, si dhe paganizmat e ndryshëm, na u qartësua se në çfarë gjendje asobote, në shekullin e gjashtë, ishte njerëzimi. S'do mend se, në mungesë të fesë së drejtë, njerëzimit i tronditen dhe rrënohen edhe çështjet politike, sociale e ekonomike. Ky kaos manifestohet me luftëra të pandalshme, despotizëm e mizori, ngase kur njerëzimi jeton në errësirë të plotë e të thellë, zemrat e tyre nxihen nga mosbesimi e injoranca, etika liget, nderi shkelet, të drejtat rrëmbehen, thënë troç, e keqja shfaqet gjithkund, në Tokë e në det. Në rrjedhën logjike të një analize të denjë, mendari vrojtues e kupton se njerëzimi paskësh qenë në agoni vdekjeje dhe po nxirrte grahmat e fundit. Por jo, nuk ndodhi ajo! Njerëzimin e shpëtoi Zoti me një reformator madhështor, që e bartte kandilin e profetësisë dhe fenerin e udhëzimit, që shoqërisë njerëzore t'ia ndriçojë rrugën dhe t'i udhëzonte në udhën e drejtë.
Asokohe Zoti dha leje që profetësia e përhershme, prej Mekës në të cilën ishte “Shtëpia madhështore", të lëshonte rrezet e dritës për mbarë njerëzimin. Mjedisi mekas u ngjante mjediseve të tjera të njerëzimit, tek të cilat nuk mungonte idhujtaria, injoranca, padrejtësia dhe tirania. Mirëpo, kishte diçka që atë ambient e dallonte nga të tjerët:
1. Ishte mjedis i papërlyer prej filozofive greke, romake e indiane. Pjesëtarët e asaj shoqërie gëzonin elokuencë (gojëtari) të thellë, mendjemprehtësi të rrallë e zgjuarsi të veçantë shpikëse.
2. Si vend kishte pozicion të veçantë gjeografik, gjegjësisht binte në mes të Botës, ndërmjet Evropës, Azisë dhe Afrikës. Ky pozicion ishte faktor i rëndësishëm që mesazhi i përhershëm, për pak kohë, të arrinte të përhapej gjithandej.
3. Ai vend gëzonte siguri të veçantë. Kur Abrahaja (mbreti etiopas i një mbretërie në jug të Gadishullit Arabik), kishte organizuar ekspeditë ushtarake kundër Mekës, Zoti ia asgjësoi përpjekjet dhe e ruajti atë vend të shenjtë. Asnjë perandori fqinje, qoftë ajo Bizantine apo Perse, nuk arritën ta mbizotëronin atë. Aty dominonte siguria e qetësia. Edhe tregtitë zhvilloheshin në ambient sigurie. E tërë kjo ishte si përgatitje për nisjen e misionit të Profetit të nderuar. Zoti ua kujtoi mekasve këtë mirësi kur tha: "Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme..." (Kurani, 28:57)
4. Në Mekë, në atë ambient shkretinor, njerëzit kishin ruajtur shumë virtyte, si bujaria, fqinjësia, xhelozia, e të tjera veçori, nëpërmjet të cilave ai mjedis gatitej të ishte i përshtatshëm për mesazhin e përhershëm.
Nga ky vend madhështor, prej fisit “Kurejsh", fis i njohur për elokuencë, retorikë, moral, pozitë e udhëheqje, Zoti e përzgjodhi Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ që ai të jetë vula e profetëve dhe e të dërguarve. Lindi në shekullin e gjashtë, diku rreth vitit 570, u rrit jetim, madje, ende pa lindur, babai i tij kishte vdekur. Më vonë, kur ishte në moshën gjashtëvjeçare i vdiqën edhe e ëma dhe gjyshi i tij. Përgjegjësinë e mbikëqyrjes së tij e mori xhaxhai i tij Ebu Talibi. Që herët tek ai dukeshin shenjat e gjenialitetit. Me zakonet, sjelljet dhe virtytet e tij dallohej nga populli i vet. Ai nuk gënjente kur fliste, s'e lëndonte askënd, shquhej për vërtetësi, ndershmëri e besnikëri, aq sa populli i tij ia linin pasuritë e çmuara që t'i ruante, ndaj të cilave ishte i kujdesshëm si për vetveten dhe pasurinë vetjake, për çka nga populli i tij thirrej e njihej me emrin “Besnik". Ishte i turpshëm, andaj si i rritur, asnjëherë nuk kishte dalë para dikujt i zhveshur. Ai ishte shpirtmirë, i dëlirë e i devotshëm. E mundonte shumë ajo çka shihte te populli i tij: adhurim idhujsh, pije dehëse e gjakderdhje. Nuk ngurronte të ishte bashkë me popullin e tij kur vepronin punë të mbara, mirëpo kur u rrekeshin punëve të mbrapshta e shfrenimit shmangej nga ata. Ishte kujdestar zemërmirë për bonjakët, të vejat e të uriturit. Kur iu afrua moshës katërdhjetëvjeçare, filloi që ndjeshëm e rëndë ta përjetonte gjendjen e mjerueshme të popullit të tij. Ndaj, filloi të vetmohej dhe t'i përkushtohej adhurimit të Zotit, duke e lutur që ta përudhë në rrugën e drejtë. Gjatë kësaj periudhe i erdhi engjëlli me shpallje prej Zotit, e me urdhër që ta kumtojë këtë të vërtetë te njerëzit, t'i urdhërojë që ta adhurojnë vetëm Zotin e t'i braktisin adhurimet e idhujve. Shpallja filloi dhe në vazhdimësi shpalosej, vinin ligje e dispozita, ditë pas dite, vit pas viti, derisa Allahu e përsosi këtë fe për njerëzinë, po edhe e përkreu dhuntinë e Tij për ta. Kur Profeti ﷺ e përfundoi detyrën që pati, në moshën gjashtëdhjetetrivjeçare, ndërroi jetë, duke kaluar dyzet vjet para profetësisë, kurse njëzet e tre duke qenë profet dhe i dërguar i Zotit.
Në saje të shqyrtimit dhe studimit të historisë së profetëve, gjithsecili mund të vijë në përfundim se metodat dhe rrugët nëpërmjet të cilave verifikohej profetësia e ndonjë profeti ishin aktive dhe edhe më të qarta në rastin e profetësisë së Muhamedit ﷺ për ta vërtetuar atë.
Nëse e shikon me kujdes se si është transmetuar profetësia e Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!), gjegjësisht në rrugët më autentike, do të shohësh se po me atë rrugë është përcjellë edhe profetësia e Muhamedit ﷺ, madje, me shkallë autenticiteti e besueshmërie edhe më të lartë, duke mos harruar edhe distancën kohore, ku profetësia e fundit, ishte ajo e reja - e afërmja.
Me po të njëjtën shkallë të lartë të autenticitetit janë transmetuar edhe mrekullitë e provat e tyre dhe, madje, sa i përket Muhamedit ﷺ ajo shkallë besueshmërie është edhe më e avancuar, ngase argumentet e tij janë të shumta, të prira nga Kurani Madhështor, i cili vazhdon të transmetohet, leximi dhe shkrimi i tij, me autenticitetin më sipëror dhe besueshmërinë më të palëkundshme.
Nëse krahasohen besimi i drejtë, ligjet e urta dhe dituritë e dobishme me të cilat kishin ardhur Musai e Isai (paqja qoftë mbi ta!), me ato me të cilat kishte ardhur Muhamedi ﷺ, do të zbulohej se drita e tyre vinte nga i njëjti kënd, nga ai i profetësisë.
Po edhe nëse krahasohen pasuesit e profetëve me ata të Muhamedit ﷺ, do të bëhet e qartë se bëhet fjalë për një palë njerëzish. Këta ishin njerëzit më të dobishëm për shoqërinë njerëzore, po edhe ndjekësit më të denjë të mbarë profetëve e që më së shumti ndikuan te gjeneratat pas tyre, ishin të angazhuar në përhapjen e monoteizmit, promovimin e së drejtës dhe shpërndarjen e mëshirës për të dobëtit e të vobektit.[54]
Nëse dëshiron shpjegime argumentuese shtesë për profetësinë e Muhamedit ﷺ, po t'i paraqes disa prova dhe shenja të cilat i kishte gjetur Ali ibn Raban El-Taberiu, një i krishterë i cili kishte kaluar në Islam pasi i kishte kuptuar këto të vërteta:
1. Thirrja e tij këmbëngulte që vetëm Zoti të adhurohet dhe të braktiset adhurimi i çdokujt tjetër përveç Tij, thirrje kjo e njëjtë me atë të profetëve të mëparshëm.
2. Ai demonstroi shenja të qarta, me të cilat nuk mund të paraqitet askush përpos profetëve të Zotit.
3. Ai paralajmëroi për ndodhi të së ardhmes, të cilat ndodhën ashtu siç ai i kishte dëftuar.
4. Ai predikoi për ngjarje të shumta të botës e të vendeve të saj, të cilat ngjanë siç i paralajmëroi ai.
5. Libri me të cilin erdhi Muhamedi ﷺ, pra Kurani, është një prej provave më dëftuese të profetësisë së tij. Kjo ngase ai është libri me retorikën më të lartë, kurse personi të cilit i vinte shpallja ishte analfabet, që nuk lexonte e nuk shkruante. E, madje, mbarë gojëtarët ishin sfiduar në mund të vinin me diçka sikur ai apo të sjellin qoftë vetëm një pjesë (sure) sikur të tij. Zoti e mori për detyrë ta ruajë këtë libër, me të cilin e ruajti besimin e vërtetë dhe legjislacionin më të përkryer, përmes së cilave e ngriti komunitetin dhe popullin më të mirë.
6. Ai ishte vula e profetëve e sikur të mos dërgohej, atëherë të gjitha profetësitë e mëparshme që e paralajmëronin ardhjen e tij, do të ishin të pavlera e të pavërteta.
7. Profetët (paqja qoftë mbi ta!), që herët e kishin predikuar ardhjen e tij, madje kishin dhënë përshkrime për misionin dhe vendin e tij. Po ashtu, kishin treguar se popujt e mbretërit do t'i nënshtroheshin atij dhe komunitetit të tij, kurse feja e tij do të përhapej gjithandej.
8. Ngadhënjimi i tij kundrejt armiqve që iu kishin kundërvënë është një prej provave të profetësisë së tij. Është e pamundur një pretendues i rrejshëm i profetësisë të ndihmohet nga Zoti me fitore, pushtet, përhapje të thirrjes dhe shtim të pasuesve. Të gjitha këto realizohen vetëm te një profet i vërtetë.
9. Ritet, ndershmëria, vërtetësia dhe virtytet e larta me të cilat shquheshin ai dhe kauza e tij, nuk harmonizohen tek askush tjetër përpos se te një profet.
Pasi i radhiti këto prova, ky fatlum që e kishte gjetur udhëzimin, tha:
“Ai që pajiset me këto tipare të ndritshme e prova të mjaftueshme, doemos është profet, fitimtar e ngadhënjimtar. Është obligim ta besosh, ndërsa kush e mohon atë, i shkon mundi huq dhe i dergjet jeta në të dy botët!"[55]
Në përfundim të kësaj pjese, po të ofroj dy dëshmi:
Dëshminë e mbretit bizantin, i cili ishte kohanik i Muhamedit ﷺ dhe dëshminë e një të krishteri anglez, e që ishte edhe thirrës në krishterim, John Saint.
Dëshmia e Herakliut
Buhariu e shënon rrëfimin e Ebu Sufjanit, kur këtë e kishte thirrur perandori i Bizantit:
“Na ka dëftuar Ebu'l-Jeman El-Hakem ibn Nafiu, i cili tha se më ka treguar Shuajbi, e ai prej Zuhriut, i cili tha se më ka treguar Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi, se Abdullah ibn Abasi i ka dëftuar se Ebu Sufjan ibn Harbi i kishte rrëfyer atij se: “Teksa ishim me karavanin kurejsh që tregtonte në Sham, Herakliu na e dërgoi një kumtar, pikërisht në atë kohë kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në paqe të përkohshme[56] me Ebu Sufjanin dhe jobesimtarët kurejshë. Këta u shkuan atyre në Aelia (emër greko-romak i Jerusalemit), ku qenë të ftuar në një mbledhje, në të cilën perandori përreth vetes kishte edhe shtresën fisnike të Bizantit. I thirri ata, po edhe përkthyesin e vet. ﷻ tha: “Cili prej jush është familjari më i afërm i këtij burri që pretendon se është profet?!" Ebu Sufjani tha: “Nga këta këtu, unë jam më i afërmi i tij!" Tha: “Ma sillni mua këtu pranë, e prapa tij le të afrohen shoqëruesit e vet!" I tha përkthyesit të vet: “Unë këtë kam për ta pyetur rreth këtij burri, andaj nëse ai më gënjen, ju përgënjeshtrojeni!" Tha: “Për Zotin, veç turpi nga të gënjyerit qoftë edhe vetëm një herë, se përndryshe e kisha mendjen të flisja rrejshëm për të!" Pyetja e parë ishte se: “Çfarë loze ka ai në shoqërinë tuaj?!" I thashë: “Loza e tij te ne llogaritet fisnike!" Tha: “Këtë që ai e thotë sot, a e thoshte dikush te ju përpara tij?!" I thashë: “Jo!" Tha: “A ishte ndonjëri prej etërve të tij mbret?!" Thashë: “Jo!" Tha: “Cila klasë e shoqërisë po e pason, ajo fisnike apo ajo e dobët?!" Thashë: “Shtresa e dobët!" Tha: “A shkojnë duke u shtuar apo duke u pakuar?!" I thashë: “Veç çka shtohen!" Tha: “A ngjan që dikush pasi ta ketë pranuar fenë e tij ta lërë atë i revoltuar?! Thashë: “Jo!" Tha: “Në të kaluarën, para se të dilte me këto fjalë, a e keni akuzuar ndonjëherë për gënjeshtra?!" Thashë: “Jo!" Tha: “A tradhton dhe a shkel në besë?!" Thashë: “Jo! Porse tani e kemi një marrëveshje me të e nuk e dimë se çka do të veprojë!" Ebu Sufjani tha: “Nuk pata ndonjë mundësi të them ndonjë gjë kundër tij, përveç kësaj!". Pastaj tha: “A e keni luftuar?!" Thashë: “Po!" Tha: “Si vete lufta?!" Thashë: “Luftërat tona ishin të dyanshme për nga fitoret dhe humbjet!" Tha: “Çfarë ju urdhëron?!" Thashë: “Ai thotë: 'Adhurojeni vetëm Zotin, e mos i shoqëroni Atij askënd; braktisni atë çfarë thoshin etërit tuaj'; Po ashtu, na urdhëron me namaz, vërtetësi, ndershmëri e ruajtje të farefisnisë." I tha përkthyesit: “Thuaji: Të pyeta për lozën e tij, e ti më the se ai vjen nga një lozë fisnike. E pra, kështu janë profetët, ata dërgohen te lozat më të nderuara të popullit të tyre! Të pyeta nëse ndokush më parë kishte pohuar atë që ai po e thotë e ti më the se jo. E pra, sikur dikush ta kishte thënë më parë këtë çfarë ai e pohon, do të thosha se ky po imituaka ndonjë fjalë të thënë më parë. Të pyeta se a ishte mbret dikush nga paraardhësit e tij, e ti më the se jo. Sikur të ishte dikush nga baballarët e tij mbret, do të thosha se ky kërkuaka mbretërinë e etërve të vet. Të pyeta nëse në të kaluarën, para se të thoshte këtë çfarë po e pohon, e keni akuzuar për gënjeshtra e ti më the se, jo. Nga kjo kuptoj se, përderisa ai ka braktisur gënjeshtrën ndaj njerëzve, s'ka si të gënjejë ndaj Zotit. Të pyeta se kush po e ndjek atë, shtresat fisnike apo ato të dobëta e ti më the se të dobëtit. E pra, përherë këta janë pasuesit e profetëve. Të pyeta se a po shtohen apo pakohen e ti më the se po shtohen. Kështu pra është çështja e besimit, derisa ai të kompletohet. Të pyeta nëse, ndonjëri prej tyre pasi ta pranojë fenë, e lë atë i revoltuar e ti më the se jo. E kështu pra ngjan me besimin, kur këndshmëria dhe kënaqësia e tij mishërohet me zemrat. Të pyeta nëse bën tradhti e ti më the se jo. Kështu janë profetët, ata nuk tradhtojnë e as nuk presin në besë. Të pyeta se çfarë ju urdhëron e ti më the se ai thotë: 'Adhurojeni vetëm Zotin, e mos i shoqëroni Atij askënd; braktisni atë çfarë thoshin etërit tuaj', e po ashtu the se na urdhëron me namaz, vërtetësi, ndershmëri e ruajtje të farefisnisë. Kështu që, nëse ajo çfarë na dëftove është e vërtetë, atëherë, pa dyshim, këtë tokë që e kam shkelur unë ka për ta sunduar ai. E dija se ai do të paraqitej në këtë kohë, po s'e mendoja se do të ishte nga ju e sikur të sigurohesha se do të arrija tek ai, nuk do të ngurroja që t'ia mësyja takimit me të, e po të isha pranë tij, do t'ia laja këmbët!" Pastaj kërkoi t'i sillnin letrën e profetit të Zotit ﷺ, të cilën Dihja ia kishte dërguar prijësit të Bosrasë, kurse ai Herakliut. E lexoi çfarë kishte në të: “Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit! Nga Muhamedi, robi dhe i dërguari i Zotit, për perandorin e Bizantit. Paqja qoftë për atë që e ndjek udhëzimin! Kështu, pra, unë të thërras në Islam. Bëhu musliman, do të shpëtosh, ashtu si edhe do të shpërblehesh dyfish nga Zoti. Po nëse zmbrapsesh dhe refuzon, atëherë mbi ty bie mëkati i arianëve (ithtarëve të Ariusit): “Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t'i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin në vend të Allahut!" Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut (jemi muslimanë)!" (Kurani, 3:64)[57]
Dëshmia e thirrësit anglez në krishterim, John Saint
Ai thotë: “Pasi kisha lexuar gjërë e gjatë rreth Islamit, mësova se parimet e tij ishin në shërbim të individit e shoqërisë e, po ashtu, e kuptova se kjo fe, nëpërmjet drejtësisë së saj, ndërton shoqëri të qëndrueshme mbi themelet e barazisë dhe monoteizmit. Fillova t'i qasem dhe të anoj nga ajo me mendje e shpirt, andaj që atëherë i dhashë besën Zotit të Lartësuar se kam për ta përhapur e promovuar Islamin në çdo vend!"
Ai kishte arritur te kjo bindje e fortë, pas studimit të hollësishëm të krishterimit, fe tek e cila nuk mori përgjigje për pyetjet e zakonshme që kanë njerëzit në këtë jetë. Aty ishte filli i dyshimit dhe lëkundjes së tij. Ndaj, përpjekja e radhës ishte studimi i komunizmit dhe budizmit, mirëpo as aty nuk e gjeti atë që e kërkonte. Më pastaj iu qas studimit të Islamit me një qasje të thellë, nga e cila përfundoi ithtar dhe propagandues i kësaj feje.[58]
PËRFUNDIMI I PROFETËSISË
Më parë treguam realitetin, shenjat dhe provat e profetësisë. Po ashtu, i radhitëm argumentet e profetësisë së profetit tonë, Muhamedit ﷺ. Tani, para se të flasim rreth përfundimit dhe vulosjes së profetësisë, duhet të mësojmë arsyet pse Zoti i dërgon profetët. Prej këtyre arsyeve janë:
1. Kur një profet dërgohet me mision vetëm te një popull, për çka ai edhe nuk është i obliguar të angazhohet me kumtim te popujt fqinj, atëherë Zoti e dërgon një profet te populli tjetër, me mision të veçantë për të.
2. Kur misioni i profetit të mëparshëm shuhet në tërësi, atëherë Zoti e dërgon një profet që t'ua ripërtërijë njerëzve fenë e tyre.
3. Kur legjislacioni i kumtuar nga një profet është i vlefshëm dhe i përshtatshëm vetëm për kohën e veprimtarisë së tij, atëherë, pasi të përfundojë periudha e tij, Zoti e dërgon një profet, i cili vjen me mesazh e legjislacion të përshtatshëm për vendin dhe kohën e misionit të ri. Me urtësinë e Tij, Ai, madhëruar qoftë, e dërgoi profetin Muhamed ﷺ me një mesazh të përgjithshëm për mbarë banorët e rruzullit tokësor, por edhe të përshtatshëm për çdo kohë e vend, përveç kësaj, atë që ai e kumtoi e ruajti nga duart e falsifikimit dhe shtrembërimit, në mënyrë që proklamata e tij të mbesë e gjallë për sa të jenë njerëzit dhe të gjejnë gjallëri në të, por edhe e pastër dhe e papërlyer nga njollat e shfytyrimit dhe modifikimit. Kështu pra, ky mesazh mbeti i fundit dhe vulë e tërë mesazheve të mëparshme.
Pra, Muhamedi ﷺ u veçua nga Zoti, si vulë e profetësisë, pas të cilit nuk ka më profet. Me të Zoti i kompletoi mesazhet, i vulosi legjislacionet dhe e përfundoi ndërtesën, kështu u realizua profetësia dhe paralajmërimi përgëzues i Mesihut (paqja qoftë mbi të!), i cili tha: “A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë: 'Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit'" (Dhiata e re, Mateu, 21:42)
Prifti Ibrahim Halili, i cili më pas është bërë musliman, vlerëson se ky tekst biblik është në përputhshmëri me fjalën e profetit Muhamed ﷺ:
“Shembulli im në krahasim me atë të profetëve të mëparshëm është sikur rasti i një njeriu që e ndërton një shtëpi për bukuri e lakmi, mirëpo e lë mangët pa një tullë te një qoshe. Kur të kalojnë njerëzit aty pari, mbesin të mahnitur, mirëpo edhe thonë: “Sikur t'i vendosej edhe kjo tullë!" E pra, tulla jam unë dhe unë jam vula e profetëve".[59]
Për këtë arsye, Zoti e bëri librin e shenjtë me të cilin erdhi Muhamedi ﷺ shfuqizues të librave të mëparshëm, sikurse e bëri fenë dhe legjislacionin e kumtuar nga ai shfuqizues të të gjitha legjislacioneve të mëparshme. Ai e mori për detyrë që Vetë ta ruajë mesazhin e tij, ndaj kjo proklamatë u transmetua me shkallën më të lartë të autenticitet, qoftë Kurani, i cili, në tërësi, si lexim e shkrim, u transmetua me autenticitetin më kulmor, po ashtu edhe Suneti i tij – fjala, udha e shembulli profetik u transmetua me besueshmërinë më të lartë.
Edhe zbatimi praktik i mësimeve e ligjeve të kësaj feje, që nga adhurimet e deri te dispozitat, është përcjellë në rrugë më se të sigurt e autentike.
Nëse i lexon koleksionet dhe librat që e kanë shënuar jetëpërshkrimin dhe traditën profetike, do të kuptosh se shokët e tij, -paçin kënaqësinë e Zotit!-, ia kishin ruajtur e transmetuar njerëzimit çdo hollësirë që kishte të bënte me të: situatat e jetës, fjalët e thëna, veprimet, adhurimet e bëra për Zotin, luftërat, përmendjen e Zotit, kërkimin e faljes tek Ai, bujarinë e trimërinë që kishte, po edhe mirësjelljen shembullore me të cilën i trajtonte shokët dhe delegacionet, sikurse edhe detajet që lidheshin me gëzimin, mërzinë, udhëtimin, banimin, hajen, pijen, veshjen, zgjimin dhe gjumin e tij. E kur ta ndiesh madhështinë e kësaj përpikërie në transmetimin e gjithçkaje që ndërlidhej me të, do të bindesh se kjo fe është e garantuar dhe e ruajtur nga vetë Zoti, sikurse do të kuptosh se bëhet fjalë për vulë të profetëve, ngase Zoti na ka treguar se ky profet është vula e profetëve. I Larti tha:
"Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve..." (Kurani, 33:40)
E i Dërguari i Zotit, Muhamedi ﷺ tha për vetveten:
“Jam dërguar për mbarë krijesat, e me mua u vulos vargu i profetëve!"[60]
Tani erdhi koha që t'ju njoftojmë me Islamin – realitetin, burimet, shtyllat dhe shkallët e tij.
DOMETHËNIA E FJALËS 'ISLAM'
Nëse u referohemi fjalorëve gjuhësorë, do të gjejmë shpjegimin e nocionit 'islam' të përpiluar siç vijon: “T'i bindesh, nënshtrohesh e dorëzohesh, po edhe ta respektosh, pa kurrfarë kundërshtimi, Atë që të urdhëron e të ndalon!" E Zoti e ka quajtur fenë e vërtetë me këtë emër, pra 'islam', ngase kjo fe shpjegohet si bindje, nënshtrim e respekt, pa ndonjë kundërshtim, për Zotin, duke e njësuar në adhurim e duke i besuar. Kështu, pra, nocioni 'islam', u bë emërtim i fesë me të cilën erdhi Muhamedi ﷺ.
PREZANTIMI I ISLAMIT
Pse e mori kjo fe emrin 'Islam'?!
Çdo fe në botë e ka emrin e saj të përveçëm, që herë i atribuohet emrit të ndonjë personaliteti e herë ndonjë komuniteti të caktuar. Krishterimi e mori emrin nga Krishti, kurse budizmi nga themeluesi i saj, Buda, kurse zoroastrianizmi e mori këtë emër, ngase themeluesi dhe flamurtari i saj ishte Zoroasteri, ndërsa hebreizmi – jehudizmi u paraqit te një fis i quajtur jehuda – judah, e kështu me radhë. Vetëm Islami nuk i atribuohet asnjë personi të veçantë e as ndonjë populli të caktuar. Emri i tij flet për një përshkrim specifik që vetë domethënia e fjalës 'Islam' e përfshin ndër vete. Kjo domethënie nxjerr në pah se kjo fe nuk është produkt njerëzor, po as nuk i dedikohet një populli të veçantë. Thënë troç, synimi dhe thelbi i kësaj feje është që mbarë banorët e Tokës t'i vishen e t'i atribuohen cilësisë së 'Islamit', së cilës, kushdo që i përshkruhet, qoftë në të kaluarën, në të tashmen apo në të ardhmen, e merr emrin dhe vlerësimin e të qenit musliman.
REALITETI I ISLAMIT
Gjithçka në këtë gjithësi i detyrohet një rregulloreje të caktuar dhe një ligji e zakoni të paluhatshëm. Dielli, Hëna, yjet e Toka, të gjitha i nënshtrohen një sistemi të pashmangshëm, nga i cili assesi nuk mund të dalin a të lëvizin. Po kështu edhe njeriu. Nëse e vrojton çështjen e tij, të bëhet e qartë se edhe ai u detyrohet zakoneve e ligjeve të përcaktuara nga Zoti, kështu që e tërë qenia e tij, që nga frymëmarrja, e deri te ndjenjat e nevojës për ujë, ushqim, dritë e nxehtësi, janë në harmoni me parapërcaktimin hyjnor dhe sistemimin që Zoti i ka bërë jetës së tij, andaj, i tërë organizmi i bindet këtij sistemi, po edhe funksionimi i organeve nuk realizohet ndryshe përpos se në përputhshmëri me atë që e ka sistemuar Zoti.
Ky parapërcaktim gjithëpërfshirës, të cilit i nënshtrohet e i bindet çdo gjë në gjithësi, që nga planeti më i madh në qiell e deri te thërrmija më e imët në rërën e Tokës, është parapërcaktim i Zotit Madhështor e të Fuqishëm. E nëse gjithçka në gjithësi iu nënshtruaka këtij parapërcaktimi, atëherë i bie që gjithçka i bindet urdhrit të këtij Mbreti të Fuqishëm. Shikuar nga ky këndvështrim, qartësisht e perceptojmë se Islami është feja e gjithësisë, ngase 'Islam' do të thotë: t'i bindesh e ta respektosh urdhrin dhe ndalesën e urdhëruesit, pa ndonjë kundërshtim, siç e mësove më parë. Kështu që, gjithçka në gjithësi është e nënshtruar dhe e dorëzuar, që të gjithë pa përjashtim: Dielli, Hëna, Toka, ajri, uji, drita, errësira, nxehtësia, pemët, gurët, e kafshët. Po, pra, të gjithë, madje edhe njeriu që s'e njeh Zotin, që e mohon ekzistencën dhe shenjat e Tij dhe adhuron dikë tjetër përveç Tij dhe i përshkruan Atij ortakë, edhe ky njeri, për nga natyra e tij në të cilën është krijuar, i është dorëzuar e nënshtruar Zotit.
Tani, pasi ta kemi kuptuar këtë koncept, le të analizojmë rastin e qenies njerëzore dhe do të gjejmë aty dy faktorë themelorë:
I pari: Natyra fillestare dhe e paprekur në të cilën Zoti e ka krijuar njeriun. Edhe ajo i nënshtrohet dhe i bindet Zotit. Tek ajo është e skalitur dashuria që ta adhurojë Atë, të afrohet tek Ai, ta dojë atë që Ai e do: të vërtetën, të mirën, vërtetësinë etj.; po edhe ta urrejë atë që Ai e urren: të kotën, të keqen, padrejtësinë etj. Njashtu, aty është e ngulitur dashuria për pasurinë, familjen e fëmijët, po edhe dëshira për haje, pije, marrëdhënie intime e nevoja të tjera fizike, nëpërmjet të cilave funksionon organizmi dhe angazhohet në realizimin e atyre nevojave.
I dyti: Vullneti dhe zgjedhja e njeriut, të cilit Zoti i dërgoi profetë e i shpalli libra, që të bëjë dallimin në mes të vërtetës dhe të pavërtetës, udhëzimit dhe devijimit, të mirës dhe të keqes. Po ashtu, i dha mendje e intelekt, që këtë përzgjedhje ta bëjë nën dritën e diturisë. E pas kësaj, ai me dëshirën e vet e zgjedh rrugën e së mirës, për të shkuar drejt së vërtetës e udhëzimit ose rrugët e së keqes, për të shkuar drejt së ligës dhe humbjes.
Njeriu, shikuar nga aspekti i parë, është i gatitur të jetë i dorëzuar e i nënshtruar, sikurse krijesat e tjera.
Ndërsa, shikuar nga aspekti i dytë, e gjejmë përzgjedhës të lirë, o musliman o femohues; o falënderues o mosmirënjohës.
Andaj, i gjejmë njerëzit dy llojesh:
Te lloji i parë bien ata që e njohin Krijuesin e tyre, të Cilin e besojnë për Zot, Mbret e Posedues të çdo gjëje dhe e veçojnë me adhurim. Këta, sikurse që në natyrën e tyre i binden dhe i dorëzohen ligjit dhe parapërcaktimit të Zotit, njashtu edhe në aspektet e tjera të jetës ku mund të përzgjedhin, ata e ndjekin ligjin e Tij. Këta pra janë muslimanët e kompletuar – të dorëzuarit e përkryer, sepse Islami (dorëzimi) i tyre është i plotë. Dituria e tyre shkon nga e mbara, ngase e njohin Zotin dhe Krijuesin e tyre, i Cili u ka dërguar profetë dhe u dhuroi efikasitet intelektual, për çka mendja e tyre është e shëndoshë dhe mendimet e tyre janë të qëndrueshme. Pas meditimit të tyre, ata nuk kanë vendim tjetër përpos që ta adhurojnë vetëm Zotin, i Cili i ka nderuar me dhuratën e quajtur logjikë e mendje. Gjuhët e tyre e shqiptojnë vetëm të vërtetën, sepse e pohojnë vetëm një Zot, i Cili ua dhuroi aftësinë e shqiptimit dhe fjalës. Jeta e tyre përthekon thuajse vetëm të vërtetën, ngase ajo, në çështjet ku njeriu ka mundësi zgjedhjeje, i është dorëzuar ligjit të Zotit. Kështu, mes tyre dhe krijesave të tjera në gjithësi forcohet lidhja e njohjes dhe e shoqërimit, ngase ata nuk i kushtojnë adhurime askujt tjetër përveç Zotit, të Urtit, e të Gjithëdijshmit, të Cilin e adhurojnë dhe tek urdhri e parapërcaktimi i të Cilit dorëzohen të gjitha krijesat, të cilat në esencë janë të nënshtruara për dobinë e vetë njeriut.
REALITETI I MOSBESIMIT - MOHIMIT
Te lloji i dytë, shohim njerëz të tjerë. Ata lindin dhe jetojnë duke qenë të nënshtruar, mirëpo pa e ndierë dhe pa e logjikuar këtë dorëzim e nënshtrim. Ata nuk e njohin Zotin e tyre, nuk i besojnë ligjit hyjnor, nuk i ndjekin profetët, nuk i shfrytëzojnë dituritë dhe mendjen, këto dhurata të Zotit, për ta njohur Atë që i solli në ekzistencë e u dha dëgjim e shikim. E mohojnë ekzistencën e Zotit, me kryeneçësi refuzojnë ta adhurojnë, e nuk i nënshtrohen ligjit të Zotit në ato çështje ku nënshtrimi i tyre realizohet në bazë vullnetare (kanë mundësi zgjedhjeje), i përshkruajnë Zotit të tyre ortakë, si dhe këmbëngulin në mospranimin e provave që flasin për njëshmërinë e Tij, këta pra janë jobesimtarët – kafirët. Në gjuhën arabe, fjala “kufër" – prej nga vjen fjala “kafir" – jobesimtar, e ka domethënien e mbulimit, mbështjelljes dhe fshehjes. Ndaj, arabët thonë: “E mbështjelli (kefere) parzmakun me rroba" kur duan të tregojnë se mbi të është veshur një rrobë.
Kështu pra, jobesimtarit, të cilin e përshkruam më lart, i thuhet “kafir", ngase ai e ka mbuluar dhe mbështjellë natyrën e tij me injorancë dhe cektësi. Më parë e kuptove se të gjithë njerëzit lindin në natyrën e dorëzimit – Islamit, andaj edhe organizimi i tyre nuk funksionon ndryshe veçse në harmoni me natyrën e dorëzimit – Islamit. Po as bota përreth njeriut nuk qarkullon ndryshe veçse në saje të zakonit dhe ligjit të dorëzimit. Mirëpo, ky njeri mohues mori për gëzof injorancën dhe mendjelehtësinë, të cilat ia mbuluan mendjes së tij natyrën e botës dhe natyrën e vetes së tij, e për pasojë, nuk i shfrytëzon aftësitë intelektuale për gjë tjetër përveçse për atë që përplaset me natyrën fillestare të tij, të cilën natyrë përpiqet ta zhvleftësojë e shkatërrojë.
Ti vetë mund ta vlerësosh se sa i thellë është devijimi e humbja e kafirit – jobesimtarit![61]
Ky Islam, i cili kërkon nga ti që t'i përmbahesh, nuk është çështje e vështirë, përkundrazi është i kollajshëm me lehtësimin që vetë Zoti i ka bërë, ngase Islami – dorëzimi, është rregulli të cilit i përmbahet e tërë gjithësia.
"...ndërkohë që Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir..." (Kurani, 3:83)
Islami është feja e Zotit, siç ka thënë Ai, madhëruar qoftë:
"Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami." (Kurani, 3:19).
Po ashtu, Islami është t'i nënshtrohesh Zotit me tërë qenien tënde, siç ka thënë i Madhërishmi:
"Nëse ata të kundërshtojnë ty (o Muhamed) thuaju: “Unë i përulem vetëm Allahut, e po ashtu edhe ata që më pasojnë mua"." (Kurani, 3:20)
Profeti i Zotit, Muhamedi ﷺ na e bëri të qartë domethënien e Islamit, kur tha:
"T'ia dorëzosh Zotit zemrën tënde, të drejtohesh nga Ai me adhurim dhe ta japësh lëmoshën e detyrueshme!"[62]
Dikush e pyeti të Dërguarin e Zotit ﷺ:
“Ç'është Islami?!" Ai tha: “T'ia dorëzosh Zotit zemrën tënde dhe të jesh, me dorën dhe gjuhën tënde, i padëmshëm për muslimanët!" Tha: “E cili Islam (cila vepër) është më me vlerë?!" Tha: “Besimi!" Tha: “E ç'është besimi?!" Tha: “Ta besosh Zotin, engjëjt e Tij, po edhe librat dhe të dërguarit e Tij, si dhe ringjalljen pas vdekjes!"[63]
E siç ka thënë i Dërguari ﷺ:
"Islami është të dëshmosh se s'ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh ramazanin dhe, kur të kesh mundësi, ta bësh haxhin në Qabe!"[64]
Po ashtu, ai ka thënë:
“Musliman i vërtetë është ai që me dorën dhe gjuhën e vet s'e dëmton askënd prej muslimanëve!"[65]
Ky është Islami, përveç të cilit, Zoti nuk i pranon njerëzimit asnjë fe tjetër. Mbarë profetët ishin në këtë fe. Zoti tregon për Nuhun:
"Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t'ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu!" Deri te fjala e Tij: "Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nënshtrohen (Atij) (të jem njëri prej muslimanëve)." (Kurani, 10:71-72)
E për Ibrahimin, i Lartmadhërishmi tha:
"Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!" - ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të gjithësisë!" (Kurani, 2: 131)
E për Musain, i Larti tha:
"Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni muslimanë!" (Kurani, 10:84)
E për rastin e Mesihut - Isait, tha:
"Dhe se si kur i urdhërova dishepujt: “Besomëni Mua dhe të Dërguarit Tim!" - ata u përgjigjën: “Ne besojmë, prandaj dëshmo se Ty të jemi dorëzuar!" (Kurani, 5:111)
Pra kjo fe – Islami i merr ligjet, besimet dhe dispozitat e veta nga shpallja hyjnore – Kurani dhe tradita profetike, për çka në vijim do të jap një trajtesë të shkurtër.
BAZAT DHE BURIMET E ISLAMIT
Ithtarët e feve të kota e të sajuara e kanë zakon t'i shenjtërojnë librat e tyre të trashëguar - të shkruar në kohë të lashta, për të cilët mbase nuk kanë asnjë dijeni se kush i shkroi, e kush i përktheu apo në cilën kohë janë shkruar. I shenjtërojnë, edhe pse ata janë shkruar nga vetë njerëzit, të cilët nuk zhvishen dot nga cilësitë njerëzore si dobësia, mangësia, ëndja e harresa.
Islami dallon rrënjësisht! Ai bazohet në burimin e vërtetë, pra në shpalljen hyjnore – Kuranin dhe traditën profetike. Në vijim do t'ju njoftoj shkurtimisht me këtë burim.
BURIMI I PARË: KURANI MADHËSHTOR
Treguam më parë se Islami është feja e Zotit. Ai ia shpalli profetit të Tij, Muhamedit ﷺ Kuranin – udhëzim për të devotshmit, normë e kushtetutë për muslimanët, shërim për gjokset e fatlumëve e dritë për fatbardhët. Ky libër përmban bazat për të cilat janë dërguar mbarë profetët[66], ndaj ai nuk konsiderohet i pari libër i shpallur, po as profeti Muhamed ﷺ nuk është i pari profet i dërguar te njerëzit nga Zoti. Zoti ia shpalli Ibrahimit fletushkat, Musait Teuratin, Davudit Zeburin, e Mesihut Inxhilin. Këta libra janë nga Zoti, i Cili ua shpalli profetëve dhe të dërguarve të Tij. Mirëpo, pjesa më e madhe e librave të mëparshëm humbi, u shua dhe në to u fut dora gjarpëruese, duke bërë shtrembërime e ndryshime.
Ndryshe nga Kurani madhështor, të cilin Zoti e garantoi dhe e bëri shfuqizues të librave të mëparshëm. I Madhërishmi thotë:
"Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre." (Kurani, 5:48)
E cilësoi këtë shpallje si sqarim të çdo gjëje. I Larti tha:
"Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje." (Kurani, 16:89)
Po ashtu, e përshkroi si udhëzim e mëshirë. I Madhërishmi tha:
"Pra, ju ka ardhur nga Zoti juaj provë e qartë, udhërrëfim dhe mëshirë!" (Kurani, 6:157)
Njashtu, e cilësoi si shpirje drejt më të mirës. I Larti tha:
"Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira." (Kurani, 17:9)
Pra, ky libër e udhëzon njerëzimin, në çdo pore të jetës së tyre, në rrugën më të drejtë e më të mirë.
Ky libër është një prej provave të përhershme që dëshmon deri në ditën e fundit për profetin Muhamed ﷺ. Provat dhe mrekullitë që profetët e mëparshëm i kishin, merrnin fund me përfundimin e jetës së tyre, ndryshe nga Kurani, atë e bëri Zoti argument të përjetshëm.
Po ashtu, e bëri provë bindëse e argument mahnitës. Me të Zoti e sfidoi mbarë njerëzimin, duke i bërë thirrje të sjellin diçka si ai, nja dhjetë kapituj ose të paktën vetëm një kaptinë. Por askush s'ia doli, edhe pse ky libër përbëhet nga shkronja e fjalë, madje, i qe zbritur një populli të njohur për gojëtari. I Madhërishmi tha:
"Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)", thuaju: “Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (në ndihmë) kë të mundeni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën." (Kurani, 10:38)
Prej provave që dëshmojnë se ky Kuran është shpallje prej Zotit është prania e shumë lajmeve rreth popujve të mëparshëm, po edhe e paralajmërimeve për ngjarje të së ardhmes, të cilat ngjanë siç janë parathënë, si dhe prania e argumenteve shkencore të pazbuluara nga shkencëtarët më parë, përveçse në kohën tonë moderne që janë zbuluar disa nga to. Gjithashtu, këtë e dëshmon edhe fakti se profetit të cilit i ka zbritur Kurani, nuk i ka zbritur para tij (Kuranit) e as nuk ka pretenduar më parë që t'i ketë zbritur diç e njëjtë apo e ngjashme me të. I Larti thotë:
"Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t'jua kisha lexuar dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë, a nuk po mendoni?" (Kurani, 10:16)
Ai ishte një analfabet – nuk lexonte e as nuk shkruante. Ai nuk kishte frekuentuar ndonjë klerik, po as që ishte ulur te ndonjë mësues. Por, megjithatë, askush nga njerëzit, madje asnjë gojëtar i shquar, edhe pse u sfiduan të gjithë, nuk arritën të vijnë me diçka sikur ky libër:
"Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin." (Kurani, 29:48)
Te ky burrë që nuk lexonte e nuk shkruante, e të cilin edhe Teurati e Inxhili e përshkruante se është analfabet, vinin murgjit dhe dijetarët e hebrenjve dhe të krishterëve, që ta pyesnin e të merrnin vendimin e tij në lidhje me mospajtimet dhe përplasjet e tyre. Kurse lajmi për këtë profet ishte përmendur edhe në Teurat e Inxhil. Zoti na tregon:
"Dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Inxhil (Ungjill). Ai do t'i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t'i ndalojë nga të këqijat; do t'ua lejojë të mirat e do t'ua ndalojë të këqijat..." (Kurani, 7:157)
E për pyetjet e hebrenjve dhe të krishterëve për Profetin Muhamed ﷺ Zoti na tregon:
"Ithtarët e Librit kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'u zbresësh një libër prej qiellit." (Kurani, 4:153)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
"Do të të pyesin ty për shpirtin." (Kurani, 17:85)
Gjithashtu, Ai thotë:
"Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin..." (Kurani, 18:83)
Po ashtu, ka thënë:
"Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin." (Kurani, 27:76)
Prifti Abraham Philips, gjatë përpilimit të disertacionit të doktoratës, me ngulm ishte munduar ta cenonte disi Kuranin, por nuk pati sukses. Kurani me argumentet, provat dhe dëshmitë bindëse e mposhti atë. E ai më pastaj iu dorëzua Zotit dhe botërisht tregoi kthimin e tij te feja hyjnore – Islami.[67]
Kur një musliman ia kishte dhuruar doktorit amerikan Jeffrey Lang një kopje të përkthimit të domethënieve të Kuranit, ai ishte mahnitur nga ajo që kishte gjetur aty. Ai zbuloi se ky libër i fliste shpirtit të tij, i sillte përgjigje për pyetjet që kishte, sikurse e rrënonte çdo pengesë në mes tij dhe shpirtit. Ai tha:
“Ai që e ka shpallur Kuranin, sikur më njeh mua më shumë sesa që e njoh unë vetveten!"[68]
E si të mos jetë kështu, kur Ai që e ka zbritur Kuranin është Ai që e ka krijuar njeriun, e Ai është Zoti i Lartësuar?!
"E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithinformuari?!" (Kurani, 67:14)
Ai përkthim që kishte lexuar ishte shkak i kalimit të tij në Islam dhe i përpilimit të një libri, nga i cili të citova fjalën e tij.
Kurani i madhërishëm përmban gjithçka që i nevojitet njeriut. Aty gjenden të gjitha bazat e besimit, dogmës, dispozitave, bashkëveprimeve ndërnjerëzore dhe sjelljeve. I Larti tha:
"Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë." (Kurani, 6:38)
Aty janë mësimet dhe thirrja për monoteizëm, po edhe mësime rreth emrave, cilësive dhe veprimeve hyjnore të Zotit. Aty vërtetohen proklamatat e profetëve. Aty pohohet ringjallja, shpërblimi e llogaria dhe për këto të vërteta tregohen argumente e prova. Në këtë libër përmenden lajmet e popujve të mëhershëm, se çfarë dënime e mundime u kishin rënë, po edhe çfarë ndëshkime po i presin ata në botën tjetër.
Ky libër është përplot argumente, fakte e prova me të cilat mahniten edhe shkencëtarët dhe hulumtuesit, të cilët, meqë ky libër është për çdo epokë, përherë aty kanë çka të gjejnë e të zbulojnë. Në vijim po përmendi vetëm tre shembuj, për të shpalosur diçka nga ky realitet:
1. Fjala e të Lartit: "Është Ai që i ka lënë të lirë dy ujëra, njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, duke ngritur pengesë e kufi të prerë ndërmjet tyre." (Kurani, 25:53)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha: "Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë." (Kurani, 24:40)
Është e ditur se Muhamedi ﷺ nuk ka lundruar kurrë në det, sikundërqë në kohën e tij nuk ka pasur vegla e elemente të atilla që zbulonin thellësitë e detit. E kush përveç Zotit e pajisi atë me këto informacione?!
2. Thënia e Allahut: "Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!" (Kurani, 23:12-14)
Shkencëtarët vetëm në këtë kohë kanë arritur t'i zbulojnë këto hollësira rreth etapave të krijimit të fetusit.
3. Thënia e të Madhërishmit: "Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç'ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)." (Kurani, 6:59)
Një perceptim i këtillë gjithëpërfshirës i gjërave, nuk është i njohur te qenia njerëzore, madje ajo as që mund ta bëjë. Kur një ekip shkencëtarësh e vëzhgojnë një bimë ose insekt, e regjistrojnë çdo zbulim e hollësi që e hasin, nga të cilat të gjithë mahnitemi, edhe pse e kemi parasysh se e pazbuluara tek ajo bimë a insekt është më shumë.
Shkencëtari francez, Maurice Bucaille kishte bërë disa studime krahasuese në mes të librave fetarë qiellorë (Teuratit - Dhiatës së Vjetër, Ungjillit - Dhiatës së Re dhe Kuranit) dhe zbulimeve bashkëkohore shkencore, gjegjësisht kishte krahasuar trajtimet e tyre në lidhje me krijimin e qiejve, të Tokës dhe të njeriut. Rezultati i studimit të tij thoshte se zbulimet e sotme shkencore janë në përputhshmëri me atë që përmban Kurani, ndryshe nga Teurati dhe Ungjilli i sotëm, të cilët përmbajnë shumë informacione të gabuara në lidhje me krijimin e qiejve, të Tokës, të njeriut dhe të kafshëve.[69]
BURIMI I DYTË: SUNETI – TRADITA PROFETIKE
Zoti ia zbriti Kuranin Profetit ﷺ, por bashkë me të edhe diçka të ngjashme, gjegjësisht Sunetin – traditën profetike, e cila e shpjegon dhe e qartëson Kuranin. Profeti ﷺ ka thënë:
“Vërtet, mua më është dhënë Kurani, e me të edhe diçka që i ngjason!"[70]
Zoti i dha leje Profetit ﷺ të shpjegojë nocionet e përgjithshme e specifike të Kuranit. I Larti tha:
"(Të dërguarit i çuam) me prova të qarta dhe libra. Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë." (Kurani, 16:44)
Suneti është burim i dytë i fesë Islame. Me të është për qëllim gjithçka e transmetuar në mënyrë autentike nga Profeti ﷺ, gjegjësisht fjalët, veprimet dhe aprovimet e të Dërguarit Muhamed, por edhe përshkrimet e fizionomisë dhe karakterit të tij.
Edhe Suneti është shpallje e Zotit për Profetin e Tij ﷺ, i cili nuk flet me hamendje. Allahu thotë:
"Por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhebraili)." (Kurani, 53:4-5)
Ai e kumton vetëm atë që i shpallet. I Larti thotë:
"Unë ndjek vetëm atë që më është shpallur dhe kam për detyrë vetëm të jap paralajmërime të qarta." (Kurani, 46:9)
Tradita e çiltër e Profetit ﷺ është zbatim praktik i Islamit, që nga dispozitat, dogmat (besimi), ritet, bashkëveprimet ndërnjerëzore e deri te sjelljet dhe virtytet fisnike. Ai ﷺ u bindej urdhrave hyjnorë, të cilët ua qartësonte edhe njerëzve. Ai i urdhëronte ata që të vepronin sipas praktikave të tij, siç është rasti kur tha:
“Faluni ashtu si më patë duke u falur!"[71]
Allahu i urdhëroi besimtarët ta pasojnë profetin Muhamed ﷺ në veprimet dhe fjalët e tij, si rrugë drejt përkryerjes së besimit të tyre. I Madhi thotë:
"Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun." (Kurani, 33:21)
Shokët e Profetit ﷺ me besnikëri të patundshme i transmetuan fjalët dhe veprimtaritë e tij e kështu pas tyre, gjeneratë pas gjenerate, na u përcollën ato transmetime, derisa ato më vonë edhe u koleksionuan në libra të veçantë. Përcjellësit e Sunetit – traditës profetike, ishin tejet të përpiktë e korrektë gjatë transmetimit të hadithit, duke krijuar kritere të vështira e precize, sikurse që ishte kriteri i bashkëkohësisë së një transmetuesi me atë nga i cili transmeton, në mënyrë që zinxhiri i transmetuesve, që parimisht duhej të ishte me burra të drejtë e të besueshëm, të ishte edhe i pashkëputur deri te Profeti ﷺ.[72]
Suneti, përpos që është aplikim praktik i Islamit, njashtu është shpjegues i Kuranit, gjegjësisht ofron sqarime rreth ajeteve dhe dispozitave të përmendura në Kuran. Profeti ﷺ e shpjegonte atë që i shpallej herë me fjalë e herë me praktikë, e ndonjëherë me të dyjat. Por jo vetëm kaq! Tradita profetike mund të jetë edhe e mëvetësishme me disa shpjegime, dispozita dhe ligje.
Besimi se Kurani dhe Suneti janë dy burime themelore të fesë Islame është besim i detyrueshëm. Po ashtu, jemi të obliguar të ndjekim atë që e promovojnë këto dy burime, tek të cilat duhet të gjykohemi, sikurse që e kemi detyrë të pashmangshme t'i zbatojmë urdhëresat dhe të shmangemi nga ndalesat. Çdo gjë që na tregohet aty, që nga lajmet e ndryshme e deri te hyjnorja e Zotit siç janë emrat, cilësitë dhe veprat e Tij, si dhe premtimi i Tij për besimdrejtët e kërcënimi i Tij për jobesimtarët, ne duhet ta besojmë. Allahu thotë:
"Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht." (Kurani, 4:65)
Gjithashtu, Ai thotë:
"Çfarëdo që t'ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t'ju ndalojë, hiqni dorë prej saj." (Kurani, 59:7)
Këtu i paraqitëm burimet e fesë islame. Tani dua të trajtoj gradët e kësaj feje, të cilat janë: Islami – dorëzimi, Imani – besimi dhe ihsani – mirëbërësia, duke treguar shkurtimisht se cilat janë shtyllat e tyre.
GRADA E PARË: ISLAMI
Shtyllat e Islamit janë pesë:
Dy dëshmitë, namazi, zekati – lëmosha, agjërimi dhe haxhi – pelegrinazhi.
E para: Dëshmia se s'ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij.
Dëshmia se s'ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut domethënë se asgjë në Tokë e as në qiell nuk meriton të adhurohet përveç Allahut; Ai është Hyjnia e vërtetë dhe çdo hyjni tjetër përveç Tij është e kotë.[73] Kjo dëshmi kërkon që adhurimi në tërësi të jetë vetëm për Allahun, si dhe t'i mohohet denjësia për t'u adhuruar gjithkujt tjetër përveç Tij. Në mënyrë që kjo dëshmi të jetë e dobishme për thënësin e saj, duhet të realizohen dy çështje:
Së pari: Të shqiptohet fraza “S'ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut", me një shqiptim që shoqërohet me dije, bindje, besim, konfirmim dhe dashuri për të.
Së dyti: Të mohosh e refuzosh secilindo që adhurohet përveç Allahut. Shqiptimi pa këtë mohim nuk ka kurrfarë dobie.[74]
Të dëshmosh se Muhamedi është Profet i Zotit do të thotë: t'i besosh asaj që ai e thotë, t'i bindesh urdhëresave të tij, t'u shmangesh ndalesave të tij dhe të mos e adhurosh ndryshe Allahun, përveçse sipas mësimeve të tij. Po ashtu, duhet të besosh se ai është profet për mbarë njerëzimin është një rob e krijesë, ndaj nuk meriton të adhurohet, është profet që nuk përgënjeshtrohet, por ai duhet të respektohet e pasohet, e kushdo që e pason atë fiton parajsën e përhershme, kurse cilido që nuk i bindet futet në skëterrën e errët. Gjithashtu, duhet të besosh se feja e Zotit merret vetëm nga ky profet, duke përfshirë këtu të gjithë përbërësit e fesë, që nga besimi, ritet fetare, çështjet e qeverisjes dhe legjislacionit, normat morale, çështjet familjare e deri te njohja e së lejuarës dhe së ndaluarës. Kjo, ngase ai është profeti, i dërguari dhe lajmëtari i Zotit, i çuar për të na e kumtuar fenë dhe ligjin e Tij.[75]
E dyta: Namazi
Tek shtyllat e fesë radhitet e dyta, por ajo, vërtet, është kolona dhe boshti i Islamit, ngase salati – namazi, është lidhja në mes robit dhe Zotit. Robi e përsërit namazin pesë herë – aty e ripërtërin besimin, e dëlirëson shpirtin nga lëmishtet e mëkateve dhe kështu namazi shndërrohet tek ai në pengesë mes tij dhe punëve të ulëta e mëkateve. Kur robi të zgjohet në mëngjes, me pastërti e dëlirësi i paraqitet Zotit të tij, e para se të angazhohet me gërmadhat e botës, e madhëron Atë, e pranon se vetëm Atë e adhuron, i kërkon ndihmë e udhëzim. Po ashtu, e ripërtërin besën e dhënë te Zoti, besën e bindjes dhe nënshtrimit, duke qenë i përkulur e i gjunjëzuar, me ballin në tokë – duke bërë sexhde për Zotin, për çdo ditë, pesë herë. E për ta kryer këtë adhurim, kërkohet pastërtia e brendësisë, trupit, rrobave dhe vendfaljes. Këtë ritual muslimani e kryen bashkërisht me vëllezërit e tij, të drejtuar me fytyra nga Qabeja e nderuar – shtëpia e Zotit. Ky adhurim ka një formë e domethënie jashtëzakonisht të bukur e të përkryer, me të cilat Zoti i porositi robërit e Vet që ta adhurojnë Atë. Ky rit përmban madhërim të Zotit nëpërmjet gjymtyrëve të trupit – që nga gjuha që shqipton e deri te duart, këmbët, koka, shqisat e të tjerat, të cilat, pa përjashtim, kanë hise në këtë adhurim madhështor.
Kështu e tërë qenia e jetëson adhurimin, si shqisat ashtu edhe organet e trupit. Ja edhe zemra ka hisen e vet, tek ajo është lavdërimi e madhërimi i Zotit, po edhe dëshmia për të vërtetën. Po ashtu, ajo është funksionale edhe kur gjymtyrët e tjera janë në adhurim, fjala bie, kur lexon Kuran apo kur qëndron përpara Zotit në namaz, me një qëndrim të përulur që i ka hije robit përpara Zotit Mbarështues, e që në këtë pozicion, zemra manifeston nënshtrimin, përulësinë dhe përpjekjen për afrim te Zoti. Pastaj, përkulja para Tij, po edhe gjunjëzimi me ballin në tokë, janë përpjekje për të shfaqur përulësinë e frikërespektin për Zotin, por edhe nderimin për madhështinë e Tij, duke qenë zemra e përkulur, kurse trupi i përulur, ku çdo gjymtyrë e shfaq respektin për Të, kurse fundi i këtij adhurimi - pra namazit, është falënderimi për Zotin, po edhe lutja që Ai ta lavdërojë e ta bekojë Profetin Muhamed ﷺ, po edhe përgjërimi për çdo gjë që e dëshiron njeriu në të dy botët.[76]
E treta: Lëmosha e detyrueshme - zekati
Ky adhurim është shtylla e tretë e Islamit. Muslimani i kamur e ka për detyrë të nxjerrë një sasi nga pasuria e tij, respektivisht një sasi të vogël, si lëmoshë për të varfrit e të mjerët, po edhe për të tjerët që e meritojnë (që bëjnë pjesë në njërën prej kategorive merituese të zekatit, të cilat janë përmendur në Kuran).
Muslimani duhet, me plot zemër, t'ia japë atë lëmoshë meritorit, të cilin nuk guxon që, për shkak të kësaj ndihmese, ta lëndojë a ta ngushtojë. Ai me këtë vepër synon kënaqësinë e Zotit, ndaj nuk kërkon asgjë nga njerëzit, as shpërblim e as falënderim, pra çiltërsisht e bën vetëm për Zotin e assesi për sy e faqe.
Duke e dhënë lëmoshën, arrihet begatia e pasurisë, po edhe qetësimi e gëzimi i zemrave të varfanjakëve e nevojtarëve. Kur u jep lëmoshë kësaj kategorie të ndjeshme, ti i ke kursyer ata nga përulja që sjell shtrirja e dorës. Lëmosha është mëshirë për ta, në mungesë të së cilës ata mund të shkojnë në shkatërrim e gjendje të rëndë. Njeriu duke e bërë këtë vepër, fiton cilësi të larta, si bujaria, fisnikëria, altruizmi, zemërgjerësia e përdëllimi. Po ashtu, ai u shmanget cilësive të koprracëve e zemërngushtëve. Në këtë formë, shoqëria muslimane mbahet në mes vete, ku i pasuri e mëshiron të varfrin. E nëse ky adhurim jetësohet në tërësi, atëherë nuk mbetet asnjë varfanjak i rraskapitur nga skamja, e as ndonjë borxhli i zhytur në probleme, por as ndonjë udhëtar pa furnizimin e duhur.
E katërta: Agjërimi
Është fjala për agjërimin e muajit ramazan, në të cilin agjërimi, për çdo ditë, fillon me ngrysjen e agimit dhe përfundon me muzgun e perëndimit. Gjatë kësaj periudhe kohore, ai duhet të braktisë hajen, pijen dhe marrëdhëniet intime, në formë adhurimi për Zotin. Ekzistojnë disa lehtësime për të sëmurin, udhëtarin, shtatzënën, mëkuesen, gruan me cikël mujor dhe lehonën. Çdonjëri nga këta ka dispozitën e vet të përshtatshme.
Në këtë muaj, muslimani e ndal vetveten nga epshet. Ai kështu e thyen përngjasimin me botën kafshërore, duke iu afruar përngjasimit me engjëjt e përkushtuar. Sytë e tij e injorojnë këtë botë dhe përqendrohen te fitimi i kënaqësisë së Zotit.
Agjërimi e gjallëron zemrën, e ftoh atë nga jeta e kësaj bote dhe e stimulon për të fituar premtimet e Zotit. Po ashtu, agjërimi ua kujton pasanikëve gjendjen e të varfërve e si rrjedhojë zemrat e tyre zbuten, po edhe mbushen me bindje, hare dhe falënderim për mirëqenien që gëzojnë.
Agjërimi e fisnikëron shpirtin dhe e drejton atë nga e mbara dhe respektimi i Zotit. Shoqëria dhe individi, nëpërmjet agjërimit, e përjetojnë vëzhgimin e Zotit, në cilëndo gjendje që mund të jenë, qoftë të mirë a të vështirë, në publik a në vetmi, ngase i tërë rrethi shoqëror e jeton një muaj të plotë me përkushtim ndaj këtij adhurimi, duke e ditur se Zoti po i përcjell. Kjo dijeni në zemrat e tyre mbjell besim e frikërespekt për Zotin, besim në Ditën e Llogarisë, po edhe bindje se Zoti e di çdo gjë, qoftë ajo e fshehur a e shfaqur dhe se njeriu ka për t'u paraqitur përpara Zotit që të japë llogari për të gjitha veprat e tij, të vogla e të mëdha.
E pesta: Haxhi - pelegrinazhi
Është një adhurim që kryhet nëpërmjet shkuarjes te shtëpia e shenjtë e Zotit - Qabeja, në Mekën e nderuar. Kjo vepër është obligim për çdo musliman moshërritur, të shëndoshë mendërisht dhe që i ka mundësitë. Mundësia shpjegohet si në vijim: mjeti ose pagesa e udhëtimit për të arritur e për t'u kthyer nga atje, mirëqenia financiare e mjaftueshme për shpenzimet personale gjatë kësaj periudhe kohore, po edhe financa të bollshme për familjarët të cilët i lë në shtëpi gjatë kësaj kohe, si dhe gjetja e rrugës së përshtatshme, ku nuk cenohet siguria e tij, por edhe gatitja e një ambienti të sigurt për familjarët që i lë pas vete. Haxhi është i detyrueshëm vetëm një herë përgjatë gjithë jetës, për atë i cili ka mundësi ta kryejë atë.
Ai që dëshiron të kryejë haxhin, duhet ta shoqërojë këtë adhurim me pendim të sinqertë, në mënyrë që të dëlirësohet nga njollat e mëkateve. Kur të arrijë në Mekën e nderuar dhe në vendet e shenjta, ai duhet t'i jetësojë ritualet dhe praktikat e haxhit, duke shfaqur robërinë e tij për Zotin. Gjithsesi duhet ta ketë të qartë se vendet e shenjta, si Qabeja e të tjerat, nuk adhurohen në vend të Zotit, ato nuk bëjnë ndonjë dobi a dëm, madje, sikur të mos kishte urdhëruar vetë Zoti që pelegrinazhi të bëhet aty, atëherë shkuarja aty për pelegrinazh nuk të do të ishte e vlefshme.
Haxhiu gjatë ritualeve i vesh dy pëlhura si çarçafë të bardhë, njërën për pjesën e poshtme, e tjetrën për pjesën e sipërme të trupit. Muslimanët nga e mbarë bota tubohen në një vend, me veshje të njëjtë dhe e adhurojnë vetëm Një Zot. Aty nuk ka dallim në mes të parisë e masës, të pasurit e të varfrit, të bardhit e të ziut - të gjithë janë krijesa dhe robër të Zotit, vlera e të cilëve mund të ngrihet vetëm në saje të devotshmërisë dhe veprave të mira.
Aty muslimanët arrijnë të formojnë një afri, bashkëpunim e njohje në mes vete, ku kujtojnë se një ditë Zoti do t'i ringjallë të gjithë dhe do t'i tubojë në një vend për t'i marrë në llogari, ndaj këta përgatiten me vepra të mira për atë që vjen pas vdekjes.
ADHURIMI NË ISLAM
Domethënia dhe realiteti i adhurimit është të qenët rob i Zotit – Ai është Krijues, ndërsa ti një krijesë adhuruese e Tij. E përderisa është kështu, atëherë njeriu doemos duhet, gjatë jetës së tij, të ecë në rrugën e drejtë të Zotit, të pasojë fenë dhe ligjet e Tij, si dhe të ndjekë gjurmët e profetëve. Zoti i ka caktuar atij ligje e adhurime madhështore, siç është jetësimi i monoteizmit – njësimi i Zotit të botëve, namazi, lëmosha e detyrueshme, agjërimi e haxhi.
Mirëpo, këto nuk e paraqesin konceptin e adhurimit në tërësi, ngase adhurimi në Islam ngërthen në vete një domethënie më të gjerë, të përkufizuar siç vijon:
“Çdo gjë, vepër e fjalë, e dukshme apo e fshehtë, e cila gëzon dashurinë dhe pëlqimin e Zotit!" Pra, çdo punë e vepruar ose fjalë e thënë, që është e dashur për Zotin dhe e miratueshme tek Ai, vlerësohet si adhurim. Madje edhe çdo praktikë e mirë, të cilën e bën me qëllim të afrimit te Zoti, është adhurim. Pra, edhe sjellja jote e mirë me prindin, familjen, bashkëshorten, fëmijët dhe fqinjët e tu vlerësohet si adhurim, kur me të synohet kënaqësia e Allahut. Po ashtu, edhe raportet e tua të mira në shtëpi, treg e punë e gjetkë, konsiderohen si të tilla. Ky rregull është i vlefshëm për çdo parim të mirë e vlerë fisnike, siç janë besnikëria, vërtetësia, drejtësia, mosdëmtimi i të tjerëve, ndihmesa e nevojtarit, fitimi legjitim i pasurisë, shpenzimi për familjen e fëmijët, lehtësimi i dhimbjeve të njeriut të ngratë, vizitimi i të sëmurit, ushqyerja e të uriturit, përkrahja e të shtypurit e kështu me radhë. Çdo vepër që e bën për të mirën tënde apo të familjes, shoqërisë dhe vendit tënd është një adhurim kur me të është për qëllim kënaqësia e Zotit. Por, jo vetëm kaq! Bile edhe realizimi i dëshirave epshore, në suaza të kufijve të vendosur nga Zoti, vlerësohet adhurim, kur praktika shoqërohet me qëllim fisnik. Profeti ﷺ ka thënë:
Madje, edhe kur bëni marrëdhënie intime me gratë tuaja keni lëmoshë." Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut! Edhe kur ndonjëri prej nesh shfryen epshet e veta paska shpërblim?!" Ai tha: "Ç'mendoni, sikur ta bënte këtë në mënyrë të ndaluar, a do të kishte mëkat? Vetëkuptohet se, kur e bën këtë në mënyrë të lejuar, ka shpërblim."[77]
Po ashtu, ai ﷺ ka thënë:
“Secili musliman duhet të japë lëmoshë!" I thanë: “E nëse s'ka gjë për të dhënë?!" Tha: “Le të punojë me duart e veta – kështu është i dobishëm për vetveten, po edhe jep lëmoshë!" Thanë: “E nëse s'ka mundësi?!" Ai tha: “Le t'i ndihmojë ndonjë nevojtari të ngratë!" E pyetën: “E nëse s'ka mundësi?!" Tha: “Le të urdhërojë për të mira!" Thanë: “E nëse nuk vepron ashtu?! Atëherë u përgjigj: “E ndal veten nga e keqja – kjo vërtet është një lëmoshë!"[78]
GRADA E DYTË: BESIMI - IMANI
Shtyllat e besimit janë gjashtë:
Besimi në Allahun, engjëjt, librat dhe profetët e Tij, si dhe besimi në ditën e fundit - jetën e mëtejme, dhe në parapërcaktimin hyjnor.
E para: Besimi në Allahun
Me besim në Allahun është për qëllim besimi në hyjnoren e Allahut, se Ai është Zotëruesi, Krijuesi, Mbreti dhe Mbarështuesi i gjithçkaje. Po ashtu, besimi në denjësinë e Tij për t'u adhuruar, se Ai është Hyjnia e vërtetë dhe se çdo i adhuruar përveç Tij është i kotë. Njashtu, besimi në emrat dhe cilësitë e Tij, gjegjësisht në bukurinë e emrave të Tij dhe përsosurinë e cilësive që Ai ka.
Po ashtu, besimi në njëshmërinë e Tij – se Atë nuk e shoqëron askush në hyjnoren e Tij, as në denjësinë e Tij për t'u adhuruar, por as në emrat dhe cilësitë që ka. Allahu i Madhërishëm thotë:
"Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!" (Kurani, 19:65)
Njashtu, të besosh se atë s'e kaplon as dremitja e as gjumi, se Ai ka dijeni për gjithçka – qoftë e dukshme apo e padukshme, se Ai i zotëron qiejt dhe Tokën:
"Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç'ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)." (Kurani, 6:59)
Po edhe të besosh se Ai është ngritur mbi Arsh (fron), sipër krijesave të Tij – e sheh gjendjen e tyre, i dëgjon fjalët që thonë, e sheh se ku ndodhen, ua mbarështon punët, e furnizon të varfrin, e forcon të ngratin, i jep pushtet cilit të dojë Ai vetë, po edhe ia merr atë kujt të dojë, vërtet Ai ka mundësi të bëjë çdo gjë.
Në vijim po i paraqesim disa nga frytet e besimit në Zot:
a. Si rrjedhojë e besimit në Zot, te robi mbillet dashuria dhe madhërimi për Të, të cilat e shpijnë atë drejt realizimit të urdhëresave dhe shmangies nga ndalesat e Zotit. E kur robi të veprojë kësisoj, atëherë ai arrin kulmin e lumturisë në jetën e kësaj bote, po edhe në jetën e amshueshme.
b. Si rrjedhim i besimit në Zot, te shpirti i besimtarit zhvillohet krenaria dhe vullneti, ngase ai kështu e ka të qartë se Zoti është Zotëruesi e Mbreti i vërtetë i gjithçkaje në këtë gjithësi - s'ka kush që mund të bëjë dobi a dëm përveç Tij. Kjo dijeni e bën besimtarin të pavarur nga të tjerët përveç Zotit dhe shkul nga zemra e tij frikën prej gjithkujt tjetër përveç Allahut, ndaj vetëm Atë e shpreson dhe vetëm prej Tij ka drojë.
c. Po ashtu, ky besim mbëlton te besimtari modesti, ngase ai e di se çdo mirësi që e gëzon vjen vetëm prej Zotit, ndaj nuk mashtrohet nga djalli e të bie në thellomat e mendjemadhësisë ose të mburrjes me fuqinë dhe pasurinë që posedon.
d. Besimtari beson bindshëm se rruga e vetme e shpëtimit janë veprat e mira – të miratueshme te Zoti. Në anën tjetër, të tjerët besojnë dogma të kota, si, fjala bie, besimi se qenka kryqëzuar, gjoja i biri i Zotit, për mëkatet e tona, besimi në hyjni të ndryshme, gjoja se ato realizojnë dëshirat e njerëzve, kurse ato në të vërtetë nuk bëjnë kurrfarë dobie a dëmi, ose mosbesimi në ekzistencën e Zotit, besime këto të cilat do ta tradhtojnë njeriun e lajthitur, i cili kur t'i paraqitet Zotit në Ditën e Llogarisë dhe kur t'i shohë të vërtetat do të kuptojë se ka qenë në një devijim të qartë.
e. Besimi në Zotin e vërtetë kultivon në zemrën e besimtarit një fuqi madhështore, përplot vendosmëri, përpjekje, durim, stabilitet e mbështetje te Zoti. Kështu besimtari i përballon dhe i jetëson veprat madhore në këtë jetë, përherë duke synuar kënaqësinë e Zotit, po edhe i bindur se është i mbështetur te Mbreti i qiejve dhe i Tokës, i Cili e ndihmon dhe e përkrah atë, ndaj palëkundshmëria e tij, përplot durim, stabilitet e mbështetje te Zoti, i ngjan vendosmërisë dhe palëkundshmërisë së kodrave.
E dyta: Besimi në engjëjt (melekët):
Besimi se engjëjt janë krijuar që ta respektojnë e adhurojnë Zotin, i Cili i përshkroi duke thënë:
"Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar. Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij. Ai e di se ç'ka para tyre (ç'kanë vepruar) dhe ç'ka pas tyre (çfarë do të veprojnë), ndërsa ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur, e prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon)." (Kurani, 21:26-28)
Se ata:
"(Engjëjt) nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë (nuk shprehin mendjemadhësi në adhurim ndaj Tij) e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë." (Kurani, 21:19-20)
Zoti i fshehu ata nga sytë e njerëzve, me përjashtim të ndonjë rasti te ndonjë profet.
Engjëjt kanë detyra me të cilat i ka ngarkuar Zoti. Për shembull Xhibrili, një prej engjëjve, është i autorizuar me përcjelljen e shpalljes nga Zoti për te profetët. Një engjëll tjetër është i ngarkuar me marrjen e shpirtrave, disa të tjerë kanë për detyrë fetuset nëpër mitra, disa engjëj janë të angazhuar me ruajtjen e njerëzve, kurse disa me shkrimin e veprave të tyre. Te çdo person janë dy engjëj:
"Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)." (Kurani, 50:17-18)
Prej besimit në engjëj vijnë këto rezultate:
a. Besimi i muslimanit pastrohet nga njollat dhe llumrat e idhujtarisë, sepse ai beson në ekzistencën e engjëjve të ngarkuar me punë madhështore e si rrjedhim, ai zhvishet nga çdo besim i kotë në ekzistencën e krijesave iluzionare, të cilat, sipas dogmave prapanike, kanë hise në mbarështimin e gjithësisë.
b. Muslimani e ka në dijeni se engjëjt nuk bëjnë ndonjë dobi a dëm, ngase ata në të vërtetë janë thjesht robër të nderuar të Zotit, të dëgjueshëm e të bindur ndaj urdhëresave të Tij. Pra, muslimani nuk i adhuron ata, as nuk u drejtohet me lutje e as që lidhet me ta.
E treta: Besimi në librat e shpallur
Bëhet fjalë për besimin se Zoti u ka shpallur libra profetëve dhe kumtarëve të Tij, që me ta t'u shpjegohet njerëzve e drejta e Zotit, po edhe të thirren drejt Tij. I Madhërishmi thotë:
“Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt." (Kurani, 57:25)
E këta libra janë të shumtë, prej tyre:
Fletushkat e Ibrahimit, Teurati që iu shpall Musait, Zeburi që iu zbrit Davudit dhe Inxhili, me të cilin erdhi Mesihu (paqja qoftë mbi ta!).
Këta libra, për të cilët na ka treguar Zoti, veçse janë shuar tashmë. Sa u përket fletushkave të Ibrahimit, ato nuk ekzistojnë fare më në botën e sotme, kurse Teurati, Inxhili e Zeburi, edhe pse ekzistojnë si emërtime te hebrenjtë dhe tek të krishterët, ata janë përplot shtrembërime, ndryshime, shkurtime e shtime. Ata libra u atribuohen atyre që s'u kanë zbritur. Te Dhiata e vjetër, gjejmë se prej dyzet librave (kapitujve), vetëm pesë prej tyre i përshkruhen Musait (paqja qoftë mbi të!), kurse te Dhiata e re, asnjë prej ungjijve s'i përshkruhet Mesihut (paqja qoftë mbi të!).
Besimi në këta libra të mëparshëm realizohet nëpërmjet pranimit se ato i shpalli Zoti te profetët e Tij dhe se në to njerëzve u është kumtuar ligji i Zotit për kohët përkatëse.
Libri i fundit i zbritur nga Zoti është Kurani madhështor, i cili i është shpallur Muhamedit ﷺ. Origjinaliteti i tij vazhdon të jetë i paprekshëm – libër i ruajtur nga vetë Zoti. Atij s'i ka ngjarë asnjë shtrembërim e ndryshim, qoftë në shkronjat, në fjalët apo në domethëniet e tij.
Në mes të Kuranit madhështor dhe librave të mëparshëm, ekzistojnë dallime të shumta, prej tyre:
1. Sa u përket librave të mëparshëm, të gjitha kanë pësuar humbje të madhe në përmbajtjen e tyre, bile disa kanë humbur tërësisht, kurse pjesa e mbetur nuk ka shpëtuar nga ndryshimet dhe shtrembërimet, por jo vetëm kaq, asaj i janë shtuar shpjegime e interpretime njerëzore, ndaj te këta libra ka shumëçka që nuk përkon me shpalljen hyjnore, mendjen dhe natyrën fillestare njerëzore.
Në anën tjetër, Kurani Fisnik është i mbrojtur e i ruajtur nga Zoti – në mesin tonë janë ende po ato shkronja e fjalë të cilat Zoti ia ka shpallur Muhamedit ﷺ. Atë s'e ka prekur kurrfarë ndryshimi, shtrembërimi a shtimi. Muslimanët kanë qenë shumë të vëmendshëm që ta ruajnë atë të çiltër e të panjollosur dhe nuk e kanë përzier me jetëpërshkrimin e Profetit ﷺ e të shokëve të tij apo me shpjegimin e Kuranit fisnik dhe dispozitave të adhurimeve e të bashkëveprimeve ndërnjerëzore.
2. Sa u përket librave të lashtë, ata nuk kanë ndonjë mbështetje historike verifikuese, kështu që për disa as nuk dihet se kujt i janë zbritur e në çfarë gjuhë janë shkruar, madje disa nuk u atribuohen proklamuesve të vet, por ndokujt tjetër që nuk ka të bëjë me ta.
Në anën tjetër, muslimanët e kanë transmetuar Kuranin nga Muhamedi ﷺ me metodën më të lartë të autenticitetit, qoftë si lexim apo shkrim. Me mijëra hafëzë, në çdo epokë, brez pas brezi, e mbajnë Kuranin në gjokset e tyre, e nëpërmjet tyre gjithnjë verifikohet autenticiteti i kopjeve të shkruara, prej të cilave pranohen vetëm ato që janë në harmoni me atë që e recitojnë hafëzët.
Kurani është transmetuar me një formë verbale unike, e cila nuk është parë tek asnjë libër tjetër, gjegjësisht është metodë ekskluzive e ithtarëve të Muhamedit ﷺ. Ajo përshkruhet siç vijon: Nxënësi e mëson përmendsh Kuranin te mësuesi i tij, sikurse edhe mësuesi i tij, në cilësinë e nxënësit, dikur më parë e ka mësuar atë te mësuesi i vet. Mësuesi i jep nxënësit një dëftesë të quajtur “ixhazet", ku dëshmon se ia ka lexuar e mësuar nxënësit atë që ai më parë e ka lexuar e mësuar te mësuesit e vet, kështu duke i përmendur një nga një mësuesit e zinxhirit transmetues, derisa të arrijë te Profeti Muhamed ﷺ. Kështu ky zinxhir verbal fillon te nxënësi dhe përfundon te Kumtari i Zotit ﷺ.
Shtoja kësaj edhe argumentet stoike dhe faktet historike autentike për çdo hollësirë rreth Kuranit, gjegjësisht informacionet rreth çdo kaptine, ku dhe kur i është shpallur Muhamedit ﷺ.
3. Librat e mëparshëm kanë zbritur në gjuhë të lashta, të cilat sot janë shuar thuajse në tërësi, madje nuk ka kush që komunikon me to, sikurse pakkush i kupton. Ndërsa Kurani është zbritur në një gjuhë, e cila akoma vazhdon të jetë e gjallë, e folur nga qindra miliona njerëz. Në çdo vend të botës ekzistojnë mundësitë e studimit të saj, po edhe nëse nuk mësohet, ekzistojnë shpjeguesit e shumtë të Kuranit për gjithsecilin që nuk e kupton këtë gjuhë.
4. Po ashtu, duhet të dimë se librat e mëparshëm kanë qenë të adresuar për një epokë e popull të caktuar. Madje, edhe dispozitat në ata libra, i gjejmë specifike për ato kohëra e popuj. E si të tilla, ato nuk mund të jenë të përshtatshme për mbarë njerëzimin.
Në anën tjetër, Kurani madhështor është një libër i vlefshëm, domethënës e i përshtatshëm për çdo kohë e vend. Dispozitat, rregullat e bashkëveprimeve ndërnjerëzore dhe moralet e larta, që të gjitha janë të vlefshme për çdo popull, po edhe të përshtatshme për çdo epokë, ngase ky libër i është adresuar tërë qenies njerëzore.
Nga kjo kuptojmë se argumenti i Zotit për njerëzit nuk mund të jetë nëpërmjet atyre librave, ekzemplarët origjinalë të të cilëve janë zhdukur apo gjuha e të cilëve është tretur e nuk flitet më nga njerëzit. Në të vërtetë, argumenti i Zotit për njerëzimin është në një libër të mbrojtur, autentik, të paprekur nga shtimi, pakësimi a shtrembërimi, ekzemplarët e të cilit janë të shpërndarë gjithandej, libër ky i shkruar me një gjuhë të gjallë, të cilin e lexojnë dhe e kumtojnë miliona njerëz... E pra, pikërisht ky libër është Kurani madhështor, të cilin Zoti ia zbriti Muhamedit ﷺ, i cili është shfuqizues i të gjithë librave të mëparshëm, po edhe vërtetues e dëshmi për ta. Pasimi i këtij libri është detyrë për mbarë njerëzimin, ngase nëpërmjet ndjekjes së tij, ky libër bëhet dritë, shërim, udhëzim e mëshirë për ta. I Larti ka thënë:
"Ky Libër që kemi shpallur është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe druajuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni." (Kurani, 6:155)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
“Thuaj (Muhamed): O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju." (Kurani, 7:158)
E katërta: Besimi në profetët dhe të dërguarit e Zotit, paçin bekimin dhe lavdërimin e Zotit!
Zoti ka dërguar profetë te njerëzit, për t'i përgëzuar me begati nëse i besojnë Zotit dhe profetëve të tij, po edhe për t'i paralajmëruar për ndëshkimin e rëndë, nëse kundërshtojnë e rebelohen. I Madhërishmi tha:
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhurojeni Allahun dhe shmangiuni idhujve!" (Kurani, 16:36)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
"(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut." (Kurani, 4:165)
Ata profetë janë të shumtë, i pari i tyre është Nuhu, kurse i fundit Muhamedi ﷺ. Për disa prej tyre na ka njoftuar Zoti, siç është Ibrahimi, Musai, Isai, Davudi, Jahja, Zekerija, Salihu etj. E për disa të tjerë Zoti nuk na ka sjellë ndonjë haber. I Larti thotë:
"Për disa të dërguar të kemi treguar më parë dhe për disa të tjerë nuk të kemi treguar ty." (Kurani, 4:164)
Këta profetë janë thjesht njerëz – krijesa të Zotit, ndaj nuk kanë kurrfarë cilësie hyjnore apo merite për t'u adhuruar. Assesi nuk duhet t'u kushtohet atyre asnjë adhurim. Ata nuk posedojnë kurrfarë dobie a dëmi. Zoti na tregon se profeti i parë, Nuhu (paqja qoftë mbi të!) i tha popullit të vet:
"Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll." (Kurani, 11:31)
Të fundin prej tyre, Zoti e urdhëroi të thotë:
"Thuaj: "Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll." (Kurani, 6:50)
Po ashtu, të thotë:
"Thuaj: “Unë nuk mund t'i sjellë vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu." (Kurani, 7:188)
Pra, profetët janë robër të nderuar të Zotit, i Cili i përzgjodhi ata dhe i nderoi me shpallje, por edhe i përshkroi se janë robër, feja e të cilëve është Islami, përveç së cilës, Zoti nuk pranon asnjë fe tjetër. I Larti tha:
"Feja e vërtetë te Allahu është Islami!" (Kurani, 3:19).
Doktrinat dhe misionet e profetëve, nëse shikohen në bazamentet e tyre, janë unike, ndryshe nga legjislacionet, ato mund të jenë të ndryshme. I Larti thotë:
"Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë." (Kurani, 5:48)
E ligji vulosës i të gjitha ligjeve të mëparshme është ai i Muhamedit ﷺ, ligj ky shfuqizues i legjislacioneve të mëparshme dhe përmbyllës i të gjitha misioneve profetike.
Andaj, kushdo që e beson një profet, ai rrjedhimisht e ka për detyrë t'i pranojë e t'i besojë që të gjithë profetët, sikurse kushdo që e përgënjeshtron dhe e mohon një profet, në realitet ai i ka përgënjeshtruar mbarë profetët. Kjo, ngase të gjithë kumtarët dhe profetët e Zotit i thërrisnin njerëzit që t'i besojnë Allahut, engjëjve, librave, profetëve, e Ditës së Fundit, thënë troç, ata kishin një fe të përbashkët, prandaj ai i cili i pranon disa profetë, ndërsa në anën tjetër i mohon disa të tjerë, në të vërtetë i ka mohuar që të gjithë, ngase te doktrina dhe feja e tyre ishte e theksuar qartazi domosdoshmëria e pranimit dhe e besimit të të gjithë profetëve të Zotit. I Lartësuari tha:
“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij". Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!" (Kurani, 2:285)
Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
"Vërtet, ata që mohojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë Allahun nga të dërguarit e Tij, duke thënë: “Ne disa i besojmë e disa nuk i besojmë" dhe duke dashur që kështu të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme." (Kurani, 4:150)
E pesta: Besimi në Ditën e Fundit, gjegjësisht në të vërtetën e qartë se fundi i çdo krijese në këtë botë është vdekja!
E cili është caku i njeriut pas vdekjes?!
Po caku i mizorëve të padënuar në këtë botë, cili do të jetë?! A do të shpëtojnë nga e keqja e padrejtësisë së tyre?!
Po vepërmirët që s'u shpërblyen në këtë botë, a do të kenë ku t'i marrin shpërblimet e merituara?!
Njerëzimi jeton me rregullin e pashmangshëm që, gjeneratë pas gjenerate, të përjetojnë vdekjen, derisa Zoti të japë urdhrin që kjo botë të marrë fund dhe krijesat të shuhen në tërësi. Pastaj, në një ditë në të cilën, që të gjithë do të jenë prezentë, Zoti do t'i ringjallë krijesat dhe do t'i bëjë bashkë, që t'i marrë në llogari për veprat e tyre që kanë punuar, qofshin të mira apo të këqija, që tutje besimtarët të përfundojnë në parajsë, kurse jobesimtarët në zjarr.
Parajsa është mirëqenie dhe kënaqësi, të cilat Zoti i ka gatuar për besimtarët e Tij të denjë. Aty begatitë janë të llojllojshme dhe nuk përshkruhen dot. Bëhet fjalë për njëqind gradë lartësie, në të cilat besimtarët vendosen për banim, varësisht besimit dhe përkushtimit të tyre ndaj Zotit. Në gradën më të poshtme, besimtarit i jepet begatia dhe mirëqenia e dhjetëfishtë e një mbreti të kësaj bote.
E zjarri – skëterra është dënimi që Zoti e ka përgatitur për gjithsecilin mohues. Aty ndëshkimet janë të shumta, veç përmendja e tyre do të na llahtariste. Madje, sikur të ekzistonte mundësia e vdekjes në jetën tjetër, banorët e ferrit do të vdisnin me të parën herë kur do ta shihnin banesën e dënimit.
Veprat dhe fjalët e njeriut – të mira a të këqija, të fshehta a publike qofshin, të gjitha i ka ditur Zoti i Gjithëdijshëm, gjithashtu ato janë shënuar edhe nga engjëjt – të autorizuarit e Zotit për këtë detyrë. Njëri prej tyre i shkruan veprat e mira, kurse tjetri të këqijat, pa u ikur asgjë. I Lartësuari ka thënë:
"...dhe ai nuk e thotë asnjë fjalë e që pranë tij të mos jetë ai që mbikëqyr." (Kurani, 50:18)
E këto vepra shënohen në një libër, i cili do t'i jepet njeriut në Ditën e Gjykimit. I Larti ka thënë:
"Dhe Libri (i veprave të tyre) do t'u vihet përpara, e do t'i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar". Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt." (Kurani, 18:49)
Do ta lexojë këtë libër dhe nuk do ketë mundësi të mohojë asgjë nga shënimet. E nëse bën diçka të tillë, atëherë Zoti do t'i japë mundësi foljeje dëgjimit, shikimit, duarve, këmbëve dhe lëkurës së tij, që të tregojnë për punët e tij. I Madhërishmi ka thënë:
"Paralajmëroji ata për Ditën, kur do të tubohen armiqtë e Allahut për në zjarr e do të shtyhen me radhë. Kur të vijnë afër zjarrit, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurët e tyre për atë që kanë bërë. Ata do t'u thonë lëkurave të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?" e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni". Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit." (Kurani, 41:19-22)
Besimi në Ditën e Fundit – atë të gjykimit, ringjalljes e tubimit, është besim i mbarë profetëve dhe kumtarëve të Zotit. I Plotfuqishmi ka thënë:
"Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë." (Kurani, 41:39)
Njashtu, i Madhërishmi thotë:
"A nuk e shohin ata se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën pa u lodhur aspak në krijimin e tyre, është i Fuqishëm t'i ngjallë të vdekurit?" (Kurani, 46:33)
Gjithashtu ringjallja për llogari e shpërblim, është një e vërtetë që buron nga urtësia hyjnore e Zotit, ngase Ai nuk i ka sjellë krijesat në ekzistencë për kot e as që i ka lënë kuturu. Madje, edhe njeriu me logjikën më të dobët, nuk bën punë për kot, pa pasur ndonjë qëllim të caktuar. E nëse kjo thuhet për njeriun, vallë si mund të mendojë njeriu se Zoti e krijoi atë për kot dhe e la kuturu?! Zoti është i Lartë e i Pastër nga këto fjalë! I Madhërishmi tha:
"Mos vallë keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t'ju gjykuar)?!" (Kurani, 23:115)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
“Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr!" (Kurani, 38:27)
Për besimin në jetën e mëtejme dëshmojnë mbarë mendarët, ngase ky koncept është një rrjedhë e natyrshme logjike, së cilës i nënshtrohet edhe natyra fillestare e shëndoshë njerëzore. Njeriu kur beson në ditën e ringjalljes do të kuptojë pse duhet të lihet diçka apo të veprohet diçka tjetër – duke shpresuar premtimin e Zotit. Po ashtu, e kupton se ai që shtyp njerëzit do të gjejë rezultatin e padrejtësive të tij, në Ditën e Gjykimit kur njerëzit do t'i hakmerren atij. Njashtu, do të kuptojë se njeriu patjetër duhet të marrë shpërblimin e merituar për veprat e veta, në pastë bërë mirë, me të mira, e në pastë bërë keq, me të këqija. Kështu, duke u trajtuar secili varësisht përpjekjes së tij, realizohet drejtësia hyjnore. I Madhërishmi tha:
"Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Kurani, 99:7-8)
Asnjë krijesë nuk ka dijeni se kur do të jetë dita e kataklizmit të madh – Kiametit, as profetët e as engjëjt. Këtë çështje e di vetëm Zoti i Madhëruar. Ai thotë:
"Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kiametit). Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë ajo do ta tregojë vetëm Ai." (Kurani, 7:187)
Po ashtu, i Larti ka thënë:
"Pa dyshim, vetëm Allahu e di Orën e caktuar." (Kurani, 31:34)
E gjashta: Besimi në parapërcaktimin hyjnor (besimi në kada dhe kader):
Kjo do të thotë që të besosh se Zoti i Madhëruar ka dituri absolute mbi gjithçka që ka qenë e që do të jetë, kështu që dituria e Tij i përfshin krijesat në tërësi: gjendjen, veprat, jetëgjatësinë dhe furnizimet e tyre. I Larti ka thënë:
"Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë." (Kurani, 9:115)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
"Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç'ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)."[79] (Kurani, 6:59)
Gjithçka është shënuar në Librin që është te Ai. Ai thotë:
"Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë." (Kurani, 36:12)
Po ashtu, ka thënë:
"A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë, që është në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun." (Kurani, 22:70)
Kur Zoti dëshiron diçka, vetëm i thotë asaj: "Bëhu dhe ajo bëhet! I Larti thotë:
"Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t'i thotë asaj “Bëhu!" - dhe ajo bëhet." (Kurani, 36:82)
Zoti që ka parapërcaktuar gjithçka, Ai është po ashtu Krijuesi i gjithçkaje. Ai, madhëruar qoftë, thotë:
"Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar." (Kurani, 54:49)
Po ashtu, i Madhërishmi tha:
"Allahu është Krijuesi i çdo gjëje." (Kurani, 39:62)
Ai i solli krijesat në ekzistencë, që ato t'i binden Atij, ndaj edhe u dha shpjegimet e duhura – urdhëresa e ndalesa. Ai u dha atyre aftësi e vullnet, me të cilat do t'i zbatonin urdhëresat e Zotit, rrjedhimisht të fitonin shpërblimin e Tij ose t'i praktikonin ndalesat e për pasojë ta meritonin dënimin e Tij.
Si rrjedhim i besimit në parapërcaktimin hyjnor (kada dhe kader), njeriu arrin që:
1. T'i mbështetet Zotit tek të gjitha shkaqet e përditshmërisë jetësore, ngase e di që shkaku dhe synimi (rezultati) që arrihet nëpërmjet atij shkaku, që të gjithë janë parapërcaktuar nga Zoti.
2. Po ashtu, arrin ta qetësojë e rehatojë zemrën e shpirtin e vet, ngase kur ai e ka parasysh se gjithçka që i vjen është si rrjedhojë e fatit dhe parapërcaktimit hyjnor të Zotit, ai rri i qetë dhe pajtohet me të, edhe nëse bëhet fjalë për diçka të padëshiruar, e cila në të vërtetë ka qenë e pashmangshme. Prandaj është e ditur mirëfilli se askush nuk ka jetë më të mirë, shpirt më të qetë e rehati më të plotë sesa ai që beson në këtë të vërtetë të madhe.
3. Njashtu, arrin t'i shmanget vetëpëlqimit, atëherë kur e realizon ndonjë synim, ngase e di mirëfilli se diçka e tillë është realizuar si rrjedhim i begatisë së Zotit, i Cili i ka parapërcaktuar shkaqet e së mirës dhe suksesit, ndaj dhe e falënderon Atë.
4. Po ashtu, arrin ta flakë dëshpërimin dhe mërzinë, në ato raste kur nuk arrin diçka të dëshiruar apo ballafaqohet me diçka të padëshiruar. Kjo ngase ai e ka të qartë se kjo vjen si rezultat i parapërcaktimin hyjnor të Zotit, urdhrin e gjykimin e të Cilit askush nuk mund ta largojë apo ta thyejë, pra pashmangshëm urdhrat e Tij realizohen, kështu që robi përzgjedh të durojë dhe të shpresojë në shpërblimin e Zotit: "S'ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë." (Kurani, 57:22-23)
5. Gjithashtu, arrin t'i mbështetet tërësisht Zotit të Lartësuar, ngase muslimani e di se vetëm në Dorë të Zotit është dobia e dëmi, andaj s'i trembet fare syri nga ndonjë i fortë, e as që ngurron të veprojë vepra të mira për shkak të frikës prej dikujt prej njerëzve. Profeti ﷺ i tha Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Dije se nëse mbarë Umeti bëhen bashkë për të të sjellë një dobi, ata nuk mund të të japin asnjë dobi tjetër përveç asaj që Zoti ta ka shkruar ty, po edhe sikur të mblidhen për të të dëmtuar disi, ata assesi nuk ka mundësi të të sjellin ndonjë dëm, përveç atij që Zoti ta ka shkruar ty."[80]
GRADA E TRETË: IHSANI – MIRËBËRËSIA
Ihsani ka vetëm një shtyllë, ajo është:
“Ta adhurosh Zotin sikurse po e sheh; edhe nëse ti nuk e sheh Atë, është Ai që të shikon ty!" Pra, bëhet fjalë për një gradë ku adhurimi i Zotit realizohet duke e ndier afërsinë e Tij. Kështu, në zemrën e besimtarit mbillet frikë-respekti, droja e madhërimi për Zotin, po ashtu dëlirësohet qëllimi i tij gjatë adhurimit dhe forcohet përpjekja e përkryerjes së adhurimit.
Gjatë kryerjes së adhurimit, robi e ndien se është i vëzhguar nga Zoti, ndaj edhe e përjeton afërsinë e Tij aq shumë, sikurse të ishte duke e parë Atë. E nëse kjo ndjenjë nuk jetësohet me këtë përshkrim, atëherë përpiqet ta realizojë nëpërmjet besimit se Zoti e shikon atë – e sheh sekretin, të dukshmen, të brendshmen e të jashtmen e tij, pra Atij nuk i fshihet asgjë.[81]
Besimtari që e arrin këtë gradë e adhuron Allahun duke e pasur qëllimin të çiltër, ngase ai më s'ka asgjë për synim përveç Zotit – nuk i interesojnë lëvdatat e njerëzve, po as kritikat e kërcënimet e tyre. Synimi i tij është arritja e kënaqësisë së Allahut dhe lavdërimi i Tij për të.
Ai bëhet një personalitet i tillë, ku jeta e tij private dhe ajo publike janë të njëjta. E adhuron denjësisht Zotin, edhe kur është në vetmi, po edhe kur e shohin sytë e njerëzve. Ai ka bindje të thellë se Zoti e sheh çfarë fsheh zemra e tij, po edhe çfarë i pëshpërit egoja. Besimi ia ka kapluar zemrën, e cila e ndien se është e vëzhguar nga Zoti, ndaj edhe gjymtyrët e trupit i dorëzohen Krijuesit të vet – nuk veprojnë asgjë përpos asaj që e do dhe e miraton Zoti.
Zemra e tij lidhet fort me Zotin, andaj ai nuk i kërkon ndihmë krijesave, sepse i mjafton Allahu. As që i ankohet njeriut, ngase kërkesat e veta i ka paraqitur te Zoti i Lartë e Ai i mjafton për Ndihmëtar. Asnjë frikë apo ndjenjë se është vetëm s'e rrëmben atë, sikurse askush nuk mund ta frikësojë, ngaqë ai e ka në dijeni se Zoti është me të në çdo situatë, dhe Ai i mjafton atij pasi që është Ndihmësi më i mirë. Po ashtu, ai nuk e lë ndonjë urdhëresë të Allahut pa e realizuar, sikurse nuk i vepron ndalesat e Tij, për arsye se ka turp prej Zotit, e nuk ka dëshirë të mungojë aty ku Zoti dëshiron ta shohë a të gjendet aty ku Zoti nuk dëshiron ta shohë robin e Vet. Ai nuk e shtyp askënd e as që i bën dikujt ndonjë padrejtësi, pasi e di fort mirë se Allahu e sheh dhe se një ditë do ta marrë në llogari për ato që ka bërë. Ai nuk bën parregullsi në Tokë, ngase e ka parasysh se të mirat që janë këtu, Zoti i bëri për dobinë e krijesave të Tij, e kështu besimtari i shfrytëzon ato varësisht nga nevoja dhe e falënderon Zotin – Begatuesin që ia ka lehtësuar ato.
Kjo që të kam përmendur në këtë libërth përbën konceptet më themelore e shtyllat më madhështore të Islamit, të cilat, nëse besohen e zbatohen, me to njeriu bëhet musliman. Islami, siç u sqarua më parë, është fe, adhurim e metodologji jete. Ai është sistem hyjnor, i cili me ligjet dhe kodet e veta, e përfshin individin dhe shoqërinë në të gjitha sferat e jetës, si ato dogmatike, politike, ekonomike, sociale e të sigurisë. Njeriu në këtë fe i gjen ato rregulla, baza dhe dispozita, me të cilat rregullohen paqja, lufta dhe të drejtat e njeriut. Me këtë fe ruhen dinjiteti dhe vlera e njeriut, e shpendëve, e kafshëve dhe e ambientit përreth njeriut. Kjo fe e shpjegon realitetin e njeriut, të jetës e të vdekjes, po edhe të ringjalljes pas vdekjes. Po ashtu, në këtë fe arrin të gjesh formën më të përkryer se si të sillesh me njerëzit përreth teje. I Larti thotë:
"Do t'u thoni fjalë të mira njerëzve." (Kurani, 2:83)
Po ashtu, fjala tjetër e të Madhërishmit:
"...dhe ua falin fajet njerëzve" (Kurani, 3:134)
Po ashtu, fjala e Tij:
"Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë..." (Kurani, 5:8)
Pas përmendjes së gradave të kësaj feje, po edhe shtyllave të secilës gradë, është e përshtatshme të përmendim diçka rreth bukurive dhe vlerave të Islamit.
DISA BUKURI TË ISLAMIT
T'i përshkruash e t'i përmendësh në tërësi bukuritë dhe vlerat e Islamit është shumë e vështirë. E si të mos jetë kështu, kur bëhet fjalë për fenë e Zotit të Lartësuar, të Cilin nuk e shohin dot njerëzit në këtë botë, në të cilën dituritë rreth Tij nuk mund të përthekohen. Kështu ngjan edhe me fenë e Tij, përshkrimi i së cilës vështirë që mund të përfundojë.
Ibn Kajimi thotë: “Kjo fe e drejtë dhe kjo udhë e prirë nga e vërteta – proklamata profetike ngërthen në vete urtësi të mahnitshme e të papërshkrueshme me fjalë. Bukuria e saj nuk përshkruhet dot në tërësi, edhe nëse kësaj detyre i përvishen më të mençurit e botës. E mendarët me mendje të shëndoshë e të dalluar, gjithherë i kanë perceptuar këto vlera, për të cilat edhe kanë dëshmuar. Bota nuk ka pasur asnjëherë ligj e fe më të përsosur e më madhështore se feja Islame. Sikur Zoti të mos ofronte asnjë argument dëshmues për këtë fe, do të ishte i mjaftueshëm fakti se ajo vjen nga Zoti. Përmes kësaj feje na është bërë e qartë përsosuria e urtësisë së Allahut, gjerësia e mëshirës, mirësisë dhe mirëbërësisë së Tij, si dhe absolutësia e diturisë së Tij që përfshin të fshehtën e të dukshmen, fillimin e gjërave dhe mbarimin e tyre. Dhuntia më e madhe hyjnore për qenien njerëzore është të përudhen në këtë fe e të bëhen ithtarë të saj. Zoti i Madhërishëm thotë:
"Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar." (Kurani, 3:164)
Po ashtu, duke ua kujtuar e treguar robërve madhështinë e mirësisë së dhënë, po edhe duke i thirrur që të jenë falënderues ndaj Tij, pasi i përzgjodhi që të jenë nga këta të begatuar[82], Ai tha:
"Sot jua përsosa fenë tuaj..." (Kurani, 5:3)
E në shenjë mirënjohje për Zotin që na begatoi me këtë fe, po i përmendim disa nga vlerat dhe bukuritë e fesë islame:
1 - Është feja e Zotit
Këtë fe e miratoi vetë Zoti, e me të i delegoi profetët te njerëzit, të cilët i urdhëroi ta adhurojnë Zotin vetëm nëpërmjet saj. Ashtu sikurse nuk ka pështjellim në mes Krijuesit dhe krijesës, po ashtu nuk ngatërrohet kjo fe hyjnore me ligjet dhe fetë njerëzore. Ashtu sikurse që Zoti përshkruhet me absolutësi të përkryer, ashtu cilësohet edhe feja e Tij, e cila ka të gjitha ligjet rregulluese për të dy botët. Kjo fe e qartëson çdo të drejtë – të drejtat e Zotit, po edhe detyrat e robërve kundrejt Zotit, si dhe të drejtat dhe obligimet që vetë njerëzit kanë ndërmjet vete.
2 - Është fe gjithëpërfshirëse
Prej vlerave më të theksuara të Islamit është se përfshin gjithçka. I Larti thotë:
"Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë." (Kurani, 6:38)
Kjo fe ka përfshirë gjithçka që ndërlidhet me Krijuesin – që nga emrat, cilësitë e deri te të drejtat e Tij. Po ashtu, në këtë fe është trajtuar gjithçka rreth krijesës – që nga normat, detyrat, virtytet morale e deri te sjelljet ndërnjerëzore. Ky religjion na ka pajisur me dituri për të parët e për të fundmit, për engjëjt, profetët, e kumtarët, po edhe për qiellin, Tokën, orbitat, yjet, detet e gjithësinë. Gjithashtu, na ka treguar arsyen e ardhjes në ekzistencë, po edhe cakun e krijesave. Njashtu, na e ka përmendur parajsën dhe fundin e besimtarëve, po edhe ferrin dhe fundin e mohuesve.
3 - Është lidhja e krijesës me Krijuesin
Çdo fe e kotë e lidh njeriun me qenie njerëzore, e cila assesi nuk mund të zhvishet nga cilësitë e veta njerëzore, si dobësia, paaftësia, sëmundja e vdekja. Madje, disa fe e lidhin ithtarin e tyre me njerëz të vdekur, të cilët janë tretur para qindra vjetësh e janë shndërruar në eshtra e dhe. Islami si fe dallohet me karakteristikën e saj të pashoqe: e lidh njeriun drejtpërsëdrejti me Krijuesin e vet – pa priftërinj, shenjëtorë e sekrete të shenjta. Është lidhje e drejtpërdrejtë në mes krijesës dhe Krijuesit, në të cilën lidhet mendja me Zotin, nga i Cili kërkon dritë, udhëzim, lartësi, ngritje e përsosuri, duke hequr dorë nga gjërat e pavlera, të ulëta e të cekëta. Çdo zemër e palidhur me Krijuesin e vet është më e humbur se sa kafshët.
Kjo fe si lidhje në mes të Krijuesit dhe krijesës është edhe rrugë për të mësuar se çfarë dëshiron Zoti prej robërve të Tij, si rrjedhojë robi e realizon adhurimin nën dritën e diturisë, në saje të së cilës po ashtu e kupton se çfarë e kënaq Zotin që ta zbatojë atë dhe çfarë e hidhëron Atë që të largohet prej saj.
Kjo fe është lidhje në mes të Krijuesit të Madhërishëm dhe krijesës së dobët dhe të varfër, prandaj kërkon nga Zoti i tij ndihmë, sukses dhe mbrojtje nga kurthet e kurthangritësve si dhe nga devijimet e kotësitë e djajve.
4 - Kjo fe i ruan interesat e jetës së kësaj bote dhe ato të amshueshmes
Feja dhe ligji islam i ruan interesat e kësaj jete dhe të tjetrës me konsideratë të lartë, sikurse i promovon e i përsos virtytet e larta morale.
Sa u përket interesave të jetës tjetër, ato i ka shpjeguar e qartësuar feja në hollësi, e nuk ka lënë gjë pa përmendur – e tregoi premtimin me begatim dhe kërcënimin me dënim!
Kurse, sa u përket interesave të kësaj jete, ato ruhen denjësisht nëpërmjet asaj që Zoti e ka ligjësuar në këtë fe, e cila e mbron fenë, shpirtin, pasurinë, lozën, nderin dhe mendjen e njeriut.
Ndërsa, sa u përket virtyteve të larta morale, ithtarët e Islamit janë të urdhëruar të pajisen me to në çdo situatë jete, në vetmi e publik. Kjo fe i ka ndaluar të gjitha punët e ulëta e të pavlera. Prej virtyteve të dukshme mund të përmendet pastrimi nga papastërtitë dhe ndyrësitë, parfumimi dhe rregullimi i dukjes, po edhe ndalimi i gjërave të turpshme e të ulëta, si kurvëria, alkooli, ngrënia e cofëtinës, pirja e gjakut dhe konsumimi i mishit të derrit, njashtu edhe urdhëresa fetare që të hahen vetëm gjërat e mira dhe të mos shpërdorohet pasuria.
Kurse sa i përket pastërtisë së brendshme, ajo manifestohet duke hequr dorë nga veset e këqija dhe duke u stolisur me virtyte të larta e të çmuara. Në këtë fe si ves i ulët gjykohet gënjeshtra, shthurja, nervozizmi, zilia, koprracia, poshtërsia, dëshira për pozitë, materializmi, mendjemadhësia, vetëpëlqimi e syfaqësia. Kurse si moral i lartë e virtyt fisnik vlerësohet sjellja e mirë, shoqërimi shembullor, bamirësia, drejtësia, modestia, vërtetësia, bujaria, mbështetja te Zoti, dëlirësimi i qëllimit për Të, frika prej Tij dhe durimi e falënderimi.
5 - Lehtësia
Një prej karakteristikave të Islamit është edhe fakti se çdo ritual e adhurim është i lehtë dhe nuk paraqet ngarkim. Zoti i Madhërishëm thotë:
"...dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj..." (Kurani, 22:78)
Kjo lehtësi duket që në fillim, kur dikush dëshiron të përqafojë Islamin; atij nuk i kërkohet ndonjë ndërmjetësim njerëzor, pranim i së kaluar a ndonjë gjë tjetër. Ai vetëm duhet të pastrohet dhe të shqiptojë dëshminë se s'ka të adhuruar me të drejtë përveç Zotit dhe se Muhamedi ﷺ është Profeti i Tij. Këtë dëshmi e deklaron duke e besuar kuptimin që ajo ngërthen në vete, si dhe duke u përpjekur ta jetësojë me vepra.
Po ashtu, te çdo adhurim e ritual ekziston lehtësimi kur besimtari është në rrugëtim apo i sëmurë, ku veprat i shënohen me shpërblimin e ditëve të shëndetit dhe të qëndrimit në vendbanimin e vet. Thënë troç, jeta e besimtarit në tërësi është përplot lehtësi e qetësi, ndryshe nga ajo e jobesimtarit, ajo është e mbushur me shpirtngushtësi e vështirësi. Madje, besimtarit edhe vdekja i vjen me lehtësi – shpirti i del kollaj, ashtu siç pikon një enë. I Larti thotë:
"...të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. ﷻ thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!" (Kurani, 16:32)
Kurse jobesimtarit i ngjan diçka tjetër. Tek ai vijnë engjëjt më të rreptë e më të ashpër dhe, teksa ia marrin shpirtin, e godasin me kamxhikë. I Madhërishmi thotë:
"Ah sikur t'i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzojini shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij". (Kurani, 6:93)
Po ashtu, thotë:
"Eh, sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): “Shijojeni dënimin e zjarrit!" (Kurani, 8:50)
6 - Drejtësia
Ai që i ka ligjësuar normat islame është vetë Zoti, Krijuesi i mbarë krijesave – të bardhëve, të zinjve, meshkujve e femrave. Të gjithë përpara urtësisë, drejtësisë dhe mëshirës së Tij janë të barabartë. Meshkujve e femrave, të dyve, Zoti u solli kode që u përshtaten për mrekulli. Ky ligj nuk i jep mashkullit favor në llogari të femrës, po as femrës s'i jep ndonjë përparësi duke e shtypur mashkullin. Kjo fe nuk e veçon të bardhin me diçka e ta privojë të ziun, as anasjelltas. Që të gjithë përpara ligjit hyjnor janë të njëjtë, e lartësimi i tyre mund të ngjajë vetëm në saje të devotshmërisë.
7 - Urdhërimi për punë të mira dhe ndalimi nga të këqijat
Kjo fe ka një veçori fisnike e të lartë, e cila është: urdhërimi i të tjerëve për vepra të mira dhe ndalimi i tyre nga të këqijat. Çdo musliman moshërritur e i aftë mendërisht e ka për detyrë, varësisht nga mundësitë, që të urdhërojë për vepra fisnike dhe t'i ndalë njerëzit nga përpjekja për punë të liga. Ky rit i rëndësishëm islam realizohet duke ruajtur gradat normative të tij, filli i të cilave është urdhërimi e ndalimi nëpërmjet dorës, i cili pasohet me gjuhë, nëse nuk ka mundësi, e, nëse nuk ka mundësi tjetër, atëherë me zemër. Në këtë formë, komuniteti e vëzhgon njëri-tjetrin, pasi çdo pjesëtar i shoqërisë islame është i ngarkuar me këtë detyrë fisnike, që ta urdhërojë të shkujdesurin të bëjë vepra të mira dhe ta ndalë mëkatarin nga veprat e liga. Këtë vepër duhet ta jetësojë shoqëria në tërësi, varësisht nga mundësitë, qofshin ata udhëheqësi apo masë e gjerë, duke mos lënë anësh etikën dhe normën fetare e cila e precizon këtë punë.
Kjo vepër, siç mund ta vëresh, është detyrë e tërë komunitetit, madje edhe e shoqërisë civile, varësisht nga mundësitë që i kanë. Sot disa sisteme politike bashkëkohore krenohen pse i japin të drejtë një pjese të shoqërisë, gjegjësisht opozitës, që të vëzhgojnë proceset dhe funksionimin e pushtetit dhe të institucioneve zyrtare.
Këto janë shkurtimisht disa vlera të Islamit, e sikur t'i qaseshim trajtesës gjerësisht, do të duhej të ndaleshim te çdo ritual, detyrë, urdhëresë e ndalesë fetare, për të nxjerrë në pah se çfarë vlerash, urtësish të thella, bukurish të rralla dhe përsosurish mahnitëse ngërthejnë ato. E tërë kjo e forcon bindjen se ligjet dhe normat islame janë prej Zotit, se janë të vërteta dhe në to ka udhëzim të plotë.
E nëse dëshiron t'i kthehesh Zotit, të ndjekësh fenë e Tij dhe të pasosh profetët e nderuar, atëherë dije se dera e pendimit është e hapur, e Zoti yt është Falës e Mëshirues, Ai të fton që të fitosh faljen e Tij!
PENDIMI
Profeti ﷺ ka thënë:
"Çdo bir i Ademit është gabimtar, e gabimtarët më të mirë janë të penduarit!"[83]
Njeriu nuk mund të zhvishet dot nga ligësia e pashmangshme njerëzore, ndaj ai është i dobët kur vendos e kur synon. E ka të vështirë të mbajë barrën e mëkateve dhe të gabimeve të veta. Prandaj, Zoti me mëshirën e Tij, i dha njeriut mundësinë e pendimit, realiteti i të cilit është: të lësh mëkatin për shkak të shëmtisë që ka, nga frika ndaj Zotit dhe shpresa për të fituar premtimin e Tij. Esenca e pendimit është të bëhesh pishman dhe të vendosësh që kurrë të mos kthehesh më në gjendjen e mëparshme, kurse të ardhmen ta ndriçosh me vepra të mira.[84] Pendesa, siç mund ta shohësh, është vepër e zemrës - ndërmjet robit dhe Zotit të tij, ndaj ajo nuk ka ndonjë mundim a lodhje, thjesht duhet të ndalesh nga mëkatet e të futesh në botën e lumturisë dhe rehatisë.[85]
Në Islam, pendimi realizohet pa iu rrëfyer qenies njerëzore, e cila mund të mos ngurrojë të të dëmtojë nëpërmjet komprometimit dhe shfrytëzimit. Pendesa jote është një bisedë e këndshme në mes teje dhe Zotit, nga i Cili ti kërkon falje e udhëzim, ndërsa Ai të përgjigjet me pranim.
Në këtë fe të mrekullueshme nuk ekziston diçka që quhet “mëkat i trashëguar" e as ndonjë personalitet që llogaritet si “shpëtues i pritur i njerëzimit". Në fakt, në Islam, ashtu siç përshkruan ish-hebreu austriak Muhamed Esed, i cili më pastaj e ka përqafur këtë fe të vërtetë: “Askund në Kuran nuk kam gjetur të përmendet nevoja për një “shpëtimtar". Në Islam nuk ekziston koncepti i mëkatit fillestar të trashëguar, që qëndron në mes të individit dhe ardhmërisë së tij[86], sepse:
"njeriut nuk i takon tjetër pos asaj që ka punuar." (Kurani, 53:39)
Ngaqë assesi nuk kërkohet nga njeriu që të ofrojë ndonjë sakrificë a të vetëvritet, në mënyrë që t'i hapen dyert e pendesës dhe të pastrohet nga mëkati."
Përkundrazi, siç thotë i Madhërishmi:
"Askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit." (Kurani, 6:164)
Nga pendimi fitojmë disa fryte madhështore, prej tyre:
a. Robi e kupton gjerësinë e butësisë dhe bujarisë së Zotit, i Cili ia mbulon mëkatet, e po të dëshironte, do ta diskreditonte ndër njerëz e do t'ia prishte jetën. Mirëpo jo, Ai i dha madhështi, fuqi, furnizim e ushqim dhe e mbuloi me butësinë e Vet.
b. Po ashtu njeriu e kupton realitetin e shpirtit të vet, i cili është i prirë për ligësi dhe nxit në të dhe prej të cilit dalin shkarjet, mëkatet dhe mangësitë. Ky realitet e nxjerr në pah paaftësinë dhe dobësinë e njeriut kundrejt ëndjeve të ndaluara, për çka ai duhet të lidhet fort me Zotin, që Ai t'ia pastrojë shpirtin dhe ta përudhë!
c. Pendimi ia hap besimtarit rrugët e lumturisë – kthehet te Zoti duke i kërkuar mbrojtje e ndihmë. Po ashtu, besimtari nëpërmjet derës së pendimit kalon te lutja, përulja, nënshtrimi, nevoja, dashuria, frika e shpresa. Kështu shpirti afrohet te Krijuesi i vet, me një afërsi të cilën nuk do ta arrinte pa pendim dhe kthim tek Ai.
d. Me pendim, Zoti ia fal njeriut mëkatet e së kaluarës. I Larti ka thënë: "Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t'u falet e kaluara." (Kurani, 8:38)
e. Po ashtu, njeriut i shndërrohen mëkatet e veta në punë të mira. I Madhërishmi thotë: "Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë." (Kurani, 25:70)
f. Nga pendimi njeriu merr mesazhin që, kur lloji i vet njerëzor të gabojë kundrejt tij, ai të sillet me ta ashtu siç dëshiron që Zoti të sillet me të gjatë rënies në mëkate e gabime. Kjo, ngase soji i shpërblimit është nga vetë lloji i veprës. Kur sjellja e njeriut me të tjerët ndërtohet mbi parimin e së mirës, ai pret vetëm mirë nga Zoti, i Cili do ta trajtojë me mirësi gjatë rënies në mëkate e gabime.
g. Pendimi i tregon njeriut se sa shumë mëkate, të meta e rrëshqitje që ka. Si rrjedhim, njeriu nuk i vrojton më të metat e të tjerëve, ngase përpjekja për të përmirësuar veten, ta largon mundësinë që të merresh me të tjerët.
Këtë temë dua ta përfundoj me ngjarjen e personit që erdhi te Profeti ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Zotit! S'kam lënë gjë pa bërë!" E ai i tha: “A nuk je që dëshmon se s'ka të adhuruar me të drejtë përveç Zotit dhe se Muhamedi është Profeti i Tij?!" – ia përsëriti pyetjen tri herë radhazi! “Po!" – u përgjigj ai. Atëherë i tha: “E pra, kjo e zhbën atë!" E në një tjetër variant transmetimi, tha: “E pra, kjo e zhbën atë në tërësi!"[87]
Kjo ngjarje transmetohet edhe në një variant (transmetim) tjetër, në të cilin dëftohet se ai erdhi te Profeti ﷺ e i tha:
“Çfarë thua për një burrë që s'ka lënë mëkat e të zezë, përveç shirkut, pa bërë?! A ka pendim për të?! I tha: “A ke hyrë në Islam?!" Ai u përgjigj: “Sa më përket mua, unë dëshmoj se s'ka të adhuruar me të drejtë, përveç të vetmit Zot, i paortak dhe se ti je Profet i Zotit!" Tha: “Po! Le të punojë vepra të mira, e le t'i lërë veprat e liga, e kështu Zoti i Madhërishëm ia shndërron të gjitha punët e tij në vepra të mira." Tha: “A edhe pabesitë dhe poshtërsitë e mia?" I tha: “Po!" Atëherë ai tha: “Zoti është më madhështori!" dhe nuk u ndal së madhëruari Zotin, derisa na iku sysh!"[88]
Islami dhe pendimi i vërtetë e fshijnë të kaluarën e njeriut, siç është vërtetuar në fjalët e Profetit ﷺ.
PASOJAT E MOSPRANIMIT TË ISLAMIT
Në këtë libër të është qartësuar e vërteta e pashmangshme e Islamit, se ajo është feja e vetme e Zotit, feja e vërtetë dhe e promovuar nga të gjithë profetët. Zoti i Madhëruar ka premtuar e përcaktuar shpërblime madhështore për ata që i besojnë Atij, sikurse e ka kërcënuar me dënim të ashpër çdo mohues.
Zoti është Krijuesi dhe Mbarështuesi i gjithësisë, kurse ti o njeri, je një prej krijesave të Tij. Ai ka vënë në shërbimin dhe dobinë tënde gjithçka në këtë gjithësi. Të ka përcaktuar ty një ligj e normativë dhe të ka urdhëruar ta pasosh atë. Nëse i përmbahesh udhëzimit të Tij, duke i zbatuar urdhëresat dhe duke iu shmangur ndalesave, do të arrish premtimin e Zotit – begatinë e pasosur, si dhe do të lumturohesh në këtë jetë duke u kapluar prej mirësive të Tij. Ti do të jesh një krijesë që u ngjan krijesave me mendjet më të shëndosha dhe shpirtrat më të pastër: profetëve të Zotit, besimtarëve të denjë dhe engjëjve.
Po nëse e mohon Zotin tënd dhe nuk i bindesh Atij, jeta jote në të dy botët është humbje, shembë dhe qeder. Hidhërimi dhe dënimi i Zotit për ty janë të pamënjanueshme. Duke qenë mohues e rebel, u ngjan krijesave më të poshtra e më mendjetrasha: djajve, mizorëve, shtypësve e tiranëve. Thënë shkurt, ky është fundi i jobesimtarëve.
Pasojat e mosbesimit janë të shumta, e në rreshtat në vijim ke një shpjegim më të gjerë:
1 - Frika dhe mungesa e sigurisë
Zoti u ka premtuar besimtarëve dhe ndjekësve të profetëve siguri e qetësi të plotë, si në këtë botë po ashtu edhe në tjetrën. I Larti ka thënë:
“Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar." (Kurani, 6:82)
Siguria buron vetëm nga Zoti i Madhërishëm, nga emrat e të Cilit janë edhe Siguridhënësi e Mbikëqyrësi, prandaj nën mbikëqyrjen dhe zotërimin e Tij është e tërë gjithësia. Kur Ai ta dojë dikë prej besimtarëve, i dhuron siguri, qetësi e rehati, me të cilat nuk e begaton jobesimtarin, i cili përherë jeton me frikë nga jeta e mëtejme, nga fatkeqësitë, sëmundjet, ardhmëria e tij në këtë jetë e kështu me radhë. Meqë nuk kanë siguri dhe mbështetje te Zoti, jobesimtarët vrapojnë pas kompanive të sigurimit për të siguruar vetveten dhe pasuritë.
2 - Jeta e vështirë dhe e zymtë
Zoti e solli njeriun në ekzistencë dhe për të i nënshtroi mbarë krijesat, të cilave ua caktoi fatin, furnizimin dhe ymrin. Ja, shikoje shpendin hareplotë; ai, në kërkim të furnizimit, del nga foleja e vet, fluturon e këndon me melodinë e vet të këndshme, nga dega në degë, gjithnjë i hareshëm. Po edhe njeriu është një nga këto krijesa, të cilat e kanë të prerë furnizimin dhe ymrin. Nëse ai i zë besë Zotit të vet dhe i përmbahet fesë hyjnore, Zoti do t'i japë lumturi e mirëqenie, e do t'ia lehtësojë të gjitha punët, edhe nëse elementet dhe mjetet e jetës i ka minimale.
E nëse e mohon Zotin, bëhet kryelartë dhe nuk e adhuron Atë, Ai ia vreron dhe ia zymton jetën. Kështu njeriu do të jetojë me brenga e halle, edhe nëse materialisht qëndron shumë mirë. A nuk e ke parë se sa shumë vetëvrasje ndodhin te vendet e pasura që kanë luks?!
E ke parë se sa shumë shpenzime e shpërdorime bëjnë ata në orendi, udhëtime e gjëra të tjera, vetëm e vetëm që të kënaqen?!
Në të vërtetë, ata janë dhënë pas materializmit për shkak të mungesës së besimit dhe ndjenjës së ngushtësisë që nuk i lë rehat. Përpiqen që, në forma të ndryshme, e me mjete të llojllojta, ta heqin qafe stresin që i shoqëron në vazhdimësi. Zoti e ka thënë të vërtetën, kur tha se:
“Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër." (Kurani, 20:124)
3 - Jobesimtari jeton i përplasur me vetveten dhe gjithësinë përreth tij
Kjo, ngase ai e ka ngarkuar kot shpirtin e tij, në të cilin është skalitur monoteizmi e besimi, e jo mosbesimi. I Madhërishmi thotë:
“...natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit!" (Kurani, 30:30)
Madje, edhe trupi i tij i është dorëzuar Zotit dhe funksionon sipas sistemit të Tij. Mirëpo, megjithëkëtë, jobesimtari bëhet kryeneç dhe kundërthënës me natyrën e vet fillestare. Me vullnetin e vet, aty ku ka mundësi zgjedhjeje, e kundërshton urdhrin e Zotit Fuqiplotë, të Cilit, në anën tjetër i bindet pareshtur vetë trupi i tij.
Po ashtu, ai përleshet edhe me gjithësinë, e cila, që nga galaktika më e madhe e deri te insekti më i vogël, funksionon sipas sistemit që Zoti e ka gatuar. I Larti thotë:
"Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullie e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!". Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!" (Kurani, 41:11)
Madje, edhe gjithësia që i bindet Zotit, e do të bindurin dhe e urren të pabindurin prej llojit njerëzor. Për shkak të daljes së tij nga rregulli i përgjithshëm, jobesimtari që e kundërshton Zotin e vet, e meriton që qiejt, Toka dhe krijesat e tjera ta urrejnë për shkak të mosbesimit dhe mohimit të tij. I Larti thotë:
"Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir". Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s'çahet e malet sa s'rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S'ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit." (Kurani, 19:88-93)
I Madhërishmi thotë për Faraonin dhe ushtrinë e tij:
"Nuk i vajtoi ata as qielli, as Toka, as nuk iu dha afat atyre." (Kurani, 44:29)
4 - Jobesimtari bën jetë injoranti
Mosbesimi është injoranca më e madhe, madje kulmi i injorancës, ngase bëhet fjalë për mosnjohje të Zotit, të Vërtetit absolut. Jobesimtari nuk e njeh Krijuesin e vet, edhe pse e sheh te vetvetja dhe gjithësia krijimtarinë e mrekullueshme dhe të përkryer të Zotit. E vallë, a nuk është kjo injoranca më e madhe?!
5 - Jobesimtari jeton me padrejtësi ndaj vetes dhe rrethit
Jobesimtari e vë vetveten aty, për ku nuk është krijuar; Ai nuk e adhuron Zotin e vet, e jo vetëm kaq, ai e adhuron dikë tjetër përveç Tij. E ç'është padrejtësia përpos se, mosvendosje e gjërave në vendin e duhur?! Madje, a ka padrejtësi më të madhe sesa t'ia kushtosh adhurimin dikujt tjetër e jo të Denjit?! E Lukmani i urtë, duke e shpjeguar shëmtinë e idhujtarisë, i tha birit të vet:
"O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe". (Kurani, 31:13)
Po ashtu, jobesimtari është i padrejtë edhe kundrejt të tjerëve, pasi nuk është i denjë për t'ia njohur secilit të drejtën e vet. Ai në Ditën e Gjykimit do të ballafaqohet me një realitet të trishtueshëm për të; Çdo i shtypur nga dora e tij, qoftë njeri a kafshë, do t'i kërkojë Zotit të hakmerret për të!
6 - Në këtë jetë, mbi jobesimtarin bie hidhërimi i Zotit
Hidhërimi i Zotit në jetën e jobesimtarit shfaqet nëpërmjet qedereve dhe fatkeqësive, të cilat vijnë tek ai si dënim i përshpejtuar. I Madhërishmi thotë:
"A janë të sigurt ata që bëjnë plane djallëzore se Allahu nuk do t'i fusë në tokë ose që dënimi nuk do t'u vijë andej nga nuk e presin? A janë të sigurt ata se Allahu nuk do t'i dënojë gjatë ecejakeve të tyre, pa qenë në gjendje ta pengojnë Atë? Ose, se nuk do t'i godasë dënimi pak nga pak? E, megjithatë, Zoti juaj është i Butë dhe Mëshirëplotë." (Kurani, 16:45-47)
Po ashtu, ka thënë:
"Kurse, jobesimtarët (e Mekës), për atë që kanë bërë, vazhdon t'i godasë shkatërrimi apo të bjerë pranë shtëpive të tyre, derisa të kryhet premtimi i Allahut. Nuk ka dyshim se Allahu e kryen premtimin e Tij." (Kurani, 13:31)
Po ashtu, i Madhërishmi tha:
"A janë të sigurt ata se nuk do t'iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?!" (Kurani, 7:98)
Kështu është puna e secilit që shmanget nga Zoti. Ai, duke na treguar për dënimet e popujve të mëparshëm mohues, thotë:
"Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes." (Kurani, 29:40)
E njerëzit e dënuar nga Zoti janë gjithandej, e ti mund t'i vëresh edhe përreth teje.
7 - Fati i jobesimtarit është dështimi, zhgënjimi dhe humbja
Njeriu mohues, për shkak të hatasë së bërë, jeton pa kënaqësinë më të madhe të shpirtit e të zemrës. Ajo kënaqësi është njohja e Zotit, afria me Të dhe gjetja e prehjes tek Ai. Vërtet, jobesimtarit i shkon huq kjo jetë, të cilën ai e jeton me mjerim e dilemë. Ai humb edhe shpirtin e vet, për kënaqjen e të cilit ka bërë çmos. E përderisa nuk e ka realizuar qëllimin e krijimit të tij, assesi nuk arrin të lumturohet në këtë jetë, në të cilën ai jeton me mjerim e dëshpërim, e me të cilat halle do ta gjejë edhe vdekja, për t'u ringjallur më pastaj me llojin e vet, pra me të dëshpëruarit. I Larti thotë:
"...kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre..." (Kurani, 7:9)
Ai po ashtu i humb edhe familjarët e vet, me të cilët ka jetuar jetë mohimi të Zotit, jetë mjerimi e dëshpërimi, e me të cilët ka të njëjtin cak – ferrin. I Madhërishmi thotë:
"Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit." (Kurani, 39:15)
E në Ditën e Gjykimit, ata tubohen në skëterrë, ah sa vendbanim i keq që është! I Larti thotë:
"(Engjëjve do t'u thuhet): “Mblidhini njerëzit e këqij, shokët e tyre (djaj) dhe idhujt që i kanë adhuruar krahas Allahut e tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!" (Kurani, 37:22-23)
8 - Ai jeton duke qenë mohues i Zotit të vet dhe mosmirënjohës ndaj Tij
Është Zoti Ai që e solli atë në ekzistencë prej asgjësë dhe e mbuloi me mirësi të shumta, mirëpo jobesimtari dikujt tjetër i shpreh adhurim e falënderim. Vallë, a ka mosmirënjohje më të madhe se kjo?!
A ka mohim më të shëmtuar se kjo?!
9 - Jobesimtari privohet nga jeta e vërtetë
Si të mos jetë kështu kur jeta e denjë është me ata që e besojnë Zotin, e dinë qëllimin e jetës, fundin e misionit dhe domosdoshmërinë e ringjalljes. Janë këta që e trajtojnë secilin me të drejtën që e meriton, pa shtypur e pa dëmtuar askënd. Ata, në të dy botët, jetojnë jetë të fatlumëve – jetë të këndshme. I Madhërishmi thotë:
"Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (Kurani, 16:97)
E në botën tjetër:
"...në banesa të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe." (Kurani, 61:12)
Sa u përket atyre që bëjnë jetë të ngjashme me atë shtazore, e që nuk e njohin Zotin, qëllimin e jetës dhe cakun e mëtutjeshëm; të cilët, në të vërtetë për synim jetësor kanë thjesht hajen, pijen e gjumin... Ma thuaj, çfarë dallojnë këta prej kafshëve, të cilat, madje janë edhe më të mira? I Larti thotë:
"Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinë dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit." (Kurani, 7:179)
Po ashtu, i Madhërishmi tha:
"A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë." (Kurani, 25:44)
10 - Jobesimtari ndëshkohet me dënim të përhershëm
Ndëshkimet nuk kanë të ndalur për mohuesin; vuajtjet e tij nuk marrin fund me vdekje, përkundrazi. Para se engjëjt e vdekjes t'i vijnë për t'ia marrë shpirtin, tek ai veçse arrijnë engjëjt e ndëshkimit, për t'ia dhënë dënimet e merituara. I Madhërishmi thotë:
"Eh, sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë!" (Kurani, 8:50)
E kur t'i dalë shpirti e të varroset, i fillojnë dënimet edhe më të ashpra. Zoti, duke na treguar për ithtarët e Faraonit, thotë:
"Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!" (Kurani, 40:46)
Në Ditën e Kiametit, kur mbarë krijesat do të ringjallen dhe do të shfaqen veprat e tyre, jobesimtarit do t'i shfaqen të gjitha veprat e bëra, të regjistruara në një libër, për të cilin Allahu thotë:
"Dhe Libri (i veprave të tyre) do t'u vihet përpara, e do t'i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar". (Kurani, 18:49)
11 - Jobesimtari atje do të preferonte të kishte qenë dhé
"Ditën, kur njeriu do të shohë se ç'kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!" (Kurani, 78:40)
Për shkak të llahtarisë së atjeshme, njeriu sikur ta posedonte botën në tërësi, do ta bënte fli vetëm e vetëm që të shpëtonte nga dënimi i asaj dite. I Larti thotë:
"Sikur keqbërësit të kishin çdo gjë që gjendet në Tokë, dhe po kaq më tepër, të gjitha këto do t'i flijonin (për të shpëtuar)..." (Kurani, 39:47)
Po ashtu, thotë:
"Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet, edhe gruan, edhe vëllanë e vet, edhe farefisin që i gjendej pranë (ne jetën e Tokës), si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte." (Kurani, 70:11-14)
Atje është vendi i shpërblimeve e jo i shpresave, ndaj doemos secili do të marrë atë që e meriton, pra në pastë bërë mirë, mirë, e në pastë bërë ligësi, të liga. E keqja më e madhe që e kaplon jobesimtarin është zjarri i ferrit, në të cilin Zoti ka përgatitur dënime të llojllojta për t'i ndëshkuar mohuesit. I Madhërishmi thotë:
"Ja, ky është Xhehenemi, të cilin e mohonin keqbërësit! Ata do të sillen në mes të zjarrit dhe ujit të valuar në kulm." (Kurani, 55:43-44)
E, duke na treguar për pijet dhe veshjet e tyre, thotë:
"... por për ata që nuk besojnë janë përgatitur rroba prej zjarri, e mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar, me të cilin do t'u shkrihen ç'kanë në barqe dhe lëkura. Për ata ka kamxhikë prej hekuri." (Kurani, 22:19-21)
PËRFUNDIM
Pra, o njeri, ti ishe thjesht një kurrgjë - hiç. I Larti thotë:
"A nuk e mban mend njeriu se Ne e kemi krijuar atë, kur ende nuk ishte asgjë?!" (Kurani, 19:67)
Pastaj Zoti të krijoi nga një pikël e të dha shikimin e dëgjimin. I Madhërishmi thotë:
"Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t'u përmendur?! Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë fare e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë." (Kurani, 76:1-2)
Më pastaj kalove nga gjendja e dobësisë tek ajo e fuqisë, për t'u kthyer sërish te dobësia.
"Allahu është ai që ju ka krijuar ju të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë." (Kurani, 30:54)
E fundi i padyshimtë është vdekja. E ti o njeri, përgjatë tërë etapave të jetës, asnjëherë nuk pate mundësi të largosh një dëm a të tërheqësh një dobi, vetëm se nëpërmjet mirësive që t'i dha Zoti, për të Cilin ti natyrshëm ke nevojë të përhershme. Sa shumë gjëra t'u deshën në jetë, por s'ishin në dorën tënde, herë i pate e herë t'u morën pa vullnetin tënd. Sa shumë ëndrra pate, herë t'u realizuan e herë mbetën vetëm dëshira. Sa shumë gjëra të sollën në jetë dëm, fatkeqësi e sëmundje, t'i rrënuan shpresat e ta çuan mundin huq, do të dëshiroje t'i mënjanoje, mirëpo herë arrite t'i largosh e herë jo. Vallë, a nuk e ndien nevojën tënde për Zotin?! I Madhërishmi thotë:
"O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s'ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd." (Kurani, 35:15)
Madje, ngjan që një virus i padukshëm për syrin e lirë të të shtrijë në shtratin e të sëmurit, e ti të jesh i paaftë për ta shmangur atë. Përpiqesh të kurohesh nëpërmjet mjekimit te një pjesëtar tjetër i llojit të dobët njerëzor, e kura herë ka sukses e herë nuk ka, kur nuk ka sukses, ty e mjekun dilema ju pllakos.
Ah sa i dobët që je o njeri; Sikur miza të të marrë diçka, ti nuk je i aftë t'ia marrësh sërish e ta rikthesh! Të vërtetën e ka thënë Zoti në fjalën e Vet:
"O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t'ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli)." (Kurani, 22:73)
E nëse nuk ke fuqi ta rikthesh atë që miza ta ka marrë, atëherë më trego se çfarë poseduake ti?!
Qenia e shpirti yt janë në Dorë të Zotit të Madhërishëm. Zemra jote është në mes të dy gishtave të të Mëshirshmit, i rrotullon ashtu siç të dëshirojë Ai. Jeta e vdekja, po edhe lumturia e mjerimi yt janë në Dorë të Tij. Çdo lëvizje dhe qëndrim yti, sikurse edhe të gjitha fjalët e tua bëhen vetëm me lejen dhe vullnetin e Zotit. Pra, ti nuk mund të bësh gjë pa lejen e Tij. Ai nuk e la çështjen tënde në dorën tënde, ngase ti je qenia e dobësisë, paaftësisë, mangësisë, gabimit dhe mëkatit. Por as nuk e dorëzoi te dikush tjetër, sepse ajo qenie nuk mund të të sjellë dëm, dobi, vdekje, jetë e ringjallje. Pra, ti as sa një pulitje sysh nuk mundesh pa Zotin. Gjithmonë ke nevojë për Të. Ai përherë të mbulon me mirësi, kurse ti çoroditesh me mëkate e mosbesim dhe e harron Atë, edhe pse kthimi yt tek Ai dhe qëndrimi përpara Tij janë të sigurt.
Meqë ti, o njeri, je i dobët dhe i paaftë për të bartur barrën e mëkateve të tua:
"Allahu dëshiron t'jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme." (Kurani, 4:28)
Allahu dërgoi profetë, zbriti libra, ligjësoi norma dhe nxori në pah rrugën e drejtë dhe i qartësoi të vërtetat me argumente e prova, derisa bëri që çdo gjë të dëshmojë për njëshmërinë, hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t'u adhuruar. Kurse ti vazhdon ta refuzosh të vërtetën me të kotë e të miqësohesh me djajtë e jo me Zotin, dhe të polemizosh me dokrra.
"...por njeriu kundërshton më tepër se çdo krijesë tjetër." (Kurani, 18:54)
A mirësitë e Zotit, me të cilat kënaqesh pandërprerë, ta nxorën nga mendja fillimin dhe mbarimin tënd?!
A nuk kujton se ti je krijuar nga një pikël?!
Kthimi yt do të jetë në një gropë, që prej aty pastaj të ringjallesh për jetën e përhershme – për të qenë banor i ferrit ose i parajsës. I Larti thotë:
"A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së farës, e megjithatë ai bëhet kundërshtar i hapët?! Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t'i ngjallë eshtrat kur të kalben?" Thuaj: “Do t'i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë." (Kurani, 36:77-79)
I Madhërishmi thotë:
"O njeri, ç'të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi dhe që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?! (Kurani, 82:6-8)
Pra, pse po e privon vetveten nga kënaqësia e qëndrimit përpara Zotit dhe e komunikimit të këndshëm me Të?! Është Ai që të pasuron, të jep shëndet, t'i largon brengat, t'i fal mëkatet, ta mënjanon të keqen, të ndihmon kur shtypesh, të udhëzon kur hutohesh apo devijon, ta largon injorancën, të jep siguri e qetësi, ta mëshiron dobësinë tënde, t'i zmbraps armiqtë e tu dhe të sjell furnizimin.
Dije, o njeri, se pas mirësisë së fesë, nuk ka për njeriun begati më të madhe se sa mendja. Nëpërmjet saj bëhet dallimi në mes të dobishmes dhe të dëmshmes; Me mendje njihet Zoti, po edhe urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Po ashtu, nëpërmjet saj perceptohet qëllimi i ardhjes sonë në ekzistencë, e që është adhurimi i të vetmit Zot. I Madhërishmi thotë:
"Çdo mirësi që keni është nga Allahu. E nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, prapë nuk keni kujt t'i kërkoni ndihmë përveç Tij. E, prapëseprapë, kur Ai jua shmang fatkeqësinë, disa nga ju i shoqërojnë Zotit të vet (zota të tjerë në adhurim)." (Kurani, 16:53-54)
Pra, njeriu i mençur i ka sytë nga çështjet e larta e jo nga të ulëtat. Dëshira e tij është pasimi i fisnikëve dhe zemërbardhëve – profetëve dhe besimtarëve të denjë. Ai përpiqet t'u bashkëngjitet atyre, edhe pse s'i ka arritur për së gjalli, kurse udha për realizimin e kësaj dëshire tregohet në udhëzimin kuranor:
"Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t'ju dojë..." (Kurani, 3:31)
E nëse e jetëson këtë rregull, Zoti do ta bëjë atë bashkë me profetët, dëshmorët dhe besimdrejtët (të mirët). I Larti thotë:
"Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët (të mirët)! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta!" (Kurani, 4:69)
Pra, këshilla ime për ty është të vetmohesh dhe të meditosh rreth së vërtetës që të erdhi! Ndalu dhe vrojtoji thellë argumentet dhe provat e sjella! Nëse bindesh në vërtetësinë e Islamit, pranoje dhe ndiqe atë, e mos ji skllav i rrethit dhe zakonit. Dije se vetja jote është më e rëndësishme sesa shokët, moshatarët dhe trashëgimia e etërve të tu. Zoti i këshilloi jobesimtarët duke u thënë:
"Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t'ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë." (Kurani, 34:46)
Nëse ti e pranon Islamin, nuk humb asgjë. I Madhërishmi thotë:
"E ç'dëm do të kishin ata sikur të besonin Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe të ndanin nga pasuria që u ka dhënë Allahu?! Allahu di çdo gjë për ta." (Kurani, 4:39)
Ibn Kethiri, (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “E çfarë dëmi do t'u sillte besimi në Zotin e Madhërishëm, ndjekja e rrugës së lavdishme, besimi në premtimin hyjnor për vepërmirët në jetën e amshuar dhe shpenzimi i pasurisë aty ku fitohet kënaqësia e Zotit?! Ai, madhëruar qoftë, në përpikëri e njeh brendësinë e njerëzve – cili e meriton suksesin, frymëzimin dhe ndihmën e Tij e cili meriton të lihet në lloç e të përzihet nga dera hyjnore, e për pasojë të humb gjithçka në të dy botët."[89]
Islami nuk të pengon askund në jetën tënde, përderisa ti shtegton në hapësirat e lejuara të Zotit. Allahu është Bujar; të jep shpërblim për çdo punë të bërë, përderisa e vepron për hir të Tij, edhe nëse me to arrihet interesi personal, qoftë ai e mirë materiale, famë, imazh i mirë etj. Madje, edhe gjërat e lejuara të përditshmërisë janë mundësi e mirë për të fituar shpërblime, nëse qëllimi i përdorimit dhe konsumimit të tyre është lënia dhe zëvendësimi i së ndaluarës. Profeti ﷺ ka thënë:
Madje, edhe kur bëni marrëdhënie intime me gratë tuaja keni lëmoshë." Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut! Edhe kur ndonjëri prej nesh shfryen epshet e veta paska shpërblim?!" Ai tha: "Ç'mendoni, sikur ta bënte këtë në mënyrë të ndaluar, a do të kishte mëkat? Vetëkuptohet se, kur e bën këtë në mënyrë të lejuar, ka shpërblim."[90]
Pra, o njeri, profetët e sollën të vërtetën dhe e kumtuan atë që Zoti e dëshiron; njerëzit kanë nevojë të pashmangshme që ta njohin ligjin e Zotit e nën dritën e Islamit të shtegtojnë këtu në këtë jetë, kurse me të, atje në jetën e mëtejme të dalin fitimtarë. I Larti thotë:
"O njerëz! I Dërguari ju ka sjellë të vërtetën nga Zoti juaj, prandaj besoni, se për ju është më mirë! E në qoftë se nuk besoni, ta dini se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (Kurani, 4:170)
Njashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:
"Thuaj: “O njerëz, ju erdhi e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet dhe kush e humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrësi juaj". (Kurani, 10:108)
Atëherë, o njeri, nëse ti e pranon Islamin, i ke bërë mirë vetvetes, e nëse e mohon, vetë pëson. Zoti nuk ka nevojë për robërit e Tij, ndaj mëkati i mëkatarëve s'e dëmton fare Atë, sikurse as adhurimi i besimtarëve s'i sjell ndonjë dobi. Atij nuk mund t'i bëhet mëkat pa dijen e Tij e as të ketë bindje e nënshtrim ndaj Tij pa lejen e Tij. Profeti ﷺ tregon se Zoti ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që Unë e udhëzoj, ndaj kërkomani udhëzimin, që t'ju përudh. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që unë e ushqej, ndaj kërkomani ushqimin, që t'ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që unë e pajis me veshmbathje, ndaj më kërkoni veshmbathje, që t'ju furnizoj me të. O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, ndaj më kërkoni falje, që t'ju fal. O robërit e Mi! Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi. O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim. O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë ia jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, respektivisht aq sa përthith gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten."[91]
E për fund, qoftë lavdëruar e madhëruar Allahu, Zoti i botëve, të Cilin e lus që ta bekojë dhe ta lavdërojë Profetin më të nderuar, Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij.
[1] Ky është një citat nga libri madhështor – Kurani Fisnik, të cilin Zoti ia shpalli Profetit Muhamed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të! Në librin tim do të citohen shumë përmbajtje kuranore, të cilat do të paraprihen nga këto fjalë e togje fjalësh: “Allahu i Madhërishëm thotë"; “I Larti thotë"; “I Madhërishmi ka thënë", e të ngjashme me këto. Tutje në këtë libër, do të gjesh një njoftim të shkurtër rreth Kuranit të madhërishëm.
[2] Shih për më shumë librin: “El-Akidetu's-sahiha ve ma judaduha", të eruditit Abdulaziz ibn Baz, dhe “Akidetu ehli's-suneti ve'l-xhema'ah", vepër e shejh Muhamed ibn Salih El-Uthejminit.
[3] Shih: “Mexhmu'u fetava shejhi'l-islami Ibn Tejmije", v. 1, f. 47-49, 73.
[4] Shënon Buhariu në “Librin e kaderit", kapitulli i tretë; dhe Muslimi në “Librin e kaderit", hadithi numër 2658; përmbajtja e hadithit këtu është sipas variantit të tij.
[5] Shënon Imam Ahmedi në “Musned"-in e tij, v. 4, f. 162; po ashtu edhe Muslimi, në “Librin e xhenetit dhe përshkrimit të begative që, ajo dhe banorët e saj kanë", hadithi numër 2865; përmbajtja e hadithit këtu është sipas variantit të Muslimit.
[6] Shih: “Mexhmu'u fetava shejhi'l-islami Ibn Tejmije", v. 14, f. 380-383, v. 7, f. 75.
[7] Shih: “Sherhu'l-akideti't-tahavije", f. 39.
[8] Shih: “Kurratu ujuni'l-muvahidin", f. 100, të Shejh Abdurrahman ibn Hasenit.
[9] Shih: “Fet'hu'l-kadir", v. 3, f. 403.
[10] Shih: “Miftahu dari's-seade", v. 1, f. 260.
[11] Ky paragraf është rezyme e një përmbajtjeje të shpërndarë në “Miftahu dari's-seade", v. 1, f. 251-269.
[12] “Miftahu dari's-seade", v. 1, f. 327-328.
[13] Dhiatën e vjetër, e madhërojnë dhe e besojnë të krishterët dhe hebrenjtë.
[14] “Silsiletu mukareneti'l-edjani", vepër e dr. Ahmed Shelebiut, v. 3, f. 210-213.
[15] “Miftahu dari's-seade", v. 1, f. 6-11.
[16] Shih: “Et-tedmurije", f. 213-214, vepër e Shejhu'l-islam ibn Tejmijes; dhe “Miftahu dari's-seade", v. 2, f. 383.
[17] Shih: “Ed-Din", f. 87, vepër e Muhamed Abdullah Derazit.
[18] Po aty, f. 88.
[19] Po aty, f. 84, 98.
[20] Shih: “El-Fevaid", f. 18, 19.
[21] Shih: “Ed-Din", f. 98, 102.
[22] Shih: “El-xhevabu's-sahih fimen beddele dine'l-mesih", v. 4, f. 97.
[23] “Mexhmu'u fetava shejhi'l-islami Ibn Tejmije", v. 4, f. 210-211.
[24] Shih më gjerësisht: “Ifhamu'l-jehud", vepër e Samuel ibn Jahja El-Magribiut, autor i kthyer nga hebreizmi në Islam.
[25] Shih: “Jewish Encyclopedia", VOL. XLL, P. 568-569.
[26] Me fjalën “telmud" është për qëllim libri i mësimit të fesë dhe normave të hebreizmit. Bëhet fjalë për një libër që ka përmbledhur shënimet dhe shpjegimet e dijetarëve hebrenj, nga kohëra të ndryshme, rreth librit “Mishna" (Ligji).
[27] Më gjerësisht, shih: “El-Jehud ala hasebi't-telmud" të dr. Rohlange; si dhe përkthimin e tij nga frëngjishtja në arabisht: “El-Kenzu'l-mersud fi kavaidi't-telmud", përkthim i Jusuf Hana Nasrullah.
[28] Më gjerësisht, shih: ““El-xhevabu's-sahih fimen beddele dine'l-mesih", vepër e Shejhu'l-islam Ibn Tejmijes; “Idh'haru'l-hak", e Rahmetullah ibn Halil El-Hindit; si dhe “Tuhfetu'l-erib fi'rr-rredi ala ubadi's-salib", vepër e Abdullah Et-Turxhumanit, autor i kthyer nga krishterimi në Islam.
[29] Shih: “History of the conflict between religion and science", f. 40-41 (përkthimi në arabisht), vepër e autorit John William Draper.
[30] Shih: “New Chalothic Encyclopedia", The Holy trinity, VOL. 14, P. 295.
[31] Shih: “History of Christianity in the Light of Modern Knowledge", Rev James Houston Baxter, Glasgow 1929, P. 407.
[32] Shih: “Iran during the reign of Sasanids", vepër e profesorit të gjuhëve lindore në Universitetin Kopenhagës në Danimarkë, si dhe specialist në historinë e Iranit. Gjithashtu, shih: “History of Iran", të Magian Shaeen Makareus.
[33] “Iran during the reign of Sasanids", f. 155.
[34] Po aty, 183-233.
[35] Shih: “The Ancient India", të Aishura Toba, profesor i qytetërimit indian në Universitetin e Hajdarabadit; dhe “The Discovery of India", f. 201-202, të ish-kryeministrit indian, Jawahar Lal Nehru.
[36] Shih: “Ancient India", të R. Dit, v. 3, f. 287; dhe “The prevailing hinduism", të L. S. S. O. Malley, f. 7-8.
[37] Shih: “History of Medieval Hundu", të C.V. Vidya, Poone 1921, v.1.
[38] Shih: “Es-siretu'n-nebevije", të Ebu'l-Hasen En-Nedeviut, f.19-28.
[39] “Tefsiru'l-Kurani'l-adhim", të ibn Kethirit, v. 3, f. 64.
[40] Shih: “Levamiu'l-envari'l-behije", v. 2, f. 265-305; dhe “El-Islam", të Ahmed Shelebiut, f. 114.
[41] “Mexhmu'u fetava shejhi'l-islami Ibn Tejmije", v. 4, f. 212-213.
[42] “Ealamu'n-nubuveti", të Ali ibn Muhamed El-Maverdit, f. 33.
[43] Ahmed ibn Abdu'l-halim ibn Abdu's-selam, i njohur si ibn Tejmije; i lindur në vitin 661 hënor, vdiq në vitin 728. Kolos dhe autor i shquar islam.
[44] “Kaidetun fi vuxhubi'l-iëtisam bi'rr-rrisale", të Shejhu'l-islam ibn Tejmijes, v. 19, f. 99-102, që gjendet në “Mexhmu'u'l-fetava"; si dhe “Levamiu'l-envari'l-behije", të Es-Sefarinit, v. 2, f. 261-263.
[45] Shih: “El-xhevabu's-sahih fimen beddele dine'l-mesih", v. 4, f. 96.
[46] Shih: “El-Fevaid", të Ibnu'l-Kajimit, f. 6-7.
[47] Shih burimin e mëparshëm “El-Fevaid", f. 6-7; si dhe “Et-tefsiru'l-kebir" të Rrazit, v. 2, f. 113-116.
[48] Revista saudite “Ed-Dave", nr. 1722, dt. 19.9.1420, f. 37.
[49] Këto bazamente unike janë përmendur në këto kaptina kuranore: “El-Bekare", 285-286, “El-Enam", 151, 153, “El-Araf", 33, “El-Isra", 23, 37.
[50] Muhamed ibn Ebi Bekër ibn Ejub Ez-Zer'iu, i lindur në vitin 691 hënor, vdiq në vitin 751. Erudit i njohur musliman dhe autor i shumë veprave madhështore.
[51] “Miftahu dari's-seade", v. 2, f. 383; si dhe shih: ““El-xhevabu's-sahih fimen beddele dine'l-mesih", v. 4, f. 322; dhe “Levamiu'l-envari'l-behije", të Es-Sefarinit, v. 2, f. 263.
[52] “Mexhmu'u fetava shejhi'l-islami Ibn Tejmije", v. 2, f. 6.
[53] Për më gjerësisht: “Nektari i vulosur i xhenetit", vepër e Safijurrahman El-Mubarekfurit.
[54] “Mexhmu'u fetava shejhi'l-islami Ibn Tejmije", v. 4, f. 201, 211; dhe “Ifhamu'l-jehud", të Samuel ibn Jahja El-Magribi, f. 58-59.
[55] “Ed-Dinu ve'd-devletu fi ithbati nubuveti nebijina Muhamed sal-lallahu alejhi ue selem", të Ali ibn Raban Et-Taberi, f. 47; dhe “El-iëlam", të Kurtubiut, nga faqja 263 e tutje.
[56] D.m.th. përgjatë periudhës së marrëveshjes dhjetëvjeçare të Hudejbijës, e lidhur në vitin e gjashtë hënor; shih: “Fet'hu'l-bari", v. 1, f. 34.
[57] Shënon Buhariu në “Librin e fillimit të shpalljes", kapitulli I.
[58] “Ed-Dinu'l-fitri el-ebedi", Mubeshir Et-Tarazi El-Husejni, v.2, f.319.
[59] Shënon Buhariu në “Librin e vlerave", kapitulli 16; Muslimi në “Librin e vlerave", hadithi 2286; dhe Ahmedi në “Musned", v. 2, f. 256, 312; prej transmetimit të Ebu Hurejrës. Përmbajtja e hadithit këtu është sipas variantit të Buhariut.
[60] Shënon Imam Ahmedi në “Musned", v. 2, f. 411, 412; dhe Muslimi në “Librin e mesxhidëve". Përmbajtja e hadithit këtu është sipas variantit të Muslimit.
[61] “Mebadiu'l-islam", f. 3, 4.
[62] Shënon Imam Ahmedi në “Musned", v. 5, f. 3; dhe Ibn Hibani, v. 1, f. 377.
[63] Shënon Imam Ahmedi në “Musned", v. 4, f. 114, e për këtë hadith El-Hejthemiu, në “El-Mexhma", v. 1, f. 59, tha: “Shënon Ahmedi, ngjashëm edhe Taberaniu në “El-Kebir"; trasmetuesit janë të besueshëm". Shih: “Fadlu'l-islam", të Imam Muhamed Et-Temimit, f. 8.
[64] Shënon Muslimi në “Librin e besimit", hadithi 8.
[65] Shënon Buhariu në “Librin e besimit", kapitulli “Musliman i vërtetë është ai që, me dorën dhe gjuhën e vet, s'e dëmton askënd prej muslimanëve!"; dhe Muslimi në “Librin e besimit", numër 39. Përmbajtja e hadithit këtu është sipas variantit të Buhariut.
[66] “Es-Sunetu ve mekanetuha fi't-teshri-i'l-islami", Mustafa Es-Sibai, f. 376.
[67] “El-Musteshrikun ve'l-mubeshirune fi'l-alemi'l-arabi ve'l-islami", të Ibrahim Halil Ahmedit.
[68] “Struggle in the Cause of Faith", të dr. Jeffrey Lang-ut. Citati nga përkthimi i Mundhir El-Abasit, në gjuhën arabe, f. 34.
[69] Shih: “The Torah, the Bible and the Qur'aan in the light of modern science", të Maurice Bucaile, f. 133-283. Autori është një mjek francez, i kthyer nga krishterimi në Islam.
[70] Shënon Imam Ahmedi në “Musned", v. 4, f. 131; dhe Ebu Davudi në “Librin e traditës profetike", kapitulli i “Ndjekjes së traditës profetike", hadithi 4604, v. 4, f. 200.
[71] Shënon Buhariu në “Librin e ezanit", kapitulli 17, v. 1, f. 155.
[72] Kjo metodologji e veçantë shkencore dhe ky precizitet gjatë transmetimit të traditës profetike, çuan në krijimin e dy shkencave të paprecedentë, të cilat mbetën veçori e muslimanëve: “Terminologjia e hadithit" dhe “Shkenca e kritikës hadithore".
[73] “Dinu'l-hak", f. 38.
[74] “Kurretu ujuni'l-muvahidin", f. 60.
[75] “Dinu'l-hak", f. 51-52.
[76] “Miftahu dari's-seade", v. 2, f. 384.
[77] Shënon Muslimi në “Librin e zekatit", hadithi 1006.
[78] Shënon Buhariu në “Librin e zekatit", kapitulli 29; dhe Muslimi në “Librin e zekatit", hadithi 1008. Përmbajtja e hadithit këtu është sipas variantit të Muslimit.
[79] Sikur në Kuran të mos kishte ndonjë ajet tjetër përveç këtij, do të ishte i mjaftueshëm si argument i qartë e i prerë se Kurani vjen prej Zotit. Kjo ngase njerëzimi në të gjitha epokat e veta, madje edhe në kohën moderne – epokën e shkencës, nuk iu ka qasur gjërave në këtë formë e aq më tepër t'i ketë njohur ato kësisoj; e ti mund të shohësh sot se sa shumë përpjekje shkencore bëhen gjatë observimit të një peme a insekti, madje në një ambient të veçantë, vetëm e vetëm që të zbulojnë diçka sadopak rreth atyre krijesave, edhe pse, prapë ajo e pazbuluara mbetet më e madhe. Pa dyshim, mendimi gjithpërfshirës nuk është i njohur e i mundshëm për njerëzimin.
[80] Shënon Ahmedi në “Musned", v. 1, f. 293, Tirmidhiu në “Sunen", në kapitujt e Kiametit, v. 4, f. 76.
[81] Shih: “Xhamiu'l-ulumi ve'l-hikem", f. 128.
[82] “Miftahu dari's-seade", v. 1, f. 374-375.
[83] Shënon Imam Ahmedi në “Musned", v. 3, f. 198; Tirmidhiu në “Sunen", në kapitujt e përshkrimit të Kiametit, v. 4, f. 49; dhe Ibn Maxhe në “Librin e asketizmit", v. 4, f. 491.
[84] “El-Mufredatu fi garibi'l-Kurani", f. 76.
[85] “El-Fevaid", të Ibnu'l-Kajimit, f. 116.
[86] “Et-tariku ile'l-islami", të Muhamed Esedit (Leopold Weiss), f. 140.
[87] Shënon Ebu Jala në Musnedin e tij, v. 6, fq. 155 dhe Taberaniu në "Elmuxhem el-euset", v. 7, fq. 132 dhe në "Es-sagir", v. 2, fq. 201.
[88] Shënon Ibn Ebi Asim në "El-ahad uel-methani", v. 5, fq. 188 dhe Taberaniu në "El-muxhem el-kebir", v. 7, fq. 53 dhe 314.
[89] “Tefsiru'l-Kurani'l-adhim", v. 1, f. 497.
[90] Shënon Muslimi në “Librin e zekatit", hadithi 1006.
[91] Shënon Muslimi, hadithi numër 2577.